“Lidhja e komunistëve nuk duhet të lejojë që përdorimi i flamujve të kombësive të bëhet për shprehjen e tendencave nacionaliste. Këtë e theksojmë për shkak të asaj se në qytet, gjatë vendosjes së flamujve, vërehen njerëzit të cilët kanë raporte të këqija me rregullimin socialist e me ligjet e këtij vendi. Flamujt që ata i vendosin nxisin një revoltë më të ashpër edhe te shqiptarët, për shkak se flamuri kombëtar keqpërdoret për qëllime të papastra…”
Nga Qerim LITA
Me rastin e këtij përvjetori me peshë historike, e pashë të arsyeshme që përmes gazetës shqiptare KOHA – Shkup, të bëjmë shpalosjen e një pjesë të stenogramit nga mbledhja e jashtëzakonshme të Konferencës Komunale të LKM-Tetovë, mbajtur më 27 dhjetor 1968, në të cilën përveç udhëheqjes komunale morën pjesë edhe udhëheqës të lartë partiak e shtetëror si Angell Çemerski, sekretar i Sekretariatit të KQ të LKM-së, Hysen Ramadani, anëtar i Sekretariatit të KQ të LKM-së, Hixhet Ramadani, nënkryetar i Kuvendit të RSM-së, Qamuran Tahir, nënkryetar i Këshillit Ekzekutiv (Qeverisë) së Maqedonisë etj. Shpalosja e pjesërishme të dokumentit bëhet për shkaqe teknike (i njëjti numëron rreth 100 faqe), ku përparësi u dhamë fjalimeve të tre funksionarëve të lartë komunistë shqiptar: Xhemali Veseli, kryetar i Konferencës komunale të LKM të Tetovës, Hysen e Hixhet Ramadani.
XHEMAIL VESELI: Menjëherë pas ngjarjeve të 22 dhjetorit, në mbrëmje u mbajt mbledhje e zgjeruar e Kryesisë së Konferencës Komunale të LSPP-së në të cilën u shqyrtua gjendja e krijuar dhe u soll konkluzioni që të zbulohen urgjentisht iniciatorët e trazirës. Mirëpo, masat që u ndërmorën nga udhëheqjet e organizatave shoqërore-politike dhe të organeve kompetente të sigurimit publik u treguan si jo mjaft efikase, sepse menjëherë pas kësaj ngjarje erdhi te demonstratat më të mëdha. Para shpërthimit të demonstratave, një pjesë e aktivit politik të komunës duke e vlerësuar rëndimin e situatës pas ngjarjeve të 22 dhjetorit, u përpoq që përmes intervenimeve personale të pamundësojë mbajtjen e demonstratave. Edhe gjatë rrjedhës së demonstratave u bënë përpjekje që të njëjtat të mos marrin karakter rrënues. Të njëjtën ditë u mbajt mbledhje e përbashkët e udhëheqjeve të organizatave shoqërore-politike, në të cilën u analizua e vlerësua karakteri i demonstratave, u përcaktuan detyrat konkrete për përqendrimin e aktivitetit shoqëror-politik dhe u sollën konkluzione. Në mbledhje u vlerësua njëzëri se demonstratat përbëjnë vepër të organizuar të elementeve armiqësore reaksionare, qëllimi i të cilëve është i përqendruar kundër integritetit i RSM-së dhe RSFJ-së, kundër vëllazërim bashkimit të popujve tanë, kundër rregullimit shoqëror vetëqeverisës e demokratik.
Pas kësaj mbledhje, në mbarë territorin e komunës filloi zhvillimi i aktivitetit të gjallë e intensiv, në të cilin përveç anëtarëve të LK-së, qenë përfshirë edhe njerëz punëtorë e qytetarë. Në këto mbledhje bëhej përpjekje të sqarohen ngjarjet e të mobilizohen njerëzit punëtor në realizimin e konkluzioneve nga mbledhja e përbashkët të udhëheqjeve të organizatave shoqërore-politike.
Duhet të vihet në pah, se në të gjitha mbledhjet e mbajtura u mbështetën njëzëri e parezervë konkluzionet nga mbledhja e përbashkët, iu dha dënimi i ashpër elementeve anti-socialiste e armiqësore, u shtruan kërkesa për marrjen e masave urgjente e energjike kundër organizatorëve të demonstratave. Njëkohësisht, u shpreh gatishmëria e plotë për përfshirjen e përpjekjeve për realizimin si të konkluzioneve të përmendura, po ashtu edhe të Konkluzioneve të Sekretariatit të KQ të LKM-së për disa probleme aktuale në zbatimin e politikës së çështjes nacionale në RS të Maqedonisë.
