Në procedurën e zgjedhjes së anëtarëve të ri të Komisionit për antikorrupsion, do të marrë pjesë edhe sektori civil, përfshi këtu edhe mediat. Kjo rregull pritet të respektohet pas miratimit të Ligjit të ri për luftë kundër korrupsionit, i cili siç njoftojnë nga Ministria e Drejtësisë, është në përputhje me të gjitha rekomandimet e Komisionit Evropian
Omer XHAFERI
Shkup, 22 shtator – Deputetët, sektori civil dhe opinioni në përgjithësi mund të fillojë me dhënien e propozimeve për Propozim-ligjin e ri për luftën kundër korrupsionit. Kjo thirrje vjen nga Ministria e Drejtësisë si propozues e Ligjit në fjalë, sipas të cilës, me përmbajtjen e re ligjore, synohet bashkim i Ligjit për luftë kundër korrupsionit dhe Ligjit për luftën kundër konflikteve të interesit, shkruan gazeta KOHA. Ndryshimi apo miratimi i Ligjit të ri, siç njoftojnë nga Ministria e Drejtësisë, mbështetet në tetë pika. Duke pasur parasysh se nga viti 2002 e deri më sot ky ligj është ndryshuar shtatë herë radhazi, propozuesi thekson se kjo kornizë ligjore do të pësoj ndryshime në një të tretën e tekstit ligjore, respektivisht me automatizëm, sipas tyre, lind nevoja për aprovimin e një Ligji të ri kundër korrupsionit.
Tutje në arsyetimin e miratimit të Ligjit të ri, nga Ministria e Drejtësisë shprehen se Komisioni shtetëror për antikorrupsion, pas miratimit të Ligjit, do të ketë mundësi të ngritjes së kallëzimeve penale, kompetencë e cila me Ligjin aktuale nuk i takon. Qëllim shtesë i miratimit të këtij Ligji është përforcimi i kompetencave të Komisionit në fjalë, gjegjësisht ndarja e më shumë mjeteve financiare për punën dhe aktivitetet e tyre. Në propozim-tekstin e publikuar në Regjistrin elektronik të shkresave, Ministria e Drejtësisë potencon se miratimi i këtij Ligji synon që Komisioni antikorrupsion të jetë i obliguar të japë vlerësime dhe propozime për ligjet që paraprakisht do të zhvillohet kontroll antikorrupsion.
“Njëkohësisht, ky Komision do të ketë të drejtën e veprimit në bazë të denoncimeve që i bëjnë qytetarët dhe firmat për dyshimet korruptive dhe konfliktit të interesave, gjegjësisht ngritjes së iniciativave për konstatim të përgjegjësisë së personave zyrtare dhe hapjen e procedurës penale për punën që e bëjnë ata. Kompetencë tjetër, e cila i jepet këtij Komisioni është veprimi në rastet e konflikteve të interesit publike dhe atij privat, pastaj ta ndjek dhe evidentoi gjendjen pronësore të funksionarëve me mbajtjen e regjistrave të personave të zgjedhur dhe të emëruar, respektivisht ngritjen e procedurave para organeve përkatëse në bazë të raporteve që i publikon Enti shtetëror i revizionit”, thuhet mes tjerash në propozim Ligjin për parandalimin e korrupsionit dhe konflikteve të interesit.
Precizimi i afateve të veprimit është kompetenca e radhës që i jepet Komisionit për luftë kundër korrupsionit. Pas miratimit dhe hyrjes në fuqi të Ligjit në fjalë, Komisioni shtetëror për antikorrupsion, sipas dispozitave të reja, do të obligohet në afat të caktuar ti shqyrtoj ankesat për financim të fushatave zgjedhore, shfrytëzimin e mjeteve buxhetore e kështu me radhë. Ndërsa institucionet dhe partitë politike do të obligohen që në afat prej 15 ditëve t’ju lejojnë qasje anëtarëve të komisionit në të gjitha dokumentet e duhura.
“Komisionit shtetëror i antikorrupsionit në afat prej 60 ditëve obligohet ta informoi personin që ka ngritur iniciativë për kontroll të financimit të partisë politike dhe ta informoi opinionin për zbulimet nga procedura e hapur. Po ashtu ky Komisionit obligohet që në afat prej 24 orëve ta dorëzoi ankesën kundër personit që është ngritur iniciativë për vërtetim të përgjegjësisë dhe e njëjta mund të prononcohet për zbulimet në atë ankesë në afat prej tre ditëve nga dita e pranimit. Komisioni obligohet që në afat jo më të gjatë se pesë ditë nga dita e parashtrimit të ankesës, në seancë publiket ti kontrolloj gjetjet dhe ndaj të njëjtave të veproj. Për këto ankesa Komisioni obligohet të vendos në seancë publike dhe në afat prej 24 orëve nga mbajtja e seancë vendimet duhet ti publikoi në ueb faqen e saj”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.
Në përshkrimin e Ligjit të ri, mes tjerash thuhet se në rast të vërtetimit të dyshimeve për cilindo qoftë iniciativë për kontroll të përgjegjësisë, Komisioni është i obliguar të ngre procedurë për vërtetim të përgjegjësisë para organeve përkatëse në afat prej 15 ditëve nga miratimi i vendimit. Njëkohësisht Komisioni shtetëror për antikorrupsion në afat prej tre muajve nga dita e përfundimit të zgjedhjeve duhet që në Parlament të dorëzoj raport të veçantë për gjendjen faktike të financimit të fushatës zgjedhore.
Me këtë Ligj të ri, Komisioni i garantohet qasja deri te informacionet e kërkuara për personat zyrtare dhe partitë politike, me qëllim vërtetimi e gjendjes pronësore dhe keqpërdorim të financimit të fushatës zgjedhore dhe partive. “Të gjitha organet shtetërore, institucionet financiare dhe partitë politike obligohet të përgjigjen në kërkesat e Komisionit, gjegjësisht ky Komision do të ketë të drejtë të kontrollit të furnizimeve publike në raste të dyshimeve edhe atëherë kur nuk ka zgjedhje”, theksohet në Propozim-Ligj. (koha.mk)