Gjatë kësaj periudhe po ashtu nga policia kanë njoftuar edhe për një kërcënim të një 21 vjeçare nga një tetovar, i cili i ka kërkuar një shumë të madhe të parave. Policia ka marrë masa edhe për këtë rast
Urim HASIPI
Tetovë, 30 mars – Gjendja e jashtëzakonshme me koronavirusin, ka bërë që shumë dukuri negative të cilat gati se çdo ditë ishin pjesë e kronikës së zezë në Pollog, të shënojnë rënie. Në këtë kohë me përplot kufizime, pothuajse nuk regjistrohen aksidente si çdo ditë. Rrugët janë më të sigurta për qarkullim, dhe nëse regjistrohet ndonjë aksident trafiku, është vetëm me dëme materiale. Nga policia e Tetovës kanë theksuar se në masë të madhe është ulur numri i aksidenteve të trafikut, shkruan gazeta KOHA.
“Nga periudha prej 15 deri më 25 mars, janë regjistruar vetëm 7 aksidente. Pjesa më e madhe e këtyre aksidenteve janë vetëm me lëndime trupore ose vetëm me dëme materiale”, tha zëdhënësi i Sektorit për punë të brendshme në Tetovë, Marijan Josifovski. Për dallim nga kjo periudhë, kohë më parë në Tetovë dhe Gostivar regjistroheshin shumë shpesh aksidente me këmbësorë, kurse në këtë periudhë këmbësorët janë kategoria më e sigurt, pasi që asnjë prej tyre nuk ka pësuar. Zakonisht, këmbësorët dhe drejtuesit e biçikletave ishin një nga kategoritë më të rrezikuara para se të fillonte gjendja e jashtëzakonshme me koronavirusin, kur pjesa dërmuese e qytetarëve qëndrojnë mbyllur. Por, në këtë kohë kur ishim mësuar të lexojmë lajme nga kronika e zezë për vjedhjet e ndryshme, sipas shifrave që jep policia e Tetovës edhe hajnat si duket janë në “pushim”. “Në të njëjtën periudhë janë regjistruar vetëm 12 vjedhje dhe 3 tentime për vjedhje. Pjesa më e madhe e vjedhjeve janë me dëme të vogla, ndërsa punohet në zbardhjen e tyre sa më të shpejtë”, informon Josifovski.
Nuk janë vetëm aksidentet dhe vjedhjet që shënojnë rënie në këtë periudhë. Edhe prishjet e rendit dhe të qetësisë publike, zakonisht rrahjet regjistrohen shumë rrallë. “Kur bëhet fjalë për prishjet e rendit dhe të qetësisë publike, gjithsej nga 15 deri më 25 mars janë regjistruar 10 prishje. Kryesisht bëhet fjalë për zënka banale pa pasoja serioze”, theksojnë nga policia e Tetovës për gazetën Koha.
Ndërkaq, ajo që është evidente gjatë kësaj periudhe në këtë rajon, është zvogëlimi i rasteve të ndalimit nga policia të personave të rinj, të cilët konsumonin marihuanë dhe lëndë tjera narkotike. Sipas raportit të policisë, nga 15 deri më 25 mars nuk është ndaluar asnjë person, i cili ka qenë duke konsumuar marihuanë apo ka qenë i involvuar në tregti me lëndë narkotike. “Në këtë periudhë nuk janë regjistruar raste të arrestimit sipas nenit 215 dhe 216 të kodit penal për kryerjen e veprave penale prodhim dhe lëshim në treg të lëndëve narkotike”, nënvizojnë nga Sektori për punë të brendshme në Tetovë.
Kryesisht, në këtë periudhë rastet më të shpeshta që evidentohen kanë të bëjnë me mos respektimin e orës policore, edhe atë nga ana e të rinjve. Gjatë kësaj periudhe, po ashtu nga policia kanë njoftuar edhe për një kërcënim të një 21 vjeçarje nga një tetovar, i cili i ka kërkuar një shumë të madhe të parave. Policia ka marrë masa edhe për këtë rast. (koha.mk)