Në traktatin e “gjeneralit” Antonio Konte spikat një frazë: “Me Arturon në fushë, shkoj në luftë çdo ditë dhe ndaj kujtdo”. Kur e tha, trajneri interist kishte një tjetër angazhim, por mbrëmjen e djeshme ishte më i lumturi kur pritja e tij morri fund. Diçka pas orës 20:10, avioni privat me në bord “luftëtarin” Arturo Vidal zbarkoi në Milano, ndërsa në orën 20:30, u shfaq përpara kamerave, në distancë sigurie, por gjithsesi nuk nguroi që të shprehë lumturinë e tij për këtë lëvizje: “Përshëndetje Milano, përshëndetje Inter! Ja ku jam!”, ishin fjalë e para si interist për të mesfushorit kilian, i cili ditën e sotme ka kryer vizitat mjekësore dhe më pas pritet të hedh firmën e tij në kontratën që do ta bashkojë me “gjeneralin” Konte, pas epokës juventine. Dhe pa dyshim që me Vidalin, mesfusha zikaltër merr formën e duhur, atë më të frikshme ndoshta, për të trembur “Zonjën e Vjetër” dhe mbi të gjitha ka “artilerinë” e duhur për të synuar titullin kampion.
E Kryer
Askush nuk kishte dyshime: të shtunën Vidal nuk u grumbullua për trofeun “Joan Gamper”. Qëndroi duke djersitur në palestër, duke dokumentuar gjithçka në rrjetet sociale. Dukej thuajse se i siguronte fansat e tij të ardhshëm interistë: “Qëndroni të qetë, jam në formë dhe po vij”. Ndërkohë, administratori i deleguar Xhuzepe Marota ka punuar detajet e fundit të nevojshme për transferimin e ri, duke nisur nga zgjidhja e kontratës me Godinin që do t’i lejojë të ndajë dy vitet e mbetura në kontratë në një marrëveshje trevjeçare në Sardenjë. Uruguaiani është në fakt mbrojtësi i ri i prapavijës së Kaljarit dhe kjo i lejon Interit të kursejë një rrogë prej 5,5 milionë eurosh. Më ngadalë, por po përgatitet edhe dalja e Antonio Kandrevës. Pasi sfumoi pista “Xhenoa”, mund t’i drejtohet në kohë të shkurtra Sampdorias ose Fiorentinës.
Te Interi për ta zbritur Juven nga froni
Pas një nate milaneze, për Vidalin sot ka qenë dita e vizitave, e firmës dhe e hyrjes solemne në grup. Ndër të tjera, akordi me Interin ishte arritur prej kohësh. Më pas u gjet fjala e përbashkët edhe me Barçën. Zikaltrit nuk do të paguajnë automatikisht kuotën prej një milion eurosh për lirimin e mesfushorit, por shuma do të lidhet me arritjen e një sërë objektivash duke u llogaritur si bonus. Ndërsa kiliani do të firmosë një kontratë prej dy vitesh me opsion për një të tretë nga e cila do të përfitojë 6 milionë euro neto në sezon. Nga 2011-ta në 2014- ën, me Konten në stol te Juventusi, Vidal ishte mesfushori i Serisë A që kishte shënuar më shumë gola në të gjitha kompeticionet, plot 40. I vetëm krijoi 207 raste për të shënuar, përpara i qëndronte vetëm Andrea Pirlo. Vidal zbarkoi dje pikërisht për me objektivin për të zbritur skuadrën e mikut të vjetër nga froni.
Debutimi i tij në fanellën zikaltër pritet të ndodhë kundër Fiorentinës, të shtunën e ardhshme. Vidal tashmë ka rezervuar fanellën me nr. 22 që kishte veshur në Barcelonë, por ai gjithmonë shpreson të marrë përsëri numrin 8, në rast të largimit të Vecinos.