Me shfaqet “Lopata e Artë” dhe “Një pjesë nga koleksioni” mbrëmë u mbyll FNT SkupiFestival

21

Shkup, 23 shtator – Në hapësirat e Kurshumli Han-it në Çarshinë e Shkupit, mbrëmë në natën e gjashtë dhe të fundit të edicionit i 14-të me radhe të FNT Skupifestival Shkup, u dhanë shfaqet “Lopata e Artë” nga Ferdinand Hysi nga produksioni teatror Mërgimtari, Zagreb i Kroacisë dhe “Një pjesë nga koleksioni” nga Dimitar Voev, produksioni teatror Vagabonti nga Sofja e Bullgarisë, raporton Koha.mk 

Pas mbylljes së programit, juria e festivalit në përbërje, Natasha Popllavska, Amernis Nokshiqi Jovanovska dhe Evis Halili, pasi shikuan të gjitha shfaqjet që prodefiluan në edicionin e sivjetshëm, shpallën shfaqjen “Zgjimi i Pranverës” të autorit Frank Wedekind, në regji të Zana Hoxhës dhe në produksion të Teatri Kombëtar të Kosovës dhe Artpolis-Qendra për Art dhe Komunite nga Prishtina për shfaqjen më të mirë të edicionit të katërmbëdhjetë të FNT Skupifestivalit.

“Shpirti i një artisti të vërtetë të teatrit feston kur sheh një shfaqje të arrirë, është festë për shpirtin e secilit prej nesh nga publiku kur qajmë apo qeshim tek sa shohim një shfaqje të bukur. Sytë tanë shohin më shumë kur një shfaqje ngacmon me tema të thella dhe të rëndësishme, të shoqërisë sonë dhe devijimet që shkatërrojnë këtë botë të bukur. Në këtë kuptim, teatri nuk është vetëm një tempull arti, por është tempulli ku ne shërojm shpirtin e njeriut. Prandaj edhe teatri insiston të na bëj të qeshim e të qajmë, na mëson dhe na shëron prej më shumë se 15 shekujsh dhe jam e sigurt që kështu do të vazhdojë edhe në shekujt që do vijnë më pas, të ekzistojnë festivale teatrore të tilla si ky që e mbushin shpirtin e publikut dhe të artistëve. Këto gjashtë ditë të ftuarit nga Shqipëria, Bullgaria, Serbia, Kosova, Kroacia dhe Bosnja e Hercegovina, i falënderojmë që arritën të vijnë në Maqedoni në këtë vit të rrezikshëm pandemik. Edicioni i radhës i festivalit ndërkombëtar Skupifestival spikati me shfaqje të teatrove kombëtare, por edhe nga grupe teatrore të pavarura nga rajoni. Ndoqëm këndvështrime të ndryshme regjisoriale, aktrim, botëkuptime të ndryshme për përditshmërinë tonë të cilat zgjuan emocione të ndryshme tek publiku. Detyra nuk ishte e lehtë që gjatë këtyre gjashtë ditëve të shohim shtatë shfaqje dhe të marrim një vendim për çmimin e vetëm që e jep ky festival, çmimin për shfaqjen më të mirë. Këtë vit ne si juri shkëmbyem mendime me kënaqësi, dhe mund të them se është gjë e rrallë që jemi kompakte në mendimet tona. Por këtë herë me të vërtetë ndodhi kështu. Prandaj për shkak të konceptit regjisorial të fortë dhe estetikës bashkëkohore, që tregon një drejtim të ri në shprehjen teatrore ballkanike dhe që është në një hap me teatrin europian duke vepruar në fushën e teatrit total, duke përdorur muzikë, dramë, vallëzim dhe video, një lojë aktoriale që i zhvendos kufijtë, por duke përfshirë këtu edhe reagimin e publikut, njëzëri vendosëm që titullin për shfaqje më të mirë të Skupi fest 2020 t’ia japim shfaqjes Zgjimi i Pranverës nga Frank Vedekind i teatrit kombëtar të Prishtinës dhe në regji të Zana Hoxhës dhe në produksionin e pavarur Art Plus nga Kosova dhe teatrit kombëtar i Kosovës”, thuhet në deklaratën e përbashkët të Jurisë së Festivalit.

Me shpalljen e fituesit edhe u mbyll edicioni i 14-të i FNT Skupifestivalit 2020. Tërë aktiviteti i programit të festivalit u mbajt sipas protokollit për Kovid 19, dhënë nga Ministria e Kulturës së Republikës së Maqedonisë së Veriut. (koha.mk)

Comments are closed.