Se si Maqedonia, Mali i Zi , Bosnja e Hercegovina e të tjera u zhvilluan më tepër se sa Kosova, mendojmë se çdo gjë është e ditur. Maqedonia u zhvillua me pretekstin se gjoja ekzistojnë presione nga Bullgaria, Mali i Zi duhet të zhvillohet si vend malor, por realiteti nuk është i tillë, kur dihej se ato duhet të zhvilloheshin si republikat tjera. Këtu mund të themi haptas dhe pa ndonjë lloj animi të vërtetën siç na ngjanë neve komunistëve dhe luftëtarëve të vërtetë, dhe gjërave reale të mos u japim drejtime të tjera, të mos përdorim sharje dhe fyerje dhe epitete të tjera më të këqija siç janë: klasifikimet nacionaliste, shoviniste, irredentiste, separatiste dhe shumë të tjera joreale , siç bëjnë disa që dëshirojnë të gërryen realitetin e qartë
Nga Qerim LITA
Më 11 mars të këtij viti mbushën plotë dyzet vjet nga shpërthimi i demonstratave studentore në Kosovë, të cilat më pas morën karakter mbarëkombëtar. Siç është e njohur udhëheqja komuniste jugosllave në të cilën merrte pjesë edhe ajo kosovare, ato demonstrata i kualifikoi si “kundërrevolucion me tendenca armiqësore, nacionaliste e irredentiste”. Si rrjedhojë e një vlerësimi të tillë, ndërmjet datës 2-3 prill 1981 në Prishtinë u vendosën mira forca policore e ushtarake jugosllave, të cilat ndërhynë brutalisht ndaj demonstrueseve shqiptarë, të cilët në mënyrë paqësore i shprehnin kërkesat e tyre nacionale. Në një dokument i cili konsiderohej si “sekret shtetëror”, thuhej se vetëm në Prishtinë ishin stacionuar mbi 3.500 forca policore dhe dy divizione të APJ-së. Më tej dokumenti vinte në pah se gjatë aksionit të zhvilluar midis 1-3 prillit forcat ushtarako-policore jugosllave kishin vrarë 8 (tetë) demonstrues, plagosur 75 të tjerë, 807 vetë ishin arrestuar, ndaj 28 prej tyre ishte zhvilluar procedurë e shpejtë hetimore, ndërsa ndaj 698 personave tjerë ishte ndërmarrë masa disiplinore.
Përderisa në Prishtinë e nëpër qendra tjera të Kosovës, zbatohej një terror dhe krim i paparë ndaj shqiptarëve të pambrojtur, në anën tjetër udhëheqja politike kukull e Kosovës, vazhdonte ta propagandoj politikën mashtruese të “vëllazërim bashkimit”, që sipas tyre “armiqtë e jashtëm e të brendshëm dëshirojnë ta përmbysin atë”. Ndër ta duhet veçuar Fadil Hoxhën, i cili në fjalimin e mbajtur më 3 prill 1981 para aktivit politik të LK të Prishtinës, veç tjerash përdori një fjalorë tepër brutal e ofendues kundër demonstruesve dhe mbështetësve të tyre, duke i quajtur ata si “plehu i Kosovës”, “hajna të Kosovës”, “fëlliqësira të Kosovës”, “Bira e minit 300 grosh” etj. Fjalimi i tij u transmetua drejtpërsëdrejti nga të gjitha stacionet e RTV të Jugosllavisë, për çka pasuan reagime të shumta nga organizatat e atëhershme ilegale, shoqërisë civile, intelektualët dhe veprimtarët e shquar shqiptarë etj. Me rastin e këtij përvjetori e pamë të arsyeshme, që përmes gazetës shqiptare KOHA – Shkup, ta publikojmë letrën me titull “Kush e nxiti nacionalizmin në Kosovë dhe tek shqiptarët në Jugosllavi”, e cila më 12 maj 1981, kishte arritur në adresë të Komitetit Qendror të LKJ-së dhe të Komitetit Krahinor të LK të Kosovës në Prishtinë, pas së cilës qëndronin “fshatarët, punëtorët dhe intelektualët e Kosovës”. Origjinali i letrës gjendet në Arkivin e Jugosllavisë në Beograd, fondi KQ i LKJ-së (507), ndërsa një kopje e saj gjendet edhe në Arkivin e Sllovenisë në Lubjanë, fondi KQ LK të Sllovenisë (1589).
