A do t’ia dalë Maqedonia që të rrumbullakojë reformën ligjore duke pasur parasysh zhvillimet e shumta politike që e presin brenda saj, ratifikimi i Marrëveshjes së Prespës, zgjedhjet presidenciale si dhe zhvillimet në vet BE-në, zgjedhjet në disa vende anëtare…?
Destan JONUZI
Shkup, 15 janar – Republika e Maqedonisë duhet që para publikimit të Raportit të Progresit të Komisionit Evropian të miratojë mbi 35 ligje me prefiks evropian, nga të cilët varet edhe caktimi datës për fillimin e bisedimeve të Maqedonisë me Bashkimin Evropian (BE) për anëtarësim. Por, për shkak se në prill priten të mbahen zgjedhje në disa vende anëtare të BE-së, Raporti për Maqedoninë mund të shtyhet për më vonë ose për në muajin qershor, kur Maqedonia pret datën për fillimin e bisedimeve me BE-në. Që të arrihet në kohë, siç merr vesh KOHA, Maqedonia duhet urgjentisht të miratojë Ligjin për parandalimin e korrupsionit, ligjin kundër diskriminimit si dhe një sërë ligjesh që kanë të bëjnë me gjykatat, po ashtu edhe ndryshimet dhe plotësimet ligjore mbi Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK). Ndërkaq në katër muajt e kaluar janë mbajtur pesë takime parapërgatitore, në të cilat është shqyrtuar kapitulli 23 dhe 24, gjyqësori, të drejtat fundamentale, drejtësia dhe siguria publike, kontrolli financiar, furnizimet publike dhe shërbimet tregtare. Ndërsa deri në prill duhet të mbahet edhe një takim parapërgatitor për kapitullin 21, në të cilin midis tjerash theksohet edhe e drejta e obliguar e BE-së për vendet aspirante.
Por, a do t’ia dalë Maqedonia që të rrumbullakojë reformën ligjore duke pasur parasysh zhvillimet e shumta politike që e presin brenda saj, ratifikimi i Marrëveshjes së Prespës, zgjedhjet presidenciale si dhe zhvillimet në vet BE-në, zgjedhjet në disa vende anëtare etj. Natali Petrovska, drejtoreshë e “Coalition All For Fair Trials” (Koalicioni të gjithë për një gjykim të drejt) thotë se Qeveria, gjegjësisht Parlamenti në periudhën e kaluar kanë dëshmuar se kur ka vullnet dhe interes të përbashkët, mund të jenë efikas dhe të miratojnë zgjidhje ligjore për të cilat vlerësojnë se janë të domosdoshme dhe të nevojshme.
“Kemi humbur mjaftë kohë me turbulenca të përditshme politike që ka mundur të shfrytëzohet në mënyrën më të mirë nëse të gjithë e kishin të qartë qëllimin final të procesit euro-integruese”, thotë për gazetën KOHA, Natali Petrovska, drejtoresh e Coalition All For Fair Trials. Lidhur me atë se për disa ligje të rrugëtimit të Maqedonisë drejt BE-së janë të nevojshme 2/3 e votave të deputetëve, Petrovska thotë se kjo mund të arrihet për arsye se një gjë e tillë është dëshmuar për procese edhe më të diskutueshme politike. Nga ana tjetër, profesoresha universitare Besa Kadriu thekson se kanë filluar të krijohen parakushte të cilat kanë një përkrahje edhe nga strukturat vendore drejt një orientimi pro evropian. “Kjo mundëson që një tendencë e politikëbërjes së këtillë nga aktorët vendor të gjejë më shumë përkrahje, çështje këto të cilat ju vijnë në favor edhe aktorëve të politikës ndërkombëtare të cilët në këtë rast kanë më shumë interesim për të favorizuar Maqedoninë drejt proceseve të integrimit të vendit. Nëse ky trend i zhvillimit politik ndiqet edhe më tej, konsideroj që “rrota” e zhvillimit që çon para proceset do të lëvizë situatën e gjithmbarshme në Maqedoni e me këtë edhe do të shkojë vendi nga e mbara”, deklaroi për KOHA, Besa Kadriu, profesoreshë universitare.
Në favor të ligjeve me prefiks evropian është edhe profesori universitar dhe ish-diplomati Gjorgji Spasov, i cili konsideron se me rëndësi është që Republika e Maqedonisë të bëjë gjithçka që është e mundur për procesin euro integrues. “Nëse gjatë fundjavës miratohen amendamentet për ndryshimet Kushtetuese të gjitha forcat e deputetëve dhe shumicës parlamentare do të përqendrohen në miratimin dhe implementimin e ligjeve me prefiks evropian. BE ka premtuar dhe nuk mendoj se do të ketë asnjë problem që në qershor Maqedonisë t’i caktohet datë për fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Kjo do të ishte respektim i gjithë asaj që e ka bërë Maqedonia. Nga ana tjetër kjo nuk paraqet ndonjë obligim serioz për BE-në. Turiq për shembull ka kohë që po zhvillon bisedime për anëtarësim dhe nuk dihet se kur dhe a do të anëtarësohet bë BE. Serbia pas gjithçka që bëri në Ballkan tanimë po zhvillon bisedime. Por, megjithatë nuk mund të jemi të sigurt”, tha për gazetën KOHA, Gjorgji Spasov, ish-diplomat.
Sipas tij, harmonizimi i ligjeve të Maqedonisë me ato të BE-së është në dobi të qytetarëve edhe pa një anëtarësim të shpejt në BE. Për t’u arritur ky qëllim madhor i Maqedonisë, zëvendës-kryeministri për çështje evropiane Bujar Osmani ka paralajmëruar mobilizim të gjithë administratës që nga nëpunësit e deri te ministrat me qëllim që të përmbushet agjenda e reformave. (koha.mk)