Fisnik PASHOLLI
Shkup, 11 prill – Zvogëlohet për 2.1 për qind numri i të gjithë llogarive të bllokuara si të qytetarëve ashtu edhe të bizneseve. Të dhënat e Bankës Popullore tregojnë se për një vit ka rritje prej 5.8 për qind të llogarive të bllokuara të qytetarëve dhe rënie prej 22 për qind të bizneseve për vitin 2016, shkruan gazeta KOHA. Sipas BPRM-së, shënohet ulje prej 68.836 llogari të bllokuara të bizneseve apo personave juridik në fund të vitit 2015, në 53.656 llogari të bllokuara të personave juridik në fund të vitit 2016. “Ulja e madhe e llogarive të bllokuara të bizneseve është një lëvizje e parë e tillë që nga paraqitja e krizës globale në vitin 2009, dhe pason pas periudhës së rritjes së vazhdueshme të numrit të llogarive të bllokuara. Numri i llogarive të bllokuara të personave fizik prej 190.393 që janë në pronësi të 82.263 deponentëve të bllokuara fizik, është rritur për 5.8 për qind në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Megjithatë, për vitin 2016 është karakteristike ngadalësim i rëndësishëm i rritjes së llogarive të bllokuara të personave fizik në raport me dy vitet e kaluara, kur u regjistruan shkallë dyshifrore të llogarive të bllokuara prej 35.4 për qind në vitin 2014 dhe 19.1 për qind në vitin 2015 “, tregon raporti “Lëvizjet në qarkullimin pagesor në vitin 2016”, të Bankës Popullore të Maqedonisë. Në praktikë, qytetarët dhe firmat i bllokojnë përmbaruesit, bankat apo institucionet shtetërore, por edhe bizneset e tjera për llogaritë e arritura për pagesë që nuk janë paguar. Vlerësohet se një ndikim të madh në uljen e numrit të subjekteve me llogari të bllokuara, ka edhe fshirja e mijëra punëtorive, dyqaneve , auto-transportuesve dhe të ngjashme që kanë qenë të evidentuara në Agjencinë për llogari të bllokuara dhe që po fshihen konform ligjit. Nga ana tjetër, shënohet edhe shlyerja nga ana e Regjistrit Qendror, i cili për çdo vit fshin nga evidenca me mijëra firma si shoqëri tregtare apo tregtarë individual për shkaqe të ndryshme.
Në ndërkohë, me rregullativë të veçantë ligjore të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë para tre vitesh, në rrjedhë e sipër është fshirja nga evidenca e mijëra subjekteve që nuk janë shoqëri tregtare apo tregtarë individual që kanë me vite të tëra llogari të bllokuara. Këto subjekte janë renditur në listën e pjesëmarrësve të qarkullimit pagesor, edhe pse më shumë se dhjetë vite nuk kanë pasur aktivitet, nuk kanë hapur llogari në bankë, ndërsa disa prej tyre ndoshta edhe i kanë paguar borxhet për shkak të së cilave kanë qenë të bllokuara në procedurë gjyqësore ose ekzekutive, ose borxhi ju është vjetruar, por për këtë nuk kanë informuar Drejtorinë për të Ardhura Publike, për shkak se nuk kanë pasur obligim të tillë. Gjithashtu, firma të tilla “fantazmë ” janë formuar edhe sipas ligjeve që tani nuk janë në fuqi, ose nuk dihet baza ligjore për formimin e tyre. Nga ana tjetër, Regjistri Qendror për çdo vit fshin nga evidenca me mijëra firma si shoqëri tregtare apo tregtarë individual për shkaqe të ndryshme, duke filluar nga ajo, se për një vit nuk kanë anuluar parregullsitë për shkak të së cilave ju kanoset mbyllja ose nuk kanë paraqitur llogari vjetore . Bëhet fjalë edhe për firma që janë vetëm fiktive dhe nuk ushtrojnë aktivitetet e tyre , ose firma që nuk kanë parashtruar paraqitje për regjistrim në postën elektronike për pranim të letrave në bazë të nenit 21 të Ligjit për sistem një-sportel dhe regjistrit për persona të tjerë juridik. Njëherazi, sivjet pritet edhe ulje e caktuar edhe e llogarive të bllokuara të qytetarëve, për shkak se nga një janari i vitit 2017, përmbaruesit punojnë sipas rregullave të reja më të buta që parashikojnë të kalohen më shumë hapa para se të ngrihet procedura për bllokimin e llogarive transakcionale të personave fizik. Me fjalë të tjera, me ligjin e ri, procedura e deritanishme e bllokimit do të shfrytëzohet si mundësi paralajmërimi. Kjo risi në Ligjin për shlyerjen e detyrimeve përfshin shërbime si: taksa e radiodifuzionit, pagesa e ujit, mbeturinave, shërbimeve të komunave, parkingjet e qyteteve dhe shërbime tjera që kryhen nga institucionet shtetërore. Procedurat e reja parashikojnë kontroll të përforcuar të punës së përmbaruesve si dhe paralajmërim me shkrim para pagesës së dhunshme, procedurë jashtëgjyqësore për llogaritë komunale etj. Me fjalë të tjera, llogaritë e mbetura dhe të papaguara si rrymë, ujë, ngrohje qendrore, telefon, apo shërbimet e televizionit kabllor, më nuk do të shkojnë si deri tani në noter apo gjykatë, por direkt tek përmbaruesit, me qëllim të evitimit të harxhimeve shtesë. Ndërmarrjet publike dhe të tjera që ofrojnë shërbime për qytetarët do të duhet që së pari të përpiqen të paguajnë borxhet e mbetura përmes përmbaruesit dhe pastaj të fillojnë procedurën gjyqësore. Me këto ndryshime, qytetarët do të fitojnë mundësi të paguajnë borxhet që në fazën e parë, pa harxhime shtesë gjyqësore, bankare dhe të tjera. Ligji i ri për përmbarues, parashikon që përmbaruesi detyrimisht para se të bllokojë ndonjë llogari, ta njoftojë me shkrim debitorin dhe të kërkojë nga ai që në afat prej tre ditëve ta paguajë borxhin. Ky veprim do të mundësojë që debitorët të vijnë te përmbaruesi dhe t’i parashtrojë të dhënat që kërkohen prej tyre, me çka do të zvogëlohen shpenzimet e përmbarimit, të cilat bien në ngarkesë së tyre.
Viteve të kaluara, si zakonisht, në zyrat e përmbaruesve kanë ardhur njerëz me llogari të bllokuara, të cilët nuk janë informuar fare se kanë borxh, ndërsa në këtë mënyrë përmbaruesit do të dërgojnë paralajmërim deri te debitorët dhe nuk do të ketë ngarkesë të qytetarëve. Kjo, me fjalë të tjera, do të thotë se qytetarët më nuk do t’i kenë shpenzimet për zhbllokim të llogarisë si dhe shpenzimet shtesë, të cilat kushtojnë edhe deri në 15.000 denarë, e që kanë të bëjnë me të dhënat nga institucionet përkatëse. Me ndryshimet ligjore është parashikuar edhe pagesë jashtëgjyqësore e borxheve, që kanë të bëjnë më shumë me llogaritë komunale.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara