Me Serbinë u nënshkrua, me Kosovën më vonë!

Në MPB, edhe pse para bashkëpunimit me Serbinë kishin paralajmëruar marrëveshje edhe me Kosovën, asgjë konkrete deri më tani nuk është ndërmarrë. Zëdhënësi i MPB-së, Toni Angellovski pranon se ka iniciativë për “One stop shop” edhe me Kosovën, por se procesi pritet të zgjat pak më shumë, ndërsa me Shqipërinë po punohet për aplikim praktik

Omer XHAFERI

Shkup, 21 gusht – Me qëllim të përmirësimit të lëvizjes së qytetarëve dhe tregtisë dhe lehtësimit të komunikacionit përmes kufirit shtetëror mes Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, dje në Shkup u nënshkruan protokolle të posaçme për implementimin e Marrëveshjes për vendosje të kontrolleve të përbashkëta në vendkalimin kufitar për komunikacion ndërkombëtar rrugor Tabanoc-Preshevë, mes institucioneve kompetente të të dy vendeve, shkruan gazeta KOHA.

Siç kumtoi MPB, nënshkrimi i protokolleve pason pas parafimit të Marrëveshjes mes qeverive të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Serbisë në Beograd më 12 korrik për vendosje të kontrolleve të përbashkëta në vendkalimin kufitar për komunikacion rrugor ndërkombëtar Tabanoc-Preshevë nga ana e ministrit Oliver Spasovski dhe kolegut të tij serb, Nebojsha Stefanoviq.

Gjatë nënshkrimit të protokolleve, delegacionet i kryesonin sekretarët shtetërorë të të dy ministrive, Magdalena Nestorovska dhe Milosav Miliçkoviq. “One stop shop është projekt me të cilin jemi posaçërisht krenar dhe sinqerisht shpresoj se ky do të jetë shembull i mirë për të gjitha shtetet në rajon. Nënshkrimi i protokolleve për zbatimin e Marrëveshjes mes Qeverive të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Serbisë për kontrolle të përbashkëta në vendkalimin kufitar për komunikacion rrugor ndërkombëtar është dëshmi se fuqitë e përbashkëta, bashkëpunimi dhe përfshirja e institucioneve në fund rezultojnë me sukses i cili do të jetë në dobi të qytetarëve të të dy shteteve”, tha Nestorovska.

ME KOSOVËN ZGJATEN PROCEDURAT

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme, edhe pse paralelisht me bashkëpunimin me Serbinë kishin paralajmëruar edhe me Kosovën, asgjë konkrete deri më tani nuk është ndërmarrë. Zëdhënësi i MPB-së, Toni Angellovski pranon se ka iniciativë për “One stop shop” edhe me Kosovën, por se procesi pritet të zgjat pak më shumë, ndërsa me Shqipërinë po punohet për aplikim praktik.

“Punojmë në arritjen e marrëveshjeve të këtilla edhe me shtetet tjera përveç me Serbinë. Me këtë projekt qytetarëve ua lehtësojmë qarkullimin, për arsye se nuk presin në dy pika kufitare por vetëm në një. Projekti ‘On stop shop’ me Republikën e Shqipërisë tanimë është në implementim dhe punojmë në vendosjen e tij në aplikim praktik në pikën kufitare në Qafëthanë. Ndërsa sa i përket Kosovës, ka iniciativë për arritjen e një marrëveshje të tillë. Më shumë institucione janë përgjegjëse për pikat kufitare, kështu që edhe procesi zgjatet”, deklaroi për gazetën KOHA, zëdhënësi Toni Angellovski.

Ndryshe, drejtori i Drejtorisë së Doganave, Gjoko Tanasoski shprehi kënaqësi nga nënshkrimi i protokolleve të djeshëm me Serbinë, duke potencuar se bashkëpunimi më i afërt mes shërbimeve rezulton me zbulim më të suksesshëm të aktiviteteve ilegale tejkufitare, e me atë shtohet siguria.

ÇFARË NËNKUPTON KONTROLLI “ONE-STOP SHOP”

Koncepti i kontrolleve të përbashkëta kufitare dhe kontrolleve kufitare me një ndalje (One-stop shop), do të thotë procedura më të thjeshta, të cilat zbatohen në një vend të përbashkët kufitar, gjatë numrit minimal të ndaljeve sipas mundësisë thjesht ndalje, përmes të cilit kontrolli i udhëtarëve, mallrave dhe mjeteve të tyre transportuese kryhet vetëm një herë në një vend.

Me zbatimin e konceptit të kontrollit të përbashkët arrihet harmonizim më i madh dhe lehtësohet kalimi i udhëtarëve, mallrave dhe mjeteve transportuese në trafikun rrugor, si dhe gjësendet të cilat udhëtarët e mbajnë me vete. Në kontrollet kufitare, kryesisht janë përfshirë organet të cilat janë përgjegjëse për kontroll të lëvizjes së personave, mallrave dhe mjeteve transportuese, si dhe zbatimin e formaliteteve doganore me qëllim që të zbatohen dispozitat në fuqi. Përkohësisht, sipas nevojës përfshihen edhe organe të tjera kompetente për zbatimin e dispozitave tjera ligjore nga interesi dhe vlera për shtetin dhe qytetarët, siç janë në fushën e shëndetit publik. (koha.mk)