Cristiano Ronaldo e ka shpjeguar prejardhjen e festimit të tij të famshëm “siiiiii”, në një intervistë ekskluzive për DAZN. Ylli i Juventusit u bë i njohur për festimin e tij, në të cilin ai e performon një piruetë në ajër para se të bërtasë “si!” në gjuhën spanjolle – që në shqip do të thotë “po!” – duke rënë në tokë, transmeton Gazeta Express.
Tifozët janë mësuar ta shohin këtë festim të famshëm vazhdimisht, sepse 34-vjeçari po vazhdon të shënojë gola shumë shpesh. Ronaldo e arriti numrin e 10 golave në Serie A këtë sezon, pas golit fantastik me kokë në fitoren e Juves 2:1 kundër Sampdorias të mërkurën. Kapiteni i Portugalisë nisi ta zhvillojë këtë mënyrë të festimit gjatë një fushate parasezonale me Real Madridin dhe tani e shpjegon sesi filloi e gjitha.
“Fillova ta bëj këtë kur isha në Real Madrid. Kur të gjithë ne fitonim, ata thoshin ‘siiii’!. Edhe unë nisa ta them, nuk e di përse. Më erdhi natyrshëm”, tregoi Ronaldo.
“E mbaj në mend ishim në parasezon në Los Angeles. Luajtëm kundër Chelseat, e shënova një gol dhe e bëra këtë festim”, shtoi ai.
“Njerëzit më pyeten: ‘Përse e bërë?’ Nuk e di. E bëra, u rrokullisa, por në mënyrë natyrale, sepse unë gjithmonë them se gjërat më të mëdha vijnë natyrshëm”, theksoi ai.