Zejnulla VESELI
Shkup, 21 prill – Kur në një shtet si Maqedonia, ku më shumë vite ka pasiguri politike dhe një politizim të skajshëm të autoriteteve qendrore, të cilët më tepër merren me politika të larta se sa me problemet thelbësore të të rinjve apo mbijetesën e njerëzve, shumë të rinj marrin vendime që sa më shpejtë të shpërngulen nga Maqedonia. Kështu e vlerëson anketa e fundit, e realizuar nga Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar (QMBN) dhe Televizion Telma, shkruan gazeta KOHA.
Mbi 60 për qind e të rinjve të moshës 15 -25 vjet, mendojnë përgjithmonë të largohen nga Maqedonia, kurse 92 për qind e të anketuarve të moshës mbi 65 vjet nuk dëshirojnë të largohen, është përfundimi i këtij sondazhi të QMBN dhe Televizionit Telma, realizuar përmes anketës telefonike me 1000 anketues të moshave të ndryshme. Anketa e zhvilluar me të rinj në gjithë territorin e Maqedonisë, në pyetjen se a do të ishit shpërngulur nga Maqedonia nëse do të gjenit ndonjë punë në shtetet e BE-së, sondazhi ka nxjerr që më shumë se 61 për qind e të rinjve janë të gatshëm të emigrojnë jashtë vendit. “Më shumë se gjysma e rinisë është gati të lërë vendin. Nuk mund të përfytyrohet në një vend, si Maqedonia, që gjithmonë deklarohet se mbështetet te brezat e rinj, gjysma e rinisë të shprehet e gatshme të ikë nga këtu. Më mirë një kamerier në Italia apo Gjermani, se sa profesor në Maqedoni. Kështu janë shprehur të rinjtë e anketuar. Kjo është e jashtëzakonshme. Ata mendojnë se Maqedoni, vendi i tyre, nuk i ofron shanse brezit të ri, edhe pse ata e bëjnë shumicën e popullatës në Maqedoni”, thuhet mes tjerash në këtë anketë. Shikuar sipas nacionaliteteve, më shumë për të ikur nga Maqedoni janë shprehur pikërisht të rinjtë maqedonas. “Mbi 40 për qind e të rinjve maqedonas janë shprehur se do iknin nga Maqedonia dhe atë përgjithmonë, ndërsa 31 për qind e të anketuarve shqiptarë janë përgjigjur se do të iknin nga Maqedonia nëse atyre ju ofrohet ndonjë shans për të gjetur ndonjë vend pune në vendet e Evropës. 50 për ind e të rinjve të anketuar janë shprehur se standardi i ultë jetësor dhe pamundësia për të gjetur punë është arsyeja kryesore e largimit, ndërsa 15 për qind e të anketuarve janë shprehur se ikin nga Maqedonia për shkak të krizës së rëndë politike. Edhe personat e anketuar të moshës 35 deri në 54 vjet, gjithashtu janë shprehur se dëshirojnë të ikin nga Maqedonia nëse atyre ju ofrohet ndonjë mundësi pune në vendet e BE-së”, thuhet në anketën e realizuar nga QMBN dhe Televizioni Telma. Mungesa e vendeve të punës, sidomos për personat që kanë të kryer arsim të mesëm të kualifikuar, standardi i ultë jetësor, e në veçanti kriza politike këto tre vitet e fundit, sipas Bllagica Petreska, eksperte ekonomike, janë arsyet kryesore që numri më i madh i të rinjve nga Maqedonia marrin vendime për të blerë biletë udhëtimi vetëm në një drejtim për në vendet e ndryshme të BE-së. “Kriza politike e cila po zgjatë me vite në Maqedoni, po ushtron presion te të rinjtë në Maqedoni që të marrin vendime për të ikur jashtë vendit. Padyshim se dhe situate e rëndë ekonomike është po ashtu faktor kyç që të rinjtë të ikin. Të gjitha anketat tregojnë se 80 për qind e të rinjve, për shkak të situatës së rëndë financiare në familjet e tyre, marrin rrugën e emigrimit me mundësi për të mos u kthyer ndoshta asnjëherë”, thotë Petreska. Shqetësuese për Petreskën është fakti se nëse para pesë viteve të rinjtë deklaroheshin se ikin nga Maqedoni për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike, anketa e fundit tregon se shumë të rinj nga Maqedonia këtë e bëjnë për shkak të krizë politike dhe mungesës së një perspektive të qartë të Maqedonisë për të ardhmen. “Ikja e numrit kaq të madh të të rinjve jashtë vendit mund të sjellë pasoja të rënda për Maqedoninë, për shkak se në të ardhmen mund të kemi mungesë të fuqisë punëtorë, gjegjësisht Maqedonia rrezikon të mbetet në duar të personave të moshës mbi 60 vjet”, thotë Bllagica Petreska, eksperte ekonomike. Për sociologun Ilija Açevski, anketa e fundit se mbi 60 për qind e të rinjve do të dëshironin të ikin përgjithmonë jashtë shtetit, tregon qartë se të rinjtë nuk kanë besim te politika e këtij shteti dhe se nuk shohin asnjë perspektive në të ardhmen. “Është paradoksal fakti që mbi 60 për qind e të rinjve shprehen pro një emigrimi masiv jashtë vendit. Kjo njëherit tregon se pikërisht të rinjtë nuk kanë besim tek politika e këtij shteti. Nëse Maqedonia së shpejti nuk do të bëhet anëtare e BE-së viteve të ardhme, do të ketë tendencë rritje që sa më shumë të rinj të ikin nga Maqedonia”, thotë Açevski.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara