Laura PAPRANIKU
Shkup, 13 shkurt – Ndryshimet e shpeshta në Ligin për arsim të lartë, ashtu si edhe shtimi i universiteteve publike apo edhe lëshime të tjera që janë bërë në këtë nivel shkollimi, nuk kanë dhënë ndonjë rezultat sa i takon përmirësimit të cilësisë, shkruan gazeta KOHA. Përkundrazi, efektet janë negative me gjithë pretendimet se ndryshimet do të krijojnë më tepër gjasa për shkollim, cilësi më të lartë dhe më shumë kompetenca profesionale. Por pavarësisht të gjithave, ajo që mund të konstatohet nga të gjithë është shtimi kuantitativ, por jo edhe kualitativ. Për rrjedhojë, sot kemi numër më të madh të diplomuarish në të tria nivelet e studimeve, kemi dyfish më shumë universitete publike, kuota të larta regjistrimi dhe paralelisht kësaj – performansa të dobëta akademike dhe aftësi të diskutueshme profesionalizmi. Nga viti 2008, kur edhe u nxor Ligji për arsim të lartë në Maqedoni e deri në fund të 2016-ës, i njëjti ligj është ndryshuar plot 21 herë. Janë nxjerrë plus ligje për themelimin e katër universiteteve të reja shtetërore, konkretisht “Goce Dellçev” në Shtip, Universiteti i Shkencave Teknologjike dhe Informatikë në Ohër, Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup dhe Universiteti “Damjan Gruev” në Shkup. Paraprakisht, statusin e universiteteve publike e kishin fituar Universiteti i Tetovës, Universiteti “Klimenti i Ohrit” në Manastir dhe Universiteti “Kirili dhe Metodi” në Shkup. Pra, në një shtet me jo më shumë se 34 mijë metra katror dhe më pak se 2 milionë banorë, kemi shtatë universitete publike, 15 universitete dhe kolegje private, plus që nga viti 2010 u bë shpërndarje e universiteteve publike në të gjuha qytetet. Dy vite më parë, Maqedonia kishte 2927 studentë për 100.000 banorë, apo rreth 1000 më pak se shtetet e Bashkimit Evropian, të cilat kishin 3987 studentë. Mirëpo, këta të fundit kanë numër më të vogël universitetesh. Nëse shtetet e BE-së kanë mesatarisht 7 universitete për 1 milion banorë, në Maqedoni ky raport është 10 universitete për po aq banorë. Për pasojë, jo vetëm mungesa e kushteve për studim, por edhe e profesorëve në raport me numrin studentëve, këtu tek ne nuk lë edhe aq për t’u dëshiruar.
Duke rendur pas numrave dhe sasisë, viteve të fundit u neglizhua kriteri i cilësisë në arsimin e lartë. Është krijuar prej shumë vitesh një kaos, pasojat e të cilit veçmë kanë nis të reflektojnë në të gjitha segmentet e jetës, duke nis nga rritja e shkallës së papunësisë dhe shtimi i varfërisë, për të vazhduar me rënien e zhvillimit ekonomik, mirëqenies e deri te mungesa e sukseseve në skenat e kulturës dhe artit. Rënia drastike e cilësie sigurisht që e ka një arsye dhe kjo. Sipas ekspertëve të fushës lidhet me politikat populiste në arsim. Disperzimi apo shpërndarja e universiteteve publike në të gjitha qytetet u dha goditjen më të madhe. Viteve të para, u dha rezultat ne shtimin e numrit të studentëve për kokë banori dhe uljen e numrit të papunësisë për grupmoshën deri 25 vjet, mirëpo u dëmtua jashtëzakonisht shumë cilësia, pasi humbi pesha e diplomës universitare në të gjitha asketet. Këtu nuk bën përjashtim as participimi financiar, i cili degjeneroi deri në 100 euro semestri, si dhe lehtësimet për kategorinë e moshës 35/40 vjeç. Në sistemin e arsimit të lartë, pa kurrfarë problemi mund të kyçen edhe ata që e kryejnë shkollimin e mesëm informal, pra me programe të shkollave të natës.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.