Kate Winslet është shprehur e habitur nga dashuria e madhe që personazhi i luajtur prej saj, Mare në serialin e ri, ka marrë. “Unë i dua rrudhat e saj, shenjat e saj, gabimet dhe të metat e saj. Më pëlqen fakti që ajo nuk ka një buton ku ‘fiket’ dhe njeh vetëm fjalët ‘ec përpara'”, thotë Kate për personazhin që luan. Seriali mister “Mare of Easttown” i HBO përfundoi të dielën. Kate u vlerësua gjerësisht për performancën si një grua me papërsosmëritë e saj, ndryshe nga rolet e tjera. Kate është në rolin e një detektiveje në Pensilvani që heton një krim lokal ndërkohë që jeta personale vërtitet rreth saj. Aktorja e konsideron si një tjetër rol të madh në karrierën e saj, si ai i Rose tek Titanic. “Këtë herë është si Titanic.
Duket sikur jam kthyer 24 vite pas e po eci në rrugë tek dëgjoj njerëzit që pëshpërisin. E di që mund të jenë duke thënë: Si mund ta lejojë veten të mos duket tërheqëse?”, tha Kate.
Ishte vetë ajo që nuk pranoi asnjë filtër për këtë serial. Në një skenë intime, në shtrat, me Guy Pearce, regjisori e siguroi se do t`ia sheshonin barkun me fotoshop, por Kate i tha: Mos guxo! Posterin e serialit e ktheu dy herë mbrapsht se ishte shumë i përpunuar. “Mare që unë luaj është një grua në moshë të mesme. Unë vetë bëj 46 në tetor. Mendoj se ndaj njerëzit janë lidhur në këtë mënyrë me personazhin tim, prej mungesës së filtrave. Ajo është një grua plotësisht funksionale, me të meta, me një trup dhe një fytyrë në sinonim të moshës dhe jetës së saj e prej andej nga vjen. Mendoj që kemi qenë të uritur për këtë gjë”, thotë Kate.