Evis HALILI
Shkup, 4 nëntor – Prej afro tre muajsh një grup pune i ngritur nga ministri i Kulturës, Robert Allagjozovski po merret me analizimin e megaprojektit “Shkupi 2014”. Rezultatet ende nuk janë gati, edhe pse nga ky institucion ka pasur paralajmërime për heqjen e disa monumenteve apo ndryshime në disa objekte që janë ndërtuar si pjesë e “Shkupi 2014”, shkruan gazeta KOHA. Por, pavarësisht vlerësimit që do të japë nga grupi punues transformimet që do të duhet të pësojë ky projekt do të duhet të kalojnë për t’u miratuar jo vetëm në Qeveri, por edhe përmes një debati publik.
Sa i takon përmendoreve, për shumicën prej tyre, vendimet do t’i zbatojë Qyteti i Shkupit dhe komuna Qendër, ndërsa Ministria e Kulturës do të ketë liri veprimi për atë pjesë të objekteve që janë nën kompetencat e saj. Si përmendore që priten të hiqen janë ato të Andon Llazov- Janev (Qoseto), përmendorja e Nënë Terezës në Sheshin e Shkupit, punimet e së cilës nuk kanë përfunduar. Listës do t’i shtohen edhe dy përmendore të tjera, si ajo e Aleksandrit (Luftëtari në kalë) dhe e “Filipit të Maqedonisë”, që gjendet përpara hyrjes në Çarshi. Po ashtu ,pjesë e ndryshimeve do të jenë edhe objektet, si Muzeu i VMRO-së. Këshilltari në Ministrinë e Kulturës, Petrit Saraçini thotë se përgatitja e analizës së të ashtuquajturit Shkupi 2014, është në fazë finale dhe së shpejti pritet që të publikohet. Më pas do të zhvillohet një debat publik për aspektet e ndryshme, të cilat duhet të adresohen përmes institucioneve dhe organeve të ndryshme shtetërore.
“Sa i përket monumenteve, e dimë që shumica dërmuese e tyre nuk janë të realizuara përmes Ministrisë së Kulturës, por Qytetit të Shkupit dhe komunës Qendër, që do të thotë se për dislokimin eventual të tyre, apo edhe për ndonjë veprim tjetër ndaj këtyre monumenteve duhet të përcillet procedura ligjore, do të thotë që vendime të tilla mund të marrin ato që i kanë vendosur këto monumente. Sa i përket objekteve të tjera që janë nën ingerencë të drejtpërdrejtë të Ministrisë së Kulturës, si Muzeu i VMRO-së, konsiderojmë se jemi përballë një situate tejet të koklavitur, pikësëpari se ky objekt nuk i përmbush standardet e muzeologjisë, po ashtu ky muze nuk arrin të vlerësojë nga një distancë objektive historike historinë e Maqedonisë e cila është vendosur aty. Që do të thotë se bëhet fjalë për një vizurë ideologjike dhe për këtë muze do të duhet të bëhet një elaborat i veçantë që do të adresojë të paktën këto dy çështje – vendosjen e standardeve dhe e dyta është deidologjizimi i tij, në mënyrë që ai të tregojë një tjetër rrëfim nga një distancë objektive dhe jo ideologjike, duke i përmbushur kështu të gjitha kriteret që të luajë rolin e tij”, thotë për KOHA, Saraçini.
Grupi punues për të analizuar projektin “Shkupin 2014” u formua në muajin korrik dhe në të bëjnë pjesë arkitekti Mirosllav Gërçev, që është edhe koordinator i grupit, komunikologu Nikolla Naumovski, arkitekti Martin Panovski, historiania Donka Barçieva dhe kritiku Zllatko Teodosievski. Pak kohë më parë ministri Allagjazovki u shpreh i rezervuar për të komentuar punën e grupit, duke thënë se “Shkupi 2014” është projekt i ndërlikuar dhe kompleks dhe se për disa propozime fillestare që janë bërë nga anëtarët e grupit punues do të duhet të vendosë Qeveria. (koha.mk)