Shkup, 3 prill – Kontroll i shpenzimeve dhe shpërndarje e drejtë e parave publike, avancimi i punësimit, rritja e produktivitetit të kompanive dhe investimi në inovacione, investimi në kapital njerëzor, arsim, shëndetësi dhe sociale janë vetëm një pjesë e rekomandimeve për rritje të drejtë që sot ishin theksuar në konferencën e dytë vjetore të cilën Ministria e Financave e organizoi me rastin e Ditës së Buxhetit.
Sipas ministrit të Financave Dragan Tevdovski, nuk mjafton vetëm që të krijohen politika të cilat do të krijojnë rritje të Bruto prodhimit vendor, por nevojitet edhe që frytet e rritjes të shpërndahen drejtë me çka do të rritet standardi jetësor te të gjithë qytetarët, e jo vetëm të një pjese e vogël e tyre.
“Si shoqëri kemi detyrim që të kujdesemi për qytetarët të cilët jetojnë në varfëri. Nevojitet reformë sociale, me të cilën vendosen të ardhurat minimale adekuate. Me këtë do të bëhemi vendi i parë në rajon i cili e zbaton këtë program për tërheqjen nga varfëria. Investojmë në themelet e shoqërisë – arsimin publik dhe shëndetësinë. Dëshirojmë që fëmijët tanë në të ardhmen maksimalisht të shfrytëzojnë potencialin e tyre. Vetëm kështu ata do të kenë të ardhme më të mirë”, tha Tevdovski, duke shtuar se janë ndërmarrë edhe një varg reformash për përmirësimin e sistemit të financave.
Për rektorin e Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë, Abdulmenaf Bexheti, në Maqedoni ka mungesë të vetëdijes fiskale se shpenzohen para publike, ndërsa siç tha, nuk e inkurajon as veprimin e Qeverisë që t’i paguaj shpenzimet e komunave. Sipas Bexhetit edhe sot ka shfrytëzues të buxhetit të cilët në mënyrë joracionale kanë të bëjnë me paratë publike dhe nevojiten mekanizma që të kontrollohet shpenzimi i parave publike.
“Ende ka kryetarë komunash, drejtorë të shtëpive të kulturës, të teatrove të institucioneve të cilat marrin para publike, ndërsa sillen si ato të jenë paratë e tyre. Duhet të krijohet disiplinë fiskale”, tha Bexheti, duke shtuar se ndërmarrjet publike sillen si “zorrë qore” e pushtetit qendror.
Institucionet ndërkombëtare vlerësojnë se është bërë progres në shtetet e Ballkanit Perëndimor, por se nevojitet edhe shumë punë që të arrihet rritje e drejtë. Vendeve të Ballkanit Perëndimor, thonë nga institucionet ndërkombëtare, iu nevojiten pesë dekada që të mund ta arrijnë mesataren aktuale evropiane të standardit jetësor të qytetarëve.(koha.mk)