Këtë herë kukulla e njohur ‘barbie’ po i ofrohet publikut me përmasa të ndryshme e që shfaqin realitetin. Pas shumë vitesh akuzash e kampanjash kundër pamjes së ‘barbiet’ që i ofrohej vajzave të vogla, Tonya Ruiz ka dizajnuar të tilla që përkojnë me realitetin. Tonya Ruiz është autore. Ajo thotë se është rritur me kukulla të tilla që gjithmonë paraqisnin “fytyrë të bukur e me grim, përmasa të mira trupore, e gjithmonë e veshur elegante”.
Duke u rritur, thotë ta ketë kuptuar padrejtësinë e të pavërtetat që po i ofroheshin vajzave qysh në fëmijëri. Kësisoj, vendosi të krijojë ‘barbie’ që përputhen me realitetin. Tash, kohën më të madhe e kalon duke krijuar ‘barbie’ që duken siç mund të duket çdo grua në ditët normale. Me peshë, të veshura thjesht, duke gatuar apo edhe duke ngrënë, madje edhe burra duke u kujdesur për të vegjlit në shtëpi, janë disa prej llojeve që ajo ia ka ofruar publikut.
Kukulla ‘barbie’ për herë të parë lansoi në publik në vitin 1960. Belholla, sykaltër e bionde, ato shumë shpejt morën hov dhe u bënë ndër më të shiturat në botë. Deri në vitet e fundit, ato ofroheshin me përmasa të tilla derisa nisën akuzat dhe ato nisën të dizajnoheshin edhe me ngjyra të ndryshme e pamje të llojllojshme.