* * *
“KOMITETI QENDROR I LKJ- KRYESIA
NR.5 Rreptësishtë e besueshme 3/41
Beograd, 15 maj 1981
ANËTARËVE TË KRYESISË SË KQ TË LKJ-së
ANËTARËVE TË KRYESISË SË RSFJ – së
Me urdhër të kryetarit të Kryesisë së KQ LKJ-së , u dërgojmë Juve gjerësisht letrën anonime të “fshatarëve, punëtorëve dhe intelektualëve të Kosovës”
Përkthimi është bërë në shërbimin e KEF-it për çështje të përkthimeve
SHEFI I KABINEIT
Sllavko Toshiq
Komitetit Krahinor të LKK-së Prishtinë
Kryesisë së Komitetit Qendror të LKJ-së Beograd
KUSH E NXITI NACIONALIZMIN NË KOSOVË DHE TEK SHQIPTARËT NË JUGOSLLAVI
Kur bëhet fjalë për zhvillimet e majit dhe të prillit të këtij viti, do të ishte kjo një problematikë specifike e karakterit të ndërlikuar. Arsyeja që po u paraqitemi në këtë mënyrë është e shumëfishtë, por në radhë të parë janë fyerjet dhe sharjet që i bëhen popullit shqiptar duke i futur gjërat në një thes – duke mos e dalluar të mirën nga e keqja. Sipas kësaj në këtë adresë bëhen fyerje të hatashme, duke nisur nga udhëheqja jonë në krahinë, nga ato më të larta deri tek ato federative me një frymë nacionalizmi dhe kundërrevolucioni, sikur të kemi zbritur nga Merkuri dhe gjërat nuk i njohim dhe nuk i dimë ose bëhemi sikur ato nuk i njohim duke mos thënë të vërtetën. Pse të mos thuhet e vërteta, por kamuflohet në këtë mënyrë? Dihet mirë se sot jetojmë në një kohë dinamike dhe të civilizuar dhe me plot probleme të ndërlikuara. Inteligjenca nuk ka lindur në Kosovë nga qielli dhe tek shqiptarët në Jugosllavi, por ajo u zhvillua në tërë Jugosllavinë dhe gjatë rrjedhave të revolucionit në mënyrë të barabartë për të gjitha viset e Jugosllavisë, si në ato të zhvilluara ashtu edhe në ato të pazhvilluara, si në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Bosnjë e Hercegovinë, në Serbinë Jugore etj. Një gjë e këtillë sot ka përfshirë tërë kontinentet, të gjithë popujt e botës. Prandaj, sot janë të theksuara betejat (luftërat) për çlirim kombëtar nga shtypja kombëtare, çështje të cilën ne e kemi mbrojtur dhe e mbrojmë në mënyrë konsekuente, moralisht dhe materialisht.
Njëkohësisht, arritjet e këtilla janë për tërë popujt e Jugosllavisë, diku më shumë e diku më pak, ndërsa ende më pak në Kosovë, duke e krahasuar me Maqedoninë e paraluftës dhe të sotshmen, e cila nuk ka qenë aspak në pozitë më të mirë se ajo e Kosovës. Prandaj, këto dhe fakte të tjera flasin për një zhvillim jo të harmonizuar, që ka ndikuar thellë tek kosovarët, jo vetëm tek studentët, por edhe të të gjithë qytetarët e tjerë të Kosovës. Kështu që si rezultat i këtyre pakënaqësive të reja të zhvillimit ekonomik në Kosovë, janë edhe demonstratat. Në lidhje me këtë po paraqesim disa hollësi siç janë: bursat prej 800 dinarë, shtëpia e studentëve me shtretër trekatësh sikur të jenë ushtarë, banimi private me qira sipas mëshirës së qiradhënësve, mensa sikur të jenë kampe përqendrimi etj. Ndërsa shokët e tyre nga republikat tjera kanë bursa me lartësi prej 3000 dinarësh, që te ne as punëtori nuk e ka aq rrogën.
