Gruevski kishte donuar 3000 euro. Ish-zëvendëskryeministri Vladimir Peshevski ka ndarë 1000 euro. Skulptorja dhe autorja e “Luftëtarit në kali”, Valentina Stefanovska, kishte donuar 1000. Në listën e donatorëve gjendet edhe emri i ish-ministrit Spiro Ristovski, Mile Janakieski, Kiril Bozhinovski, Biljana Bryskoska Boshkovska dhe bashkëshorti i saj Dejan Boshkovski, si dhe ish-rektori Velimir Stojkovski. Kishte edhe institucione tjera qeveritare, ndërsa edhe ato kompani që kanë përfituar tenderë nga paratë publike të të gjithë qytetarëve
Shkup, 9 dhjetor – Projekti ishte religjioz aq sa ishte edhe politik. Ndërsa paratë janë grumbulluar në tri mbrëmjet e donatorëve në një hotel të Shkupit ku kanë marrë pjesë politikanë, biznesmenë dhe kreu i KOM-it. Kisha “Konstantini dhe Elena” në rrugën “Maqedonia” në qendër të Shkupit është futur në vitin e shtatë të ndërtimit. Ka filluar në vitin 2012 dhe është dashur të ishte gati për tre vjet, por lokacioni ende është i rrethuar. Leja për ndërtim është dhënë më 9 nëntor 2012, ndërsa kishte filluar të ndërtohet dy vjet më vonë. Lopatën e parë me beton e kishte hedhur ish-kryeministri Nikolla Gruevski, i cili së bashku me kreun e Kishës Ortodokse të Maqedonisë, Stefan, shënuan fillimin e këtij, siç e quajtën, tempulli “madhështor” shpirtëror, transmeton gazeta KOHA shkrimin e Rrjetit të Gazetarëve Hulumtues.
Kisha ishte ide të cilën e shtynte ish-kryeministri Nikolla Gruevski dhe VMRO-DPMNE. Ende para lëshimit të lejes për ndërtim u frymëzuan protesta të qytetarëve, të cilët konsideronin që nuk duhej të ndërtohet kisha, ndërsa kur u miratua Plani Detal Urbanistik në Komunën Qendër dhe kur u shënua marka e ndërtimit, ajo u mbrojt me dhunë nga persona të organizuar nga VMRO-DPMNE. Në këtë rast, të cilin e hapi Prokuroria Speciale Publike të njohur si “Shuplakat në Komunën Qendër” nga udhëheqësia e partisë të akuzuar janë Nikolla Gruevski, Mile Janakievski, Daniella Rangellova si dhe disa këshilltarë nga VMRO-DPMNE në Komunën Qendër.
SI BINTE FUQIA E VMRO-së, ASHTU ULESHIN EDHE DONACIONET
Gjashtë muaj para se të jepet leja për ndërtim, në muajin maj të vitit 2012, KOM-i kishte themeluar fondacionin “Shën Cari Konstantin” i cili paraqitet si investitor i ndërtimit. Fondacioni është i regjistruar në adresë të selisë së KOM-it me investim themelues prej 65.000 euro. Kisha vitin e njëjtë zbrazi 1 milion euro në llogari, ndërsa paratë tjera filluan të grumbullohen nga donacionet. U organizuan tri konferenca donatore në hotel “Aleksandar Palace”. E para në muajin dhjetor të vitit 2012, pastaj në pranverë të vitit 2013 dhe e fundit – në dhjetor të vitit 2014.
Nga llogaritë vjetor të fondacionit “Shën Car Konstantini” të parashtruara deri te Regjistri qendror i Maqedonisë mund të shihet se në vitin 2012, të hyrat e vetme ishin një milion eurot të cilat si donacion i kishte paguar KOM-i. Në vitin 2013, fondacioni kishte të hyra prej 1.650.000 euro, në vitin 2014 – 700.000 euro të hyra. Si binte fuqia e VMRO-DPMNE ashtu uleshin edhe donacionet. Në vitin 2015 nuk ka patur konferenca donatore dhe ishin grumbulluar 280.000 euro të hyra. Në vitin 2016 janë paraqitur 28.000 euro, ndërsa në vitin 2017 vetën 160 euro. Rrjeti i Gazetarëve Hulumtues nga Ministria e Drejtësisë ka siguruar listën e donatorëve. Në këtë institucion, secili donator ka për obligim të paraqesë donacionin që të marrë vërtetim se bëhet fjalë për interes publik. Në listën zyrtare ka 440 donatorë. Institucione shtetërore dhe biznesmenë firmat e të cilëve kanë patur përftime të mira nga tenderët shtetëror nga “Shkupi 2014” janë donatorët më të mëdhenj për fondacionin e Kishës Ortodokse Maqedonase për ndërtimin e kishës “Shën Konstantin dhe Elena” në rrugën “Maqedonia”.
Janë dhuruar gjithsej 2.044.357 euro. Nga këto donatorë, 258 janë nga kompanitë private, gjashtë donatorë janë institucione shtetërore dhe 176 janë persona fizikë. Donatori më i madh është EVN-Maqedoni me gjysmë milioni euro. Nga kjo kompani thanë shkurt se shpeshherë u dhurojnë donacione bashkësive fetare dhe ky nuk është donacioni i parë.
“Lidhur me komunitetet fetare, kompania demonstron mbështetjen e saj nëpërmjet formave të ndryshme të bashkëpunimit si donacionet monetare, donacionet në formën e ushqimeve bazë dhe produkteve higjienike, mobiljeve dhe pajisjeve, si dhe krijimin e përfitimeve për lehtësimin e pagesës së borxheve për energjinë e konsumuar energjisë. Me pjesëmarrjen tonë në konferencat e donatorëve, u mbështet ndërtimi i kishës së ‘Shën Konstantin dhe Elena’ në qendër të Shkupit “, thotë EVN, transmeton KOHA.
Sipas dëshmisë nga një nga biznesmenë, pjesëmarrës në “darkat donatore”, Odat Ekonomike ndihmuan tërë operacionin “donator” të drejtuar ekskluzivisht nga Mile Janakieski dhe Kiril Bozhinovski. Në darkat donatore në tavolinë para secilit mysafir është vendosur kontrata për donacion, në të cilën secili biznesmen është dashur të shkruajë vetëm shumën. Ekzistojnë informacione se një pjesë e biznesmenëve kanë marrë urdhër edhe për shumën e saktë të donacionit, por edhe të lobojnë tek biznesmenët e tjerë të regjistrohen në listën e donatorëve. Institucionet shtetërore të cilat kanë dhënë donacione janë: SHA MEPSO 66.000 euro, pasta NP Jasen me 3.200 euro, Komisioni për marrëdhënie me bashkësitë fetare dhe grupet fetare – 2800 euro, Këshilli për avancim dhe mbikëqyrje të revizionit – 600 euro, Instituti për inxhinieri bujqësore dhe sizmologji inxhenierike 500 euro dhe Agjencia shtetërore e lajmeve – MIA ka dhënë 100 euro. Donatorë janë qindra firma private, firmat më të mëdha të ndërtimtarisë, kompanitë e sigurimeve, avokatë dhe përmbarues.
DONATORËT, PËRFITUESIT NGA “SHKUPI 2014”
Në listë janë të gjitha ato kompani dhe firma të ndërtimit të lidhura me të fuqishmit dhe biznesmenët, të cilët gjatë pushtetit të VMRO-së, kanë fituar tenderë milionësh nga buxheti shtetëror. Donatori më i madh i kompanive të ndërtimit është kompania “Granit”, e cila ka dhënë 244.000 euro donacion. “Transmet” e biznesmenit Sead Koçan kishte ndarë 128.000 euro. Kompania “Beton” e Minço Jordanov, e cila njëkohësisht bën ndërtimin e kishës, kishte dhuruar 95.000 euro. Firma e njohur “Bauer BG”, e cila ka ndërtuar dhjetëra ndërtesa nga projekti “Shkupi 2014”, ka dhuruar 85.000 euro. “Zhikoll” ka dhuruar 37.700 euro. Tani biznesmeni i arrestuar Orce Kamçev, ka dhënë shumë donacione nga firma të ndryshme në të cilat në atë kohë – kompanitë që ishin pjesë e holdingut “Orka” në pronësi të tij: qumështorja “Zdravje Radovo”, “Zhito Pollog” Tetovë, spitali “Axhibadem Sistina”, Kombinati bujqësor “Pellagonia” – Manastir, “Orka Hollding”, Ndërmarrja e ndërtimit “Beton” – Shtip, të gjitha së bashku me gjithsej 58.000 euro. Në mesin e donatorëve të këtij grupi janë edhe personat që llogariteshin si të afërm në rrethin e kushërinjve Nikolla Gruevski dhe Sasho Mijallkov. Kompania “Pelisterka” e Cvetin Pandeleski i cili për momentin është në paraburgim për rastin “Perandoria”, ka donuar 10.000 euro. Kompania “Divelop Grup” në atë kohë në pronësi të biznesmenit Aleksandar Ivanovski, i cili një kohë ishte partner në hotelin “Meriot” me Mijallkovin, ka dhënë shumën e njëjtë të të hollave. “Tineks” e Vlladimir Todoroviqit kishte dhuruar 35.700 euro, ndërsa tani firma e falimentuar “Feni Industri” kishte dhuruar 59.000 euro për ndërtimin e kishës.
Edhe Bankat u treguan bujare në donimet për këtë kishë. Shumica e fondeve u dhuruan nga Stopanska Banka Shkup me 58.500 euro. I para në listën e avokatëve donatorë është Nikola Dodevski me 1000 euro. Ai ishte avokati që mbrojti Nikola Gruevskin në të gjitha gjyqet, derisa emri i tij u paraqit si dëshmitar në rastin “Talir” të PSP-së për financimin e paligjshëm të VMRO-DPMNE-së, transmeton KOHA.
Avokati Serjozha Markov, zyra e të cilit regjistroi të gjitha firmat of-shore të lidhura me zyrtarët dhe biznesmenët e afërt të Qeverisë së mëparshme, ka dhuruar 800 euro. Në listën që rrjeti Hulumtues i Gazetarëve arriti duke përdorur të drejtën për qasje të lirë në informatat me karakter publik, më së paku gjenden emrat e personave kishtar. Më së paku, ose vetëm 1 për qind e donacioneve të përgjithshme vijnë nga anëtarët e kishës. I vetmi që ka dhuruar është metropolitani Agatangel dhe ka ndarë 2000 euro. Donatorët janë gjithashtu njerëz nga maja e VMRO-DPMNE-së. Gruevski kishte donuar shumë totale prej 3000 eurosh. Ish-zëvendëskryeministri Vladimir Peshevski ka ndarë 1000 euro. Skulptorja dhe autorja e “Luftëtarit në kali”, Valentina Stefanovska, kishte donuar 1000. Në listën e donatorëve gjendet edhe emri i ish-ministrit Spiro Ristovski, Mile Janakieski, Kiril Bozhinovski, Biljana Bryskoska Boshkovska dhe bashkëshorti i saj Dejan Boshkovski, si dhe ish-rektori Velimir Stojkovski. Shuma totale e dhuruar nga KOM-i është 2 milionë euro, dhe së bashku me donacionet e kompanive private dhe individëve, kjo arrin në rreth 4 milionë euro. Dhe, kisha ende po ndërtohet. (koha.mk)