Me model gjerman më lehtë tek punësimi

40

Një nga përfitimet e sistemit të dyfishtë arsimor me një praktikë më të madhe për nxënësit do të jetë edhe zbutja e mungesës së kuadrove të kualifikuara në tregun e punës

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 15 shtator – Sistemi dual apo i dyfishtë i arsimit i bazuar në modelin gjerman për edukim dhe trajnim sa vjen e më shumë po zgjerohet edhe në sistemin arsimor në Maqedoninë e Veriut. Përskaj hapjes së më shumë klasave ku ai zhvillohet në të po inkuadrohen edhe një numër i konsiderueshëm i kompanive në vend. Për zgjerimin e tij flet edhe fakti se nëse në vitin e kaluar kishim 11 paralele të dyfishta, tani po hapen 97 paralele të dyfishta. Ndër të tjerash ai synon të harmonizojë edhe hendekun midis kuadrit që ofrohet në tregun e punës dhe nevojave reale të kompanive. Me fjalë tjera, arsimi dhe aftësimi profesional i dyfishtë u ofron të rinjve një mundësi për të hyrë në punë të aftësuar dhe për të marrë përgjegjësinë për jetën e tyre, dhe ky sistem është sekreti i sukseseve në shumë vende të zhvilluara. Ky sistem dallon për shkak se të mësuarit zhvillohet në dy vende, në kompani dhe në shkollë. Një sistem i tillë lehtëson gjithashtu kalimin nga mësimi në punësim dhe i përgjigjet nevojave të aftësive të tregut të punës.

Katër vite pas fillimit të realizimit të këtij projekti si nismë e investitorëve gjerman në vend si disa nga punëdhënësit më të mëdhenj, pritet që në vitin e ardhshëm të dalin edhe nxënësit e parë që kanë vijuar këtë model të ri të shkollës së mesme profesionale.

Nga ana tjetër, Shkupi, Kavadari, Ohri, Velesi, Prilepi, Manastiri, Tetova, renditen ndër komunat që në bashkëpunim me kompanitë “Drekslemajer”, “Kostal”, “ODV-Elektrik”, “Kiel”, “Krombert-Shubert”, “Alkaloid“, po përgatisin kuadro të reja për nevojat e fabrikave në vend. Njëherësh vetëm sivjet 211 kompani të reja do të inkuadrohen në sistemin dual të arsimit. “Interesimi i komunitetit të biznesit po rritet vazhdimisht për përfshirjen në realizimin e konceptit të arsimit dual në shkollat e mesme profesionale, që do të thotë më shumë trajnim praktik për nxënësit drejtpërdrejt në vendin e punës, dhe më pak teori të mësuarit në klasë. Sepse, rritet vetëdija se në këtë mënyrë ata kontribuojnë në krijimin e potencialit njerëzor që ata kanë nevojë dhe mund ta përdorin duke u përfshirë në proceset organizative dhe prodhuese pas diplomimit. Njëra nga ato kompani është Alkaloid dhe e tregoj atë si një shembull më të mirë për t’u ndjekur”, theksoi ministrja e arsimit Milla Carovska gjatë promovimit të një klase të re duale për teknik farmaceutik në industrinë farmaceutike, më shkollën e mesme të mjekësisë “Pançe Karagjozov”, në Shkup.

Sipas saj, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ndan bursa prej 3500 denarë në muaj për të gjithë nxënësit që janë regjistruar në klasa duale këtë vit, ku rreth 1400 nxënës janë shpërndarë në 97 paralele në 44 shkolla. Njëherësh për edukimin e tyre mbështetje kanë siguruar 220 kompani. Gjithashtu, sivjet gati 10,700 nxënës janë regjistruar në shkollat profesionale, që është për 6 për qind më shumë se vitin e kaluar, si rrjedhojë edhe e fushatës së Ministrisë së Arsimit “Mëso me mençuri puno me profesionalizëm”. Një nga kompanitë që po realizon sistemin dual të arsimit është ajo gjermane “Kostal” që ka hapur kapacitetet e saja prodhuese në Ohër. Nga atje thonë se përfitimet e sistemit të dyfishtë arsimor me një praktikë më të madhe për nxënësit do të jetë edhe zbutja e mungesës së kuadrove të kualifikuara në tregun e punës.

“Përmes përfshirjes së punëdhënësve në krijimin dhe realizimin e programeve arsimore presim jo vetëm modernizimin, por edhe përshtatjen e tyre ndaj nevojave dhe kërkesave reale të industrisë. Gjithashtu me vendosjen e gjeneratës së re në proceset prodhuese mund të pritet edhe avancimi i kulturës së industrisë tek gjeneratat e ardhshme si dhe rritja e interesimit për tu punësuar dhe bërë karrierë në industri”, thotë drejtori i “Kostal” në Ohër, Viktor Mizo. Ai madje shton se praktika gjermane tregon se edhe kuadrot me arsim të mesëm profesional teknik mund të fitojnë edhe pozita të larta menaxheriale përkundër asaj se nuk kanë përfunduar fakultet. Ndryshe, pritet që edhe në vitet e ardhshme edhe më tej të zgjerohet arsimi dual në vend me më shumë kompani të interesuara dhe me më shumë klasë të hapura. (koha.mk)