Pastaj vijojnë problemet tjera sociale të kësaj popullate në Kosovë- por të mos trajtohet kjo çështje vetëm tek shqiptarët, por për të gjithë qytetarët e Kosovës (shqiptarëve, serbëve, malazezëve, turqve, romëve dhe të tjerëve), sepse menjëherë do të merrte ngjyrën e nacionalizmit, ku papunësia dhe varfëria është ndër më të mëdhatë në Jugosllavi. Të marrim për shembull standardin e fshatarëve në disa komuna të vogla sikurse janë :Vitia, Klina, Gllogoci (Drenasi – Q.L.), Podujeva, Serbica (Skënderaj -Q.L.), Dragashi dhe të tjera, ku sigurisht mesatarja e të cilëve nuk do të kalonte as 180 dollar për anëtar familje në vjet. Prandaj pse të mos flasim haptas me gjuhën dhe zemrën e komunistëve, por i demantojmë gjërat dhe u japim ngjyrën e nacionalizmit, irredentizmit, armiqësisë, kundërrevolucionit, separatizmit, dhe të termave të tjerë të pazgjedhur.
Po kush i bënë shtrat krijimit të nacionalizmit tek shqiptarët, të flasësh rreth kësaj dukurie është e pamundur pa i përmendur të kaluarën historike, gjë që ka qenë antishkencore dhe antikomuniste. Këtu nuk mendojmë që të ndalemi në gjëra të imta, sepse do të ishte e tepërt, por në vija të shkurta dhe themelore që të gjithë ne i kemi të njohura. Ne shqiptarët si popull autokton jetojmë me popujt sllav (serbët, malazezët dhe maqedonasit e të tjerë) të cilët kanë ardhur nga Baltiku që nga shekulli i VI i erës së re edhe të mirën edhe të keqen e kemi ndarë bashkë, dhe do ta ndajmë bashkë dhe bashkërisht, si miq dhe si fqinj. Por e kaluara e ka bërë të vetën, që pas largimit të ariut të madh dhe të sëmurë të Bosforit (Turqisë) gjërat menjëherë u zbuluan. Kështu nisi lufta për dominim dhe hegjemoni tek fqinjët, nisën luftërat vëllavrasëse dhe luftërat shumë të ashpra midis tyre, ashtu siç na i bën të ditur historia. Luftëra të cilat ishin të shprehura në të gjitha aspektet, por jo nga shqiptarët- sepse ata vetëm mbroheshin nëpër shtëpitë e tyre, por nga populli serb dhe malazez në Kosovë, Mal të Zi dhe në Maqedoni.
Vetëm në vitin 1913 janë vrarë 13.000 shqiptarë e këtu me radhë. Formimi i shtetit SKS-së, shqiptarëve, maqedonasve, myslimanëve nuk u solli lirinë por dhunën dhe terrorin- por më së shumti shqiptarëve. Qëllimi nacionalist dhe shovinist ka qenë që shqiptarët të dëbohen nga trojet e tyre, të asimilohen, por një gjë e këtillë nuk u arrit. Për një gjë të këtillë kanë folur humanistët e njohur serb siç janë: Dimitrie Tucoviq, Kosta Novakoviq e të tjerë. Kanë folur në mënyrë njerëzore dhe komuniste për të gjithë popujt edhe komunistët dhe revolucionarët serb Svetozar Markoviq, Vasa Pelagriq e të tjerë. Ndoshta sipas mendimit të disave edhe këta kanë qenë kundërrevolucionarë dhe armiq, të cilët kanë ngritur zërin e tyre kundër hegjemonizmit dhe padrejtësive të borgjezisë në ish Jugosllavi? Ose, po të marrim për shembull vitin 1917-1918, kur borgjezia serbomadhe thurte plane për dhunë morale ndaj familjeve të grave shqiptare nga ana e xhandarmërisë. Pastaj vjen lufta heroike e Drenicës në fshatin Prekaz nga ana e Ahmet Delisë, i cili e dha jetën e vet me sopat në dorë duke mbrojtur moralin dhe nderin e tij.
