Po nga akademia pat rrjedhë ideja për këmbime territoriale dhe zgjidhje përfundimtare të problemeve me shqiptarëve, por nga akademikë maqedonas u vjen “oferta” për të bërë të vetën! Një falënderim publik për idenë…
Nga Daut DAUTI
Është një barcoletë e ohërlinjve që flet për një lloj lokal-patriotizmi, i cili në thelb është i thjeshtë dhe shpërfaq një mendësi e shpotitjes e rivalitetit, për të mos thënë urrejtjes krahinore. Edhe te shqiptarët ka një ndarje e këtillë midis “katundarëve” dhe “qytetarëve”, midis “malokëve” e “jugorëve”, midis “prishtinalive” (“gjakovarëve”) e “katundarëve”… Kjo barcoleta që e përmenda, ka një rrëfim të shkurtë dhe përfundon me “keqardhjen” e ohërliut: KU U GJET KY LIQENI BASH TE NE!
Hë, de, ku u gjet bash në Ohër? Ohërliut “të brengosur” i kanë ardhur në maje të hundës gjithë ata mysafirë(turistë) qe vijnë vazhdimisht në qytetin e tyre pitoresk, gjithë ato vetura me targa të huaja, sidomos nga Shkupi… duke harruar se çdo mysafir lë para që përfundojnë në xhepin e tyre. Nuk e besoj se vërtet pasqyron “disponimin” e ohërlinjve, sepse kur të shkosh atje gjithandej të ofrojnë gostitje, ama lë mundësinë edhe të ketë të tillë si ai i barcaletës…Por, këtë mendësi mund ta hasim te një numër njerëzish (sa janë, për këtë duhet hulumtim), që kanë një mendësi nacionaliste që thotë: KU NA U GJETËN KËTA SHQIPTARË KËTU! Dhe ndryshe nga një ideolog i hershëm i maqedonizmës, Goce Dellçevi, që ka thënë se botën e sheh si një fushë për garë (vlerash) midis popujve, këta të tashmit nuk e shohin multietnicitetin si një realitet të natyrshëm, por si një kob! Ndryshe nga ç’kanë jetuar me shekuj në bashkëjetesë, ata sot më mirë parapëlqejnë një Maqedoni të pastër, sa më të pastër që të jetë e mundur, në vend se të pajtohen me këtë realitet, ose me këtë “fushë” me pasuri ngjyrash, ata duan t’i herrin si egjër të tjerët, dhe t’i lënë ata që vetë dëshirojnë. Pra, vetëm veten!
Për ta krijuar një realitet të ri, pa shqiptarë, ose me shqiptarë mundësisht të nënshtruar, u përpoqën partitë politike që në fillim të pluralizmit. Ata bënë një kushtetutë rigjide me të cilën s’u pajtuan shqiptarët, e pastaj akuzonin shqiptarët pse nuk pajtohen me të. I trajtonin gjithë kohës si rrezik, duke harruar se rrezikun, ose reagimi i shqiptarëve s’ishte gjë tjetër, pos përgjigje ndaj rigjiditetit të tyre. Kjo u tregua si gabim, sepse kriza e thellë e vitit 2001, ishte rezultat i kësaj filozofie. Por, me gjithë korrigjimet e mëvonshme të gabimeve, vazhdon e njëjta mendësi edhe sot, si një ushqim shpirtëror i atyre që vazhdojnë të mendojnë Maqedonia do të ishte më mirë pa shqiptarët (Të përkujtojmë se pikërisht nga nivele akademike kishte dalë një ide gjatë luftës, që për t’u çliruar nga shqiptarët, më së miri t’ua japim dy qytete e do fshatra dhe le të ikin për Shqipëri! Por ashtu nuk çliroheshin, prandaj dhe parapanë këmbim popullsie!). Ata që s’pajtohen me multietnicitetin dhe bashkëjetesën, vazhdojnë edhe sot, sepse nuk mund të pajtohen që gjuha jo e 20 përqindëshit, po pothuajse e 30-përqindëshit, po flitet zyrtarisht dhe gjithandej nëpër institucione. Ata nuk mund të pajtohen se shqiptarë tash ka më shumë se kurrë në institucione. Ata duan të kthehen në atë përqindjen e komunizmit, ku në emër të barazisë, futnin me “vullnet të mirë” edhe ndonjë shqiptar, ama sa për sy e faqe. Sa është diskriminim ky, flet fakti se nuk është siguruar vetëm ekzistenca ose mirëqenia familjare e një të punësuari në administratë, por dhe beneficione të tjera, si bie fjala banesat, që ata që s’kanë qenë të punësuar, është dashur t’i fitojnë me djersë e kredi afatgjate. Rritja e ndjeshme e prezencës së shqiptarëve, sadoqë është halë në sy për ata që kanë animozitet, s’është gjë tjetër pos një rirreshtim i shoqërisë në suaza të raporteve reale.
Te disa koka akademike, kaherë ka hyrë një dreq. Ata, si thotë kolegu dhe miku im, Seladin Xhezairi, u ngjajnë shumë atyre të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve, sepse”kush më shumë e kush më pak u mëshojnë shqiptarëve. Jo të tjerëve”. Dhe pajtohem plotësisht me të kur thotë se më e logjikshme do të ishte që në shënjestër të ishin serbët, bullgarët e grekët, për shkak se “edhe nga Athina, edhe nga Sofja, edhe nga Beogradi, historikisht kanë ardhur stuhi e shtrëngata politiko-ushtarake për të mbytur e zhbërë ‘punët maqedonase’. Në mënyrë të palogjikshme sulen ndaj nesh të kishim ndërmarrë ndonjë pogrom, sikur të kishim tentuar e tentojnë ndryshimin e historisë kombëtare maqaedonase.
Sigurisht një ditë do të bëhet pishman akademikja KaticaQullafkova kur nga goja e saj ka dalë ideja gjeniale le ta bëjnë shqiptarët “akademinë e tretë”. Nëse ndonjëherë e bëjnë vërtet, askush s’ka të drejtë të akuzojë shqiptarët për paralelizëm, sepse idenë ua ka dhënë Katica. Në anën tjetër, dardha ka bisht. “Bishtin” ia tregoi kolegu i saj, AbdylmenafBexehti ku i tha publikisht, po, menjëherë, do të marrim 30 përqind të buxhetit dhe kushtet hapësinore e teknike dhe gjithçka që është krijuar deri tash, dhe e bëjmë tonën! E gjora akademike, nuk do të ketë menduar aq larg se ideja e saj prapë do të shkojë në dëm të kauzës që mbron, sepse (me logjikën e saj), edhe akademinë duhet ta bëjnë shqiptarët duke marrë pare nga buxheti i shtetit “të saj”. Se ndoshta ajo nuk i konsideron shqiptarët qytetarë të Maqedonisë që marrin pjesë në krijimin e buxhetit dhe se logjikshëm, pjesë e buxhetit të akademisë aktuale do të ndahej për akademinë e re shqiptare. E ka gabim nëse ka menduar që shqiptarët të bëjnë akademi private, siç e financonin në fillim Universitetin e Tetovës, kur gjithë shteti, me gjithë Katicën, ishin kundër universitetit.
Gjithsesi shqiptarët do t’i jenë përjetë falënderues për idenë gjeniale të saj. Ndonëse kjo së pari, nuk shkon me logjikën e një nacionalisteje, sepse zakonisht ata nuk japin ide për të bërë dikush të veten, por për t’ia marrë dikujt edhe kur i takon! Së dyti, kushedi sa do ta urrejnë vetë “të vetët”, ata që janë të afërt për nga bindja, duke i thënë, aman Katica, po a kështu e mbron kauzën maqedonase duke iu ofruar shqiptarëve një akademi të tërë?! Akademikja dhe shefi i saj, të cilët e dramatizojnë çështjen e marrëveshjes me Bullgarinë, janë në një kontradiktë me bindjet e tyre, sepse nëse këtë zhurmë e bëjnë për shkak të figurave të kontestuara nga bullgarët, siç është edhe Goce Dellçevi, atëherë ata në praktikë janë edhe kundër tij, sepse idetë e Goces për një botë me laryshi vlerash, mbase kështu dhe një Maqedoni multietnike, multikonfesionale e multikultuore, janë të kundërta nga egoizmi i tyre, duke shpallur shqiptarët fajtorë për gjithçka. Mbase edhe për këtë trendin rrënues të ngrohjes globale, që në Maqedoni ndonjëherë shprehet me breshër e vërshime!!!
Egoizmi i çfarëdo lloji është kur diçka do vetëm për veten. Si duket, akademik Bexheti ka ardhur në atë bindje se dikush vërtet nuk i do shqiptarët brenda akademisë, aq sa ata nuk janë të lumtur për ata disa që numërohen në gishta, e lere më të pranojnë të tjerë. Katica Qullafkova që thotë “le të bëjnë akademi të tretë shqiptare”(krahas asaj të Shqipërisë dhe Kosovës), duhet të jetë në një gjendje serioze transcedentale kur është e gatshme madje të japë një akademi të tërë, se sa të pranojë ndonjë akademike të ri në akademinë “e saj”!
Ka ilaç për këtë. Ilaçi është reformimi i AMSHA-s.
(Përfundon në vazhdimin tjetër të kolumnës)
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)