Fisnik PASHOLLI
Shkup, 6 dhjetor – Maqedonia është një nga shtete e rajonit që më së paku ndan të holla për veprimtarinë shkencore-hulumtuese. Sllovenia në rajon është lider me 2,2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa ne ndajmë vetëm një shifër modeste prej 0,2 për qind të PBB-së, ose diku 16 milionë euro në vit. Kroacia, Bullgaria dhe Serbia ndajnë prej 0.7 deri në 0.8 për qind, shkruan gazeta KOHA. Pak më shumë se ne, me 0.3 për qind dhe 0.4 për qind të PBB-së, shpenzojnë Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina. Për rëndësinë e inovacioneve dhe kërkimeve shkencore në zhvillimin dhe përparimin e një shteti, flet edhe shembulli i Finlandës. Ky shtet, para 40 vitesh, ka qenë një shtet kryesisht bujqësor, ndërsa sot është vendi i tretë në botë për kah zhvillimi i inovacioneve.
Në botën e zhvilluar perëndimore, harxhimet për kërkime shkencore kanë një rëndësi të madhe për shkak se avancimi teknologjik nënkupton produkte dhe shërbime të reja, që sjellin punësime të reja, përmirësim të standardit dhe rritje më të madhe ekonomike.
“Për çfarë zhvillimi ekonomik mund të flasim në Maqedoni, kur ndajmë kaq pak mjete për shkencë, ndërsa biznesi ndan bile edhe qindra herë më pak për hulumtim dhe inovacione. Me vite flitet në Maqedoni se duhet të ndahen më shumë mjete për kërkime shkencore, si nga ana e shtetit ashtu edhe nga ana e kompanive, megjithatë një gjë e tillë mbetet vetëm në letër. Mendoj se është koha e fundit, së pari të ngrihet në debat më serioz në institucione dhe opinion për këtë çështje dhe pastaj nevojitet një planifikim serioz se cilat degët ekonomike kanë prioritet në zhvillimin e shtetit dhe më në fund të ndahen më shumë të holla për këtë. Natyrisht, gjithnjë në bashkëpunim midis biznesit dhe arsimit të lartë”, thotë profesori universitar, Neritan Turkeshi. Sipas tij, ekonomitë moderne, me rezultate të mira, imponojnë edhe rritjen e inovacioneve që duhet të përcillet me strukturë më të mirë arsimore si dhe një kujdes të veçantë për të plasuar prodhimet jashtë shtetit.
Problemi i investimit të ulët në zhvillime dhe hulumtime, është prezent në të gjitha shtetet e rajonit si rrjedhojë e ndarjes së pamjaftueshme të mjeteve për këtë qëllim, rolit të paqartë të politikës industriale në strategjitë e zhvillimit ekonomik, strukturës ekzistuese industriale, shkallës së ulët të zhvillimit në arsimin e lartë, lidhjes së dobët midis teknologjisë dhe shkencës, mungesës së vizionit që të lidhen hulumtimet me nevojat e ekonomisë, si dhe kyçjes më të madhe të eksportuesve lidhur me politikat ekonomike.
Në ndërkohë, edhe shtetet evropiane që ndajnë më shumë mjete për hulumtime, si Suedia dhe Austria, me nivelin prej 3 për qind të PBB-së, megjithatë ngecin në këtë drejtim, pas tigrave ekonomik të Lindjes së largët.
Në Korenë e Jugut, që është ekonomia e 12-të më e fuqishme në botë dhe ku punojnë gjigandët industrial si Samsung, Kia, Hjundai, apo punojnë edhe disa nga kantieret më të mëdhenj të ndërtimit të anijeve të mëdha, ndahen afër 4.3 për qind të PBB-së për hulumtime.
Japonia me një ekonomi shumë të zhvilluar ndanë 3.9 për qind të PBB-së për hulumtime, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të cilat as nuk ka nevojë të shpjegohet se çfarë ekonomie dhe universitet të dalluara kanë në rang botëror, ndajnë afër 2.8 për qind të PBB-së. Nga ana tjetër, Gjermania, Danimarka, Finlanda, Belgjika, Franca, Holanda dhe Sllovenia, ndajnë më shumë të holla në BE për hulumtime që lëvizin prej 2 deri 3 për qind të PBB-së në nivel nacional. (koha.mk)