Keqpërdorimi i MPH-së, siç dihet publikisht, në masë të madhe gjatë periudhës 2008-2015, është kryer nga Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim, ish-udhëheqësia e së cilës po hetohet nga Prokuroria Speciale Publike për përgjime të jashtëligjshme
Omer XHAFERI
Shkup, 23 nëntor – Masat e Posaçme e Hetuese (MPH) të Prokurorisë Publike e Maqedonisë, gjatë vitit 2017, janë zbatuar kundër 289 personave, që i bie se këto masa në krahasim me vitin 2016 janë zbatuar në 100 raste më pak, shkruan gazeta KOHA. Në raportin vjetor të Prokurorisë Publike, i dorëzuar së fundmi në Parlament, thuhet se masa “Përcjellje dhe incizim të telefonave dhe pajisjeve tjera elektronike për komunikim në procedurë të paraparë ligjore”, është zbatuar në 32 raste. Njëherit masa “Qasja (kontroll) të bisedave të realizuar telefonike apo elektronike”, siç thuhet në raportin e Prokurorisë, është zbatuar në 30 raste.
“Përcjellja e sekreteve dhe inizimi i personave (lëndëve) me pajisje teknike jashtë shtëpisë apo hapësirës së punës private, si masë e posaçme hetuese, është praktikuar në 14 raste. Ndërkohë ‘Simulim të dhënies dhe marrjes së ryshfetit’ është zbatuar në 3 raste, respektivisht në 2 raste gjatë vitit 2017 është përdorur MPH- ‘Shfrytëzim i personave me identitet të fshehur për xhirim, përcjellje dhe mbledhje të informacioneve apo të dhënave dhe infiltrim në grupe të organizuara kriminele”, thuhet në raportin e Prokurorisë Publike,i drejtuar nga prokurori Lubomir Joveski.
Përderisa në mesin e MPH të cilët nuk janë zbatuar gjatë vitit të kaluar përfshihen “Kërkim automatik apo në mënyrë tjetër dhe krahasim i të dhënave personale”, “Hapja e xhirollogarisë bankare për simulim” dhe “Regjistrim i simuluar i personave juridik apo shfrytëzim i atyre aktual për mbledhjen e të dhënave dhe krijimin e kushteve për infiltrim”.
Keqpërdorimi i MPH siç dihet publikisht në masë të madhe gjatë periudhës 2008-2015, është kryer nga Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim, ish udhëheqësia e së cilës po hetohet nga Prokuroria Speciale Publike, për përgjime të jashtëligjshme. Ndërkohe, nga kjo prokurori ende nuk kanë ngritur ndonjë procedurë hetimore për rolin e prokurorëve publik në procesin e jashtëligjshëm të përcjelljes së komunikimeve.
Ndryshe, gjatë vitit të kaluar prokuroritë publike në nivel republikanë kanë arritur të vendosin për denoncimet e mbi 16 mijë personave, që i bie 56 për qind të punës së tyre, respektivisht lëndët kundër 12 mijë personave, apo 44 për qind kanë ngelur për tu proceduar. Kur jemi te instituti ligjor “marrëveshje mes prokurorit dhe të akuzuarit”, nga Prokuroria Publike njoftojnë se kjo praktikë e punës është zbatuar në 327 raste gjatë vitit 2017, me çka sipas tyre është shënuar rënia për 131 të rasteve në krahasim me vitin 2016, kur marrëveshja është praktikuar në 458 procedura. “Të dhënat nga raporti flasin se prokuroritë publike, përkundër problemeve me të cilët u ballafaquan gjatë vitit 2017, kanë arritur të mbulojnë volumin e lëndëve penale. Kualiteti i punës së prokurorisë publike shihet edhe në miratimin e aktgjykimeve të plotfuqishme. Kësisoj prej gati 8 mijë aktakuzave, aktgjykime të plotfuqishme janë miratuar në 90 për qind prej tyre, respektivisht për 7 386 lëndë. Në këtë numër nuk janë përfshirë 327 marrëveshjet të realizuar mes palëve, të arritura në procedurë hetimore, në procedura të shkurta apo pas dorëzimit të aktakuzës”, thonë nga Prokuroria Publike
Mes tjerash, nga kjo prokurori i demantojnë zërat se masa e paraburgimi propozohet shumë shpesh. Kështu që sipas të dhënave në raportin e Prokurorisë Publike, në vitin 2017 paraburgimi është shfrytëzuar në 1.5 për qind të rasteve, apo nga gjithsej 28 mijë persona të denoncuar, paraburgimi është shqiptuar për 451 persona. (koha.mk)