“Nga fillimi i pandemisë dhe shpallja e situatës së krizës në Dibër, pronarët mbyllën objektet e tyre. Por tani kur në Dibër afër 40 ditë me radhë nuk ka raste të reja me koronavirus, është korrekte nga ana e kompetentëve që të na mundësojnë hapjen e objekteve”, thotë Kolonja
Dibër, 26 maj – Objektet shërbyese, por edhe lokalet të tjera në Dibër, sot me muzikë me volum të lartë protestuan për mos sjelljen e vendimit për hapjen e tyre. Pronarët e lokaleve në Dibër e përkrahën iniciativën e kolegëve të tyre në vend, respektivisht Odës të gastronomëve që nga ora 12 deri në ora 18 me muzikë me zë të lartë të kërkojnë hapjen e tyre. Të gjithë pronarët janë të njëzëri se restorantet, kafeteritë, piceritë… afër tre muaj në Dibër nuk punojnë dhe kanë dëme të mëdha financiare.
Alber Kolonja, i cili është pronar i një nga restorantit më të frekuentuar në Dibër, thekson se objektet shërbyese kanë pësuar dëme të mëdha materiale. “Nga fillimi i pandemisë dhe shpallja e situatës së krizës në Dibër, pronarët mbyllën objektet e tyre. Por tani kur në Dibër afër 40 ditë me radhë nuk ka raste të reja me koronavirus, është korrekte nga ana e kompetentëve që të na mundësojnë hapjen e objekteve”, thotë Kolonja. “Një situatë e këtillë faktikisht na detyroi të reduktojmë edhe numrin e punëtorëve, meqë kemi dëme të mëdha. Po ashtu ndjehemi të diskriminuar në raport me rrjetin tregtar dhe objektet e tjera meqë na kanë parashtruar kushte me të cilët nuk mund të punojmë si duhet”, ankohet Kolonja, ndërsa sqaron se përkrahja e iniciativës për protestë me muzikë me zë të lartë faktikisht është një kërkesë që kompetentët, e sidomos ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, të jep dritë jeshile për nisjen me punë të lokaleve shërbyese.
Pronari i picerisë “Jon”, Arben Klloboçishta, na tha se dëmet nga mos funksionimi i objektit të tij janë të mëdha. “Nëse kështu vazhdon, do të jemi të detyruar të përgjysmojmë stafin në piceri. Është korrektë që kompetentët të na japin leje të fillojmë punën”, tha Klloboçishta.
Duke marr parasysh se Dibra disa javë më parë ishte në karantinë të plotë, konkretisht nga dita e parë e paraqitjes të virusit Kovid-19, më 26 shkurt, me vetiniciativë dhe pa detyrime, pronarët pas informimit që ja bënë kryetarit të Dibrës, Hekuran Duka, mbyllën kafenetë, restorantet dhe objektet e tjera shërbyese, me qëllim që të mos përhapet koronavirusi. Kjo ishte një iniciativë e vet pronarëve dhe ndikoi pozitivisht në mos përhapjen e virusit, por tani kur në Dibër nuk ka prezencë të këtij virusi një kohë të gjatë, pronarët e objekteve kërkojnë me të drejtë hapjen e lokaleve. (koha.mk/V.S)