Në organizatat punuese shtrohen edhe kërkesa për përjashtimin nga puna të organizatorëve e pjesëmarrësve të demonstratës. Në disa tubime, nga disa individë ka pohime pas së cilave fshehin qëllimet e demonstratave, të njëjtat të tregohen jo si një akt armiqësor e sulm të drejtpërdrejtë ndaj rregullimit demokratik e vetëqeverisës shoqëror, por si protestë e kombësisë shqiptare kundër heqjes së flamurit nga një shitore. Shkohet deri atje, saqë deklarohen edhe kundër ndërmarrjes së masave administrative, duke e përshkruar ngjarjen në një formë më ndryshe nga ajo e cila u paraqit, përkatësisht si fryt i reagimit spontan, naiv. Bartës të pohimeve të këtilla janë disa punëtorë të arsimit nga kombësia shqiptare e disa të rinj që duhet zbardhur shpejt e në mënyrë energjike. Në tërë këtë aktivitet, te disa maqedonas vërehen dukuri të shovenizmit maqedonas, i cili shprehet në një mosbesim të plotë në kombësinë shqiptare, duke bërë përpjekje që tërë kombësia shqiptare të identifikohet me organizatorët. Botëkuptimet e këtilla të pohuara, mund të paraqesin pengesë serioze në realizimin e politikës së LKM-së për çështjen nacionale nëse nuk ndërmerren me kohë masa energjike.
Në tërë këtë, vëmendje të posaçme meriton çështja e përdorimit të flamujve të kombësive shqiptare e turke në këtë territor, sepse pikërisht kjo tregohet si shkas i drejtpërdrejtë dhe arsyeja e vërtetë për demonstratat. Mundësia e dhënë kombësisë shqiptare e turke për përdorimin e flamujve të tyre kombëtar, si shprehje e sentimentit nacional është element, i cili flet për barazi të plotë të kombësive në vendin tonë. Njëherit, ajo përbën politikën e LK-së dhe nuk guxohet të ketë dilema në këtë. Përveç kësaj, në territorin tonë, te disa maqedonas vërehen mosmarrëveshje e rezistenca në lidhje me përdorimin e flamujve të kombësive, duke e kuptuar këtë si përpjekje kah seperatizmi. Gjithashtu, janë vërejtur raporte të tilla kah përdorimi i flamujve të kombësive, të cilat flasin si shprehje e shovinizmit e nacionalizmit maqedonas, që meriton dënim të gjithanshëm.
Lidhja e komunistëve nuk duhet të lejojë që përdorimi i flamujve të kombësive të bëhet për shprehjen e tendencave nacionaliste. Këtë e theksojmë për shkak të asaj se në qytet, gjatë vendosjes së flamujve, vërehen njerëzit të cilët kanë raporte të këqija me rregullimin socialist e me ligjet e këtij vendi. Flamujt që ata i vendosin nxisin një revoltë më të ashpër edhe te shqiptarët, për shkak se flamuri kombëtar keqpërdoret për qëllime të papastra. Duke i nxjerrë në pah pasojat që ndodhën e që do të ndodhin në këto ngjarje në komunë, nuk do të ishim objektiv nëse nuk e vëmë në pah se demonstratat me karaktere e qëllime, ashtu siç i patën ata, lënë pasoja shumë negative në lëvizjen e përgjithshme shoqërore. Në radhë të parë, me një vëmendje të posaçme dua të pohoj se u krijua një atmosferë e marrëdhënieve të acaruara, të cilat mund të reflektojnë në planin më të gjerë të marrëdhënieve midis maqedonasve e shqiptarëve.
Ky moment i ndërlikon detyrat e LK-së në periudhën e ardhshme, për arsye se për çdo anëtar të LK-së nuk guxon të ekzistojë dilema në vendosmërinë e realizimit të mëtutjeshëm të politikës së barazisë së kombësive, sepse “për LK-në qëndrimi i drejtë i vetëm mund të jetë vetëm ai, i cili i respekton ndjenjat nacionale të secilit individ”. Në këtë relacion, para organizatës së LK-së, u paraprin detyra voluminoze e serioze, për të cilat gjithsesi se do të bëhet fjalë në projekt-konkluzionet të cilat duhet t’i miratojë Konferenca.
Këtu dua të vë në dukje vetëm një çështje, për të cilat duhet të angazhohemi në mënyrë të veçantë e ajo angazhimi energjik i LK-së për ngritjen e përgjegjësisë në radhët e veta dhe veprimin për ekzistimin e përgjegjësisë te secili individ e te të gjitha institucione, sepse kjo është parakusht për normalizimin e gjendjes dhe realizimin e detyrave të ardhshme.
(VIJON NESËR)