Shkup, 29 maj – Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë ende funksionojnë grupet e njëjta të deputetëve. Ndryshim nuk ka, por pas të premtes, kur është caktuar seanca për zgjedhje të anëtarëve të rinj të Qeverisë, duhet të priten, duke marrë parasysh se krahu i BESË-s i kryesuar nga Afrim Gashi dhe tre deputetë bëhen pjesë e shumicës qeveritare.
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi tha se zyrtarisht deri më sot nuk ka marrë letër se grupi i deputetëve është ndarë. Nga e premtja, ata, sipas tij, hipotetikisht nuk mund të funksionojnë si grup i deputetëve. Nëse megjithatë vendosin të mbeten në një grup deputetësh, thekson Xhaferi, do të jetë diskutabile funksionimi i tyre.
Deputeti i BESË-s, Fadil Zendeli nga krahu i Bilall Kasamit, tha se ai dhe kolegia e tij deputete tashmë janë prononcuar se në Kuvend do të veprojnë si opozitë.
“Lidhur me grupin parlamentar teknikisht edhe formalisht ende ne dy deputetët jemi pjesë e strukturave. Tre kolegë tanë sigurisht individualisht do të prononcohen për pozicionin e tyre”, tha Zendeli duke theksuar se ata duhet të prononcohen për veprimin e tyre politik.
Në Kuvend si opozitë pas seancës të premten do të veprojnë Koalicioni i kryesuar nga VMRO-DPMNE , të cilën gjithashtu e kanë braktisur disa deputetë, dy deputetë të BESË-s dhe dy të Aleancës për shqiptarët.