Masat për kufizim qarkullimi ndoshta nuk mund ta ndalin krejtësisht pandeminë, por ato të paktën na japin një porosi se situata nuk bën dhe se gjithkush është përgjegjës për sjelljet e veta. Shteti duhet të lë përshtypjen sikur bën diçka, e të njëjtën e kërkon edhe nga qytetarët… Më mirë se pa hiq
Nga Daut DAUTI
- “EFEKTI PSIKOLOGJIK”…
Këtu e nja 40 vjet më parë regjisori Goran Markoviq kishte bërë një film për epideminë e variola verës të vitit 1972 në ish-Jugosllavi. Ndoshta është tepër të thuhet se filmi merret me atë epidemi, por gjithsesi, një linjë të së vërtetës e kishte ndjekur. Filmi “Variola vera” nisë në aeroportin e Beogradit ku mes tjerash zbresin edhe disa haxhi të sapokthyer nga pelegrinazhi në Mekë e Medinë. Njëri nga këta udhëtarë është pikërisht haxhiu që e luan aktori shkupjan, i ndjeri Xhemail Maksut, i cili ndër simptomat e para të sëmundjes i përshfaq puçrrat e fytyrës, që të përfundojë pastaj në një spital infektiv të Beogradit. Me të zbuluar se është fjala për sëmundje të rrezikshme ngjitëse(variola vera), gjithë spitali ku ai shtrihet shndërrohet në karantinë, ku as mund të hyhet, as mund të dilet. Pastaj zhvillohet ngjarja filmike, e cila mund të mos ketë domosdo lidhje me të vërtetën, sepse ai ka përmbajtjen e vet artistike… Një nga personazhet që merret me menaxhimin e epidemisë brenda spitalit, është edhe një mjek (e luante aktori gjerman Peter Karsten) që vjen nga jashtë, i tëri i mbuluar me skafander dhe kaskë mbrojtëse, të cilit nuk i shihet fytyra deri në fund të filmit. Por kur “kalon rreziku“ ai e heq kaskën dhe i shfaqet fytyra, që i ngjan ndonjë personazhi të filmave horror, sepse atëherë zbulohet që e ka përplot shenja puçrrash të thara, të cilat i kanë mbetur ngase ai vetë kishte qenë i sëmurë nga variola vera. Kolegu i tij i habitur e pyet: Po ti, pse je maskuar kështu, kur dihet që e ke kaluar variola verën dhe je bërë imun ndaj saj. Mjeku i përgjigjet(parafrazoj):
“Po, unë jam imun, por kështu jam veshur për EFEKT PSIKOLOGJIK, që njerëzit të kuptojnë se po i qasemi seriozisht epidemisë!”
Për informim, epidemia e variola verës, me gjithë rrezikun si sëmundje ngjitëse, atë vit kishte infektuar rreth 140 persona, prej të cilëve kishin vdekur më pak se një e treta e tyre. Gjeneratat e vjetra e kujtojnë për publicitetin e madh mediatik dhe efektin psikologjik që arritën masat parandaluese të karantinimit të disa spitaleve ku qenë shtruar të sëmurit… Por, ajo epidemi dhe kjo pandemi janë të pakrahasueshme, përveçse në këtë çështjen e “efektit psikologjik” të masave, që shumë mirë e kishte kapur situata filmike e sipërtreguar. Kjo situatë m’u kujtua fill pasi qeveria e Maqedonisë vendosi sërish kufizimin e qarkullimit nga ora 22 deri në ora 5, në një periudhë edhe ashtu të rralluar qarkullimi, kur kontaktet as për së afërmi nuk janë aq të denduara sa në pjesën tjetër të ditës. Por, them, më mirë diç se hiq, sepse të shohësh se si pas një trendi të uljes së rasteve nga rreth 1400 që e arritëm një kohë maksimumin në rreth 200-300, sërish amplituda shkoi te 1000-jëshi, s’kishte më vend për komoditet, pos të ndërmerret diçka.
