Tetovë, 18 tetor – Iniciativa e pavarur “Më mirë për Tetovën”, e cila garoi me kandidat për Këshillin e Komunës së Tetovës, pritet që të merr dy ose tre këshilltarë. Gjithsej, kjo iniciativë arkëtoi 2842. Në një adresim për qytetarët e Tetovës, kjo iniciativë vlerëson se do të jenë çelësi me të cilin hapen dyert e komunës për qytetarët. “Ky është fillim i mbarë që Tetova të merr një kahje të re me te cilën do ndalet projekti i degradimit dhe nënçmimit që po i bëhet me vite. Tetova votoi, Tetova vendosi, Tetova fitoi! Fitoi angazhimi i sinqertë për t’i zgjidhur hallet e njerëzve dhe problemet e qytetit. Tetova është e lodhur nga rrugët e papastra e me gropa, nga grumbujt e mbeturinave, nga qentë endacakë, nga pasiguria në spital dhe kushtet mizore, nga kaosi urbanistik dhe ai në trafik, nga shkatërrimi dhe uzurpimi i hapësirave të gjelbra, kontrabandimi misterioz i planeve urbanistike si ai i Shik Jellakut për Daka Davidoviqin, honorarët për parazitët që marrin rroga pa bë punë, dhe vonesat 3-4 mujore të punës me djersë të punëtorëve të NPK-së. Fitoi besimi ynë se Tetova duhet të bëhet një qytet ku mund të jetojmë dhe jo të mbijetojmë. Neve na kanë votuar ata që duan ndryshimin. Ne nuk do të ndërhyjmë në zgjedhjen e qytetarëve, por është e qartë se mbështetja për ne është mbështetje për ndryshim për Tetovën” tha Hamdi Sulejmani, nga kjo iniciativë.
Ata kanë theksuar se në raundin e dytë vet qytetarët le të vendosin se për kënd do të votojnë, ndërsa janë të kënaqur me rezultatin e arritur. (U.H)