Luftëra të këtilla ka pasur pa numër tek shqiptarët, maqedonasit- gjatë kohës së Turqisë siç janë të njohura kryengritjet fshatare para dhe pas periudhës së Ilindenit. Ndoshta ndonjë do të pohonte se edhe këto luftëra kanë qenë të pandershme, nacionaliste e kështu me radhë? Ose për shembull në vitin 1924 kur Kosova rrethohet me topa dhe tanke që të mbahet nën zgjedhë, me ç’rast bëhen pushkatime, maltretime, persekutimet më të mëdha në historinë e kësaj hapësire nga borgjezia serbomadhe. Ose nëse marrim si shembull Vaso Çubriloviqin i cili e nxori tërbimin e tij në artikullin e vet të njohur “Mënyra e dëbimit të arnautëve nga Kosova”, artikull të cilin e gjejmë në të gjitha arkivat historike jugosllave. Por edhe më shumë habit fakti kur i njëjti njeri pas LNÇ-së merr titullin akademik dhe pensionohet si shef i katedrës së historisë në Beograd. Ndoshta këto fakte nuk u janë të njohura dhe mos vallë janë të mira? Pastaj shtrohet pyetja se prej nga lindi nacionalizmi dhe shovinizmi para lufte tek shqiptarët në Jugosllavi? Rreth kësaj nuk duhet menduar shumë sepse ai lindi si reaksion ndaj borgjezisë dhe hegjemonizmit serbomadh. Me futjen e idesë së revolucionit socialist jugosllav me frymëzimin dhe udhëheqjen e shokut Tito u gëzuan të gjithë popujt në Jugosllavi por më së shumti ata popuj të cilët kanë qenë më të shtypur siç janë: shqiptarët, maqedonasit, myslimanët e të tjerët, ndërsa më së shumti shqiptarët, sepse ata kanë qenë shumë më të shtypur dhe të ekspozuar se sa të tjerët. Sipas kësaj, idetë e revolucionit tonë, jo vetëm që u pranua menjëherë nga shqiptarët dhe të tjerët, por u bënë ideale të arta për pavarësi dhe liri kombëtare, dhe që lindën dhe kalitën në luftën e përbashkët me të gjitha kombet dhe kombësitë e tjera të Jugosllavisë.
LNÇ-ë dhe ngadhënjimi i revolucionit. Ideja e shokut Tito për çlirim kombëtar, jo vetëm që u përkrahën, por u pranuan me kënaqësi të madhe nga ana e të gjithë kombeve dhe kombësive të Jugosllavisë. Nuk është i panjohur për të gjithë ne thirrja që e bëri shoku Tito në vitin 1942 për luftë të përbashkët, duke theksuar se “revolucioni do të kontribuojë për të barabartë të të gjithë kombeve dhe kombësive, dhe se nuk do të ketë popuj të vegjël dhe të mëdhenj”. Kjo ishte një thirrje që i pushtoi të gjitha zemrat e popujve tanë në luftë të përbashkët heroike si një vëlla.
Kështu kanë luftuar edhe shqiptarët bashkë me popujt e tjerë të Jugosllavisë nga Gjevgjelia deri në Maribor. Nuk është i panjohur as Fronti i Sremit, as ai i Novi Beçejit, nuk janë të panjohura luftërat e shqiptarëve për çlirimin e Bosnjë e Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë, që më në fund t’i bashkëngjitet frontit të luftës nacionalçlirimtare kundër kundërrevolucionarëve dhe bashkëpunëtorit të ngushtë të fashistit Shatorov. Edhe gjatë luftës ka pasur manifestime të urrejtjes nacionale nga ana e elementeve të infiltruar nga ana e nacionalistëve dhe çetnikëve serb, siç ka qenë pushkatimi i 3000 luftëtarëve shqiptarë në Tivar për një tas ujë, ose siç thotë një fjalë e urtë popullore shqiptare “Behania e çervishit për një lugë tlyen” .
Por këto kanë qenë ngjarje nga lufta dhe nuk duam të përqendrohemi tepër në këto ngjarje janë të njohura motivet. Me rëndësi është se revolucioni socialist triumfoi, dhe para vetes kishte strukturën e karakterit socialist, karakterin social dhe nacionalçlirimtar për të gjithë kombet dhe kombësitë e Jugosllavisë, të cilët luftuan bashkërisht si një vëlla i vetëm nën udhëheqjen e kolosit Josip Broz Tito. Periudha pas çlirimit. Në lidhje me këtë nuk duam të ndalemi aq shumë, por do të jemi sa më konciz dhe konkret. Dihet se revolucioni socialist jugosllav është fryt i të gjithë kombeve dhe kombësive të Jugosllavisë, të cilët luftuan bashkërisht dhe se askujt nuk i është dhuruar liria, dhe se ajo është fituar me derdhjen e gjakut nga ana e të gjithë kombeve dhe kombësive të Jugosllavisë. Kështu periudha pas çlirimit në fillim është manifestuar me një pajtim të sinqertë dhe pa kurrfarë urrejtje ndërmjet të gjitha kombeve dhe kombësive të Jugosllavisë. Filloi ndërtimi i vendit me aksione vullnetare të rinisë dhe të të gjithë qytetarëve të Jugosllavisë. Nisi lufta për zhdukjen e analfabetizmit në të gjitha viset e Jugosllavisë dhe shumë gjëra të tjera.
Gjithashtu nisi të zbatohet teoria e Boris Kidriqit për zhvillimin e barabartë të viseve të Jugosllavisë, ashtu që shoku Boris Kidriq ishte i mendimit se viset që ishin më të zhvilluara të kenë më pak investime ( të ngadalësohen) deri sa të zhvillohen të pazhvilluarit. Kjo ishte teori e drejtë në frymën e revolucionit tonë dhe derdhjes së barabartë të gjakut të kombeve dhe kombësive tona, në frymën e marksizmit, e cila teori parashihte që pas 17 vjetësh të eliminohen dallimet ndërmjet të zhvilluarve dhe të pazhvilluarve, kështu që në vitin 1964 të ishin eliminuar tërësisht të gjitha dallime ndërmjet të zhvilluarve dhe të pazhvilluarve.
Por kjo u hoq nga rendi i ditës gjoja me pretekstin e presionit të armikut të brendshëm dhe nga ana e Byrosë informative e kështu me radhë. Por në fakt pikërisht atëherë filloi dominimi i popujve më të mëdhenj ndaj më të vegjëlve dhe ndaj atyre më të pazhvilluarve filloj pabarazia nacionale dhe eksploatimi nga aspekti ekonomik, material dhe social. Kështu u krijua dominimi i popujve më të mëdhenj ndaj atyre më të vegjël, u krijua disproporcioni në zhvillimin ekonomik, material, kulturor, social e të tjera.