A do ta pengojë rritjen e mëtutjeshme të trendit të infektimeve? Sigurisht se nuk do ta sjellë në zero, por edhe nëse s’e arrin, të paktën të ndikojë për efekt psikologjik te njerëzit, për një vetëdijesim se gjersa shteti po ndërmerr diçka, gjërat nuk shkojnë mirë. Pak me fajin e shtetit, edhe më shumë edhe për fajin e vetë qytetarëve. Një vetëdijesim se me vetë daljen e vaksinës, nuk u fitua beteja, sepse siç po shohim, te vendet si Maqedonia, edhe vaksina jo vetëm që “udhëton gjatë”, por dhe vjen në sasi të vogla, që imunizimin e tufës as për së afërmi nuk mund ta bëjë siç po e bën Bajdeni në Amerikë, ku në maj pritet gjithë moshat madhore ta kenë marrë vaksinën. Pra, një porosi për qytetarët të hapin sytë, të shtojnë disiplinën në respektimin e masave, sepse tjetër qare nuk ka. Për më tepër, duhet vetëdijesim ngase edhe rrethanat pandemike janë keqësuar edhe nga vetë natyra e virusit, sepse modifikimi britanik që ka mbërritur tashmë në Ballkan, siç thonë hulumtimet, është për 64 për qind më vdekjeprurës se “origjinali” i tij!
P.S. Po paralajmërohet ardhja e 40 mijë vaksinave, 20 mijë nga Fajzer dhe po aq nga Astra-Zeneka. Vonesa e vakcinave deri tash, mund ta ketë edhe një të mirë, që të mësohet nga përvoja nga vaksinimi i vendeve tjera. E kjo përvojë, autoriteteve shëndetësore duhet t’ua çelë e t’ua bëjë katër sytë, sepse kjo vaksina e dytë nuk se ka kaluar pa kundërefekte dhe duhet të kenë kujdes, sepse disa shtete e kanë ndërprerë aplikimin e saj! Derisa pritet të arrijnë, më mirë të rishikojnë porosinë para se të ndodhë diçka serioze… Njësoj vlen edhe për vaksinat tjera, të cilat nuk kanë marrë aprovimin e organeve shëndetësore botërore, pasi vetë prodhuesit ende nuk i tregojnë rezultatet e hulumtimeve për efektin e tyre.
- “LEGALIZIMI” I VETË-MOHIMIT
Një kohë më habisnin televizionet shqiptare, të cilat, sapo të trajtonin ndonjë temë historike, e thërrisnin mohuesin më të madh të qenësisë shqiptare, atë historianin me diploma ndërkombëtare, i cili thoshte se shqiptarët i ka krijuar Austro-Hungaria, që me fjalë të tjera, shqiptarët në perandorinë Osmane nuk kanë qenë shqiptarë, siç bie fjala kanë qenë popuj të tjerë, serbët, bullgarët, rumunët, grekët… Vetëm shqiptarët i paska shpikë Austro-Hungaria! Ja, një historiani të tillë i jepnin hapësirë mediat e Shqipërisë, ndoshta nga një nevojë maniakale për të pas ndonjë mohues në debat! Nuk e kuptoj, vërtet këtë nevojë… Po nejse. Ky sindromi i mohimit, për motive fetare, nuk është se nuk është i pranishëm te një pjesë e klerit mendjeshkurtër të cilët kanë vetëm një prizëm shikimi, por si duket po përhapet edhe te do “mendjehapur” kosovarë, të cilët nuk do të duhej t’i shikonin gjërat ashtu. Prandaj shumë shikues mbetën të habitur nga një polemikë në Televizionin T7, ku për Skënderbeun polemizuan një profesor dhe një ish-student i tij. Ky i dyti, Rron Gjinovci, nuk e di se prej ç’burimi historik, tha se në Kuvendin e Lezhës nuk është folur shqip! Si tezë, mund dhe të qëndrojë, ku të dish, mund që princërit shqiptarë, që kanë qenë shumicë, me princër e bujarë të tjerë ballkanikë joshqiptarë, në gjuhë tjetër.Por Rroni i gjithëdijshëm, profesorit të tij, Blerim Latifi, ia “sqaron” bindshëm dijen që ka për çështje historike: “Kanë folë latinisht, kanë folë spanisht, se ti menon që Skenderbeu ka ditë shqip a”. Është një autor maqedonas, Petar Popovski që këtë “argument” do ta kishte pranuar me të dy duart nga shqiptari Rron Gjinovci, e për Jovan Deretiqin e autorë të tjerë serbë as të mos flasim.
E dini kush është filan-fisteku i përmendur, e dini që ka shkruar ndonjë vepër që të pohojë një gjë të tillë? Mos është ndonjë Oliver Shmit kosovar premtues që pretendon të sjellë fakte të reja nga jeta e Skënderbeut?
Me të drejtë prof.Milazim Krasniqi, i cili pas këtij “debati” do të porositë se Skënderbeu “nuk duhet të jetë temë e injorantëve”. Skënderbeu përfaqëson një fenomen të madh në sintezën e kombit shqiptar dhe se ishte fenomen unik, i cili përveç arbërishtes, fliste edhe gjuhët sllave (serbisht e bullgarisht), pastaj greqishten, osmanishten, persishten, arabishten dhe italishten. “Tjetër çështje është si mund të interpretohen episode nga jeta dhe vepra e tij. Por si fillim duhet të mësohet se kush ishte dhe çka përfaqësonte. Skënderbeu përfaqëson sintezën e kombit shqiptar, që përbëhet nga ortodoksë, muslimanë e katolikë. Pra, duhet të kuptohet se ishte një fenomen unik në historinë tonë. Ky fenomen nuk duhet të jetë temë e injorantëve.”, kishte porositur Milazaim Krasniqi.
- PËRQINDJET…
Këto përqindjet kanë dalë në pazar dhe veç licitohet. Jo janë kaq, jo janë aq shqiptarët…Regjistrimi i popullatës “në punë të përkohshme” në botën e jashtme filloi dhe me gjithë problemet softuerike, për dhjetë ditët e para ishin regjistruar mbi 45 mijë persona! Një trend i mbarë, do të thosha, mjafton që ky temp të mbahet deri në fund, dhe përfshirja të jetë sa më e madhe në përqindje, si një përgjigje adekuate licituesve të përqindjeve!
Por, licitimi me përqindje nuk pushon këtu, sepse pas shpalljes së rezultateve të konkursit të Ministrisë së Kulturës për projektet vjetore, prapë përqindjet dolën në pah. Sekretari i Ministrisë thotë se sivjet është bërë një padrejtësi, është ulur përqindja e projekteve shqiptare në 17 dhe se këtë do ta shqyrtojnë përsëri. Dolën disa të pakënaqur, thanë se kjo përqindje është nën 13, kurse ai që e ka “qesen”, kryeministri Zaev, na ngushëlloi se edhe kësaj radhe nuk paska diskriminim, sepse subjektet shqiptare kanë marrë mesatarisht rreth 24-26 për qind në kategoritë e ndryshme, kurse për maqedonasit rreth 58-64 për qind, që i bie se kanë marrë nën përqindjen e tyre në popullsinë e Maqedonisë, kurse edhe nacionalitetet tjera kanë marrë diku te 13-14 për qind. Më në fund, për të mos ia lënë asgjë rastit, për t’i fshirë kategoritë e përqindjeve, del ministrja e Kulturës dhe thotë se kriteri kryesor ka qenë cilësia e projekteve… Hajt merre vesh.
Nuk mund të themi se si publik kemi qasje të plotë te përqindjet, çka për shkak se përtojmë t’i analizojmë, çka për shkak jo të gjithë dimë metodologjinë e nxjerrjes së përqindjeve, por një gjë mund të thuhet me siguri të plotë, përderisa ka këso interpretimesh diametralisht të ndryshme, patjetër dikush nuk e thotë të vërtetën.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)