Milani e rifilloi aty ku e la në fund të sezonit të kaluar, siguroi suksesin e parë sezonal, i mbështetur në shpatullat e gjera të Zlatan Ibrahimovicit, i cili, pas dygolëshit ndaj Bolognas, u shpreh: “Po të isha 20 vjeç, do të kisha shënuar edhe dy gola të tjerë, por jam 39. Jam si Benjamin Button: kam lindur i vjetër, por do të vdes i ri. T’i lemë shakatë, ekipi ka punuar mirë, mund ta kuptoni që nuk jemi ende në njëqind për qind, por ishte e rëndësishme të fillonim mirë. Qëllimi është të bëjmë më mirë se vitin e kaluar dhe të rinjtë po ecin mirë. Ata po punojnë, dëgjojnë dhe kanë disiplinë. Pas gjashtë muajve të fundit ata e dinë se çfarë duhet për të bërë mirë”, pohon Ibra. Sulmuesi suedez, më i miri në premierën e sezonit të luajtur në “San Siro”, konfirmohet gjithnjë e më shumë lider i “Djallit”.
“Më pëlqen të kem këtë përgjegjësi, presioni më i madh vjen nga vetja ime. Nuk dua që të flitet për moshën time duke më krahasuar me lojtarët e tjerë, ne duhet të gjykohemi në të njëjtin nivel. Më pëlqen të gjykohem në të njëjtën mënyrë, si një 20-vjeçar“, shtoi më tej ai. Sidoqoftë, për objektivat sezonalë suedezi nuk rrëmbehet nga entuziazmi i tepërt: “Këtë vit duhet të mendojmë nga ndeshja në ndeshje, të luajmë me vetëbesim, sikur të ishte gjithmonë një finale. Objektivat janë madhorë. Deri ku? Është sekret”, deklaroi Ibrahimovic.