Zejnulla VESELI
Shkup, 1 mars – Aktualisht në mbarë Maqedoninë ka 8630 vende te lira të punës. Profesionet që më së shumti kërkohen nga punëdhënësit janë magazioner, shitës, instalues të rrymës, hidraulik, automekanik, murator, pastrues, ekonomist, kimist, mirëpo deri më sot askush nga 200 mijë të papunë sa janë të evidentuar në Agjencinë për Punësim të Maqedonisë (APM), nuk është paraqitur në këto konkurse. Për momentin sipas Agjencisë për Punësim në Maqedoni (APM), ende aktive janë 6739 shpallje për punësimin të publikuar në janar të këtij, ndërkohë që dy ditë para se të përfundoj muaji shkurt, numri i shpalljeve është rritur për 2000 vende të lira pune dhe duke e ngritur shifrën në 8630 vende të lira të punës, shkruan gazeta KOHA.
Nga APM informojnë se me muaj po përsëriten të njëjtat shpallje nga të njëjtat firma që kërkojnë automekanik, punëtor në ndërtimtari, vozitës kamionësh, rrobaqepës etj.
“Gati me muaj të tëra po përsëriten të njëjtat shpallje.
Vendet e reja të punës deri më sot assesi të plotësohen. Problemi qëndron në faktin se nga 200 mijë persona të evidentuar si të papunë në APM, 102.394 persona në mënyrë aktive kërkojnë punë, ndërsa 89.443 persona nuk paraqiten rregullisht si të papunë dhe as që janë të interesuar për punë, por paraqiten sa për të fituar të drejtën e sigurimit shëndetësor. Edhe pse vazhdimisht kemi shpallje të reja për vende pune dhe këto 8630 vende të lira të punës sa janë edhe sot aktive. Arsyeja pse nuk ka të interesuar për këto shpallje qëndron në faktin se në tregun e Maqedonisë kemi mungesë të kuadrit të cilët kërkohen nga firmat në Maqedoni e në veçanti kur ky kuadër kërkohet nga investitorët e huaj”, thonë nga APM-ja.
Nga kjo Agjenci informojnë se sipas planit operativ për punësimin deri në fund të viti 2018, presin të rritet numri i të punësuarve deri më 10 mijë.
“Diku 10 mijë punëtorë të rinj që paraqiten si persona aktiv që kërkojnë punë duhet të punësohen deri në fund të këtij viti nëse do të konkurronin për të gjitha vendet e punës që për momentin janë aktiv gjegjësisht të gjitha vendet e lira të punës të shpallura nga firma të ndryshme që për momentin ofrohen në tregun e punës në Maqedoni. Pjesa më e madhe e këtyre shpalljeve ende janë aktive prandaj apelojmë deri te të papunët që të konkurrojnë për këto vende të lira të punës”, thonë nga Agjencia për Punësim të Maqedonisë.
Mendy Qyra drejtor i kompanisë private për ndërtimtari “TRIM-LUM”, thotë se tre vite me radhë firma e tij ka nevojë jo vetëm për punëtorë të kualifikuar nga sfera e ndërtimtarisë apo instalues rryme, por edhe për krahë pune gjegjësisht punëtorë fizik që nuk kanë nevojë të jenë të kualifikuar.
“Tre vitet e fundit kompanitë vendore që kryejnë veprimtari kryesisht zanatesh kanë probleme jo vetëm me gjetjen e kuadrit profesional apo zanateve siç njihen në opinion por edhe punëtorë krahu apo punëtor fizik për të cilët nuk është aspak e nevojshme të kenë ndonjë kualifikim. Unë jam i gatshëm që nëse drejtohen deri të kompania ime, 20 punëtorë t’i pranoj menjëherë dhe atë me rrogë minimale prej rreth 13 mijë denarëve, aq sa parashihet me ligj apo mjeshtër të kualifikuar me rrogë prej 18 mijë denarë deri më 26 denarë mijë. Po ja që punë ka por askush nuk do të punoj sidomos të rinjtë”, thotë Qyra. Arsyet e pse nuk duan të punojnë të rinjtë, sipas Qyra janë të shumta.