Se si Maqedonia, Mali i Zi , Bosnja e Hercegovina e të tjera u zhvilluan më tepër se sa Kosova, mendojmë se çdo gjë është e ditur. Maqedonia u zhvillua me pretekstin se gjoja ekzistojnë presione nga Bullgaria, Mali i Zi duhet të zhvillohet si vend malor, por realiteti nuk është i tillë, kur dihej se ato duhet të zhvilloheshin si republikat tjera. Këtu mund të themi haptas dhe pa ndonjë lloj animi të vërtetën siç na ngjanë neve komunistëve dhe luftëtarëve të vërtetë, dhe gjërave reale të mos u japim drejtime të tjera, të mos përdorim sharje dhe fyerje dhe epitete të tjera më të këqija siç janë: klasifikimet nacionaliste, shoviniste, irredentiste, separatiste dhe shumë të tjera joreale , siç bëjnë disa që dëshirojnë të gërryen realitetin e qartë.
A u zhvillua Vojvodina vetëm me bujqësinë- me drithërat dhe arriti këtë nivel që ka. Gjithsesi dihet se jo.
Mos vallë nuk dihet se burimet e Trepçës, të cilat bashkë me ato të Borit dhe të Zenicës e të tjerave kanë bartur barrën kryesore të zhvillimit të Jugosllavisë. Ndërsa Obiliqi, i cili prodhon me milionë dhe miliardë kilovat energji elektrike. Atëherë përse mbeti e prapambetur Kosova në aspektin zhvillimor nga Maqedonia, Serbia e Jugut, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina dhe të tjerat. Thënë realisht si mund të arsyetohet kjo? Këto probleme për ne komunistët nuk janë të panjohura si në republika ashtu edhe në Federatë. Këtë mund ta ilustrojmë edhe me fjalët e shokut Milije Kovaçeviq si një detaj provizor, të mbajtur në mbledhjen e fundit të Dhomës së republikave dhe krahinave të Kuvendit të Jugosllavisë , të mbajtur më 30 korrik të vitit 1979. Ja se ç’thotë ai në artikullin me titull “Shkaqet e prapambetjes së Kosovës kanë rrënjë ta thella”. Ai ndër të tjera vërtetoi se si më tepër se 30 vjet zvarriten problemet ekonomike dhe ndër të tjera pohon se “Shkaqet e vërtetë të prapambetjes dhe paraqitjes së vështirësive në zhvillimin ekonomik të Krahinës, që kanë ndodhur gjatë një plani pesëvjeçar nuk kanë lindur dhe as që janë paraqitur brenda një viti, dhe as gjatë një plani pesëvjeçar, por problemet e këtilla kanë qenë të pranishme më se 30 vjet.
Gjatë 15 vjetëve të pasçlirimit, Kosova nuk ka qenë ndërmjet tre republikave ekonomikisht të pazhvilluara, kështu që nuk ka shfrytëzuar ndihmën e bashkësisë për zhvillimin e saj, edhe pse ka qenë rajoni më i pazhvilluar, sepse atëherë shfrytëzoheshin mjete të pakthyeshme kur është bërë edhe vendosja e objekteve të rëndësishme ekonomike duke siguruar dhe ndihmuar edhe nëpërmjet kuadrosh, ndërsa kur Kosova u radhit tek të pazhvilluarit kushtet dhe ndihma ndryshuan tërësisht. Atëherë nuk jepeshin mjete të pakthyeshme, pa detyrim kthimi ndërsa zhvillimi ekonomik i Krahinës ka qenë i mundësuar vetëm nëpërmjet realizimit të kredive, të cilat duhet të kthehen në afate të caktuara dhe me kamatë të caktuar, pastaj edhe për infrastrukturën elementare, kjo bëri që Krahina të hyjë shumë në borxhe”. Ose, në të njëjtin artikull flitet rreth çështjes të limitimit të mjeteve të pamjaftueshme për deponime investuese, bëhet fjalë edhe për orientimin e zhvillimit të industrisë bazike të lëndëve të para, ndërsa një industri e këtillë kushtonte shumë shtrenjtë e kështu me radhë.
(vijon nesër)