Trajneri i kombëtares shqiptare dhe ish-mbrojtësi i Real Madridit, Christian Panucci, shpreson se trajneri i ri i “Los Blancos”, Santiago Solari, do të arrijë sa më shumë, si Zinedine Zidane, në “Santiago Bernabeu”, edhe pse pranon se argjentinasi përballet me një detyrë të vështirë. Këtë prognozë, italiani e bëri në një prononcim për Goal.com. Solari, i cili luajti me Zidane nën ngjyrat e Real Madridit, gjatë epokës së famshme “galactico” të klubit, u konfirmua zyrtarisht si zëvendësues i Julen Lopetegui, pas një ecurie mbresëlënëse rezultative në periudhën e kujdestarisë së përkohshme, pas shkarkimit të paraardhësit të tij.
“Kur një trajner i ri bën gjëra të mira, është mirë për të gjithë. Është më e lehtë për të trajnuar Real Madridin, sesa Romën, apo Shqipërinë. Solari ka një shans të madh për të bërë një punë të mirë. Ai fitoi katër ndeshje si trajner dhe iu dha një kontratë deri në vitin 2021”, shtoi Panucci.
“Nëse humbni kundër Eibarit, duhet të reagoni shpejt”, shtoi Panucci, duke sugjeruar se Real Madridit nuk do t’i mungojë motivimi kundër Romës, në ndeshjen e Ligës së Kampionëve, të martën.
Panucci e gjen veten në një dilemë, përpara ndeshjes së të martës, në “Olimpico”. Ish-lojtari i kombëtares së Italisë e ka veshur fanellën e të dyja skuadrave, Romës dhe Real Madridit, gjatë një karriere të gjatë, të mbushur me trofe, që përfshinte edhe një periudhë të paharrueshme me Milanin e madh.
Për