“E para është se kemi shumë pak kuadër profesional sepse nuk kemi të rinj të mësojnë në shkollat të mesme profesionale. E dyta edhe ata pak nxënës që kryejnë shkollën e zanatlinjve nuk vijnë e të bëjnë praktikën gjatë kohës sa ata ndjekin shkollimin e mesëm. Dhe më kryesorja është fakti se shumë të rijë e kanë fiksuar në kokë se në shtetet e perëndimit paguhen më shumë dhe shumë shpejtë mund të pasurohen. Pra problemi te të rinjtë është i natyrës psikologjike të cilët mendojnë se të shkohet jashtë Maqedonisë e të punohet shumë më shpejtë do të pasurohen dhe pasi të mbarojnë shkollën e mesme profesionale ata me vite nuk janë të interesuar për të punuar në vendin e tyre, por presin shansin e parë për të ikur në vendete e Evropës me shpresë se atje do të gjejnë një vend pune ku do të paguhen 10 herë më shumë se në Maqedoni për punën e njëjtë që bëjnë”, thotë Mehdi Qyra, drejtori i firmës ndërtimore private “TRIM-LUM” nga Struga.
Në anën tjetër, edhe analistja ekonomike Blagica Petreski vlerëson se arsyeja që të papunët në Maqedoni nuk konkurrojnë në shpalljet e firmave për pranimin e fuqisë punëtore është për shkak se ekziston një hendek i lartë midis ofertave dhe kërkesave për vendet e reja të punës si në aspektin e kuadrit kualifikues dhe në aspektin e sektorëve dhe se rrogat e tepër minimale që ofrohen nga punëdhënësit është arsyeja kryesore se pse nuk ka të interesuar për tu paraqitur në këto shpallje.
“Që të tejkalohet ky hendek është më se e domosdoshme të rritet produktiviteti dhe dalëngadalë të rriten rrogat. Në të njëjtën kohë duhet të promovohen profesione dhe të rinjtë të arsimohen për ato profesione që më së shumti kërkohen në tregun e punës në Maqedoni. Njëkohësisht rroga minimale që ofrohet prej 12.700 denarë është arsyeja se pse një numër i madh i të papunëve që janë të kualifikuar për ato vende të punës që kërkohen nuk tregojnë aspak interes të paraqiten në këto shpallje”, thotë Blagica Petrseki analiste ekonomike.
Ndryshe sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave shkalla e papunësisë në tremujorin e katërt të vitit 2017 në Maqedoni, 211.363 persona apo 23,1 për qind, ndërsa numri i. Nga numri i përgjithshëm i të papunëve, 60,3 për qind janë burra, ndërsa 39,7 për qind janë gra. Sipas moshës më së shumti të papunë ka nga 15 deri 24 vjeç 47,3 për qind, prej 25 deri 49 vjeç 22,3 për qind dhe prej 50 deri 64 vjeç ka 16,9 për qind të papunë. Në mesin e të papunëve 105.180 janë me arsim të mesëm të shkallës së katërt, 19.868 me arsim të mesëm me shkallë të tretë dhe me arsim të lartë 12.099 persona, magjistra 921 persona dhe doktor shkencash 33 persona Popullata aktive në Maqedoni numëron 950.255 persona prej të cilëve të punësuar janë 731.107 persona. Më shumë nga të punësuarit janë në industrinë përpunuese 137.351, bujqësi, pylltari dhe peshkatari 121.068 dhe tregti 109.065 persona. Të dhënat e fundit të Ministrisë se Shoqërisë Informative dhe Administratë numri total i të punësuarve në sektorin publik kap shifrën prej 130 mijë administratorë. (koha.mk)