Sipas ranglistës vjetore të Passport Index, me pasaportën e Maqedonisë pa viza mund të udhëtohet në 108 vende, që e rangon vendin në pozitën e 40-të në botë. Sipas kësaj liste, pasaporta më e vlerësuar është e Gjermanisë dhe Singaporit dhe me to mund të udhëtohet pa viza në 159 vende. Pas tyre vijojnë Suedia dhe Koreja e Jugut (158 vende). Në pozitën e tretë janë Danimarka, Finlanda, Italia, Franca, Spanja, Norvegjia, Britania e Madhe, Japonia, dhe SHBA-të (157), në pozitën e katërt janë Luksemburgu, Zvicra, Holanda, Belgjika, Austria dhe Portugalia (156). Në vendin e pestë janë Malajzia, Irlanda dhe Kanadaja (155), në pozitën e gjashtë janë Greqia, Zelanda e Re dhe Australia (154), në vendin e shtatë janë Malta dhe Islanda (153), në vendin e tetë është Hungaria (151) , në vendin e nëntë janë Sllovenia, Sllovakia, Polonia, Lituania, Letonia (150) ndërsa në vendin e dhjetë është pasaporta e Estonisë (149). Në fqinjësi dhe rajonin më të gjerë, dobi më të madhe nga posedimi i pasaportës kanë qytetarët e Greqisë (pozita e 6-të) të cilët mund të udhëtojnë pa viza në 154 shtete. Më pas vijon Sllovenia (pozita e 9-të), ndërsa pas saj më mirë të ranguara janë Bullgaria dhe Kroacia në pozitën e 14-të me pasaportat e të cilave mund të hyhet në 144 vende, e 37-ta është Serbia (112 vende), në pozitën e 43-të janë Turqia dhe Mali i Zi (105), e 47-ta është Bosnjë e Hercegovina (101) dhe e 48-ta është Shqipëria (96), ndërsa sipas rang listës, në pozitën e fundit në rajon është Kosova me pasaportën e së cilës mund të udhëtohet në 41 shtete. Në fund të listës së Passport Index në të cilën janë ranguar 199 vende në botë, gjenden Afganistani, Pakistani dhe Iraku me pasaportat e së cilës mund të udhëtohet pa viza në vetëm rreth 20 shtete. Arton Capital’s Passport Index është mjet interaktiv online që i mbledh, tregon dhe rangon pasaportat në botë. Bëhet fjalë për rangim global të pasaportave, të azhuruar në momentin kur shpalosen ndryshimet e reja lidhur me vizat.