“Me mençuri arritëm të marrim tre pikët”

Shkup, 25 nëntor – Skuadra e Shkëndijës kaloi me sukses edhe xhiron e 16-të në LPFM, kur golat e Bejtullait dhe Eminit në fund të ndeshjes sollën triumf 2:0 në transfertën me Pobedën në Turnovë. Kuqezinjtë menaxhuan shumë mirë takimin dhe dolën me tre pikë përballë një rivali që kohëve të fundit din të shfaqet problematik për Shkëndijën.

“Duke marre parasysh bilancin negativ kohëve të fundit me Pobedën mendoj se kjo fitore ka edhe një peshë tjetër. Me këto tre pikë jemi kampionë të vjeshtës, megjithëse ky epitet është vetëm motiv për punën që duhet të bëjmë në të ardhmen. Sa i përket ndeshjes mendoj se zhvilluam lojë stabile dhe me mençuri arritëm të marrim tre pikët”, u shpreh për faqen e klubit trajneri Qatip Osmani përcjell gazeta KOHA.

Sipas teknikut kuqezi vendimtar në arritjen e fitores ishte durimi që shfaqi skuadra gjatë gjithë lojës, duke besuar se goli gjithsesi do të vinte.

“Në pauzën mes dy pjesëve analizuam pjesën e parë dhe e potencuam durimin që duhej ta manifestojmë. Ndodh shumë rrallë Shkëndija të mbyll ndeshjen pa shënuar gol, kështu që ishte me rëndësi të sigurojmë mbrojtjen që mos pranojmë. Epërsia erdhi ndoshta pak vonë, por pas golit të shënuar mendoj se menaxhuam lojën si duhet deri në fund dhe me golin e dytë vulosëm fitoren”, shtoi më tej Osmani.

Paralel me faktin se regjistruan fitoren e 11-të kampionale dhe të shtatën me radhë, kuqezinjtë thyen një seri negative me Pobedën nga e cila kanë pësuar dy disfatat e vetme në sezonin e ri, të dyja në Tetovë. Prilepasit fitonin 2:0 në kampionat dhe 1:0 në çerekfinale të Kupës, por Shkëndija sot morri rezultat i cili nëse përsëritet në takimin e kthimit të Kupës atëherë kuqezinjtë kalojnë në gjysmëfinale.

“Kjo fitore ka vlerë më të madhe se vetëm tre pikë. Përveç kësaj ne kishim qëllim që të thyejmë atë barrierë psikike që u krijua ndaj Pobedës. Pra përveç tre pikëve të sotme ne treguam se mund t’i fitojmë si mysafirë dhe natyrisht se synojmë gjysmëfinalen e Kupës”, përfundoi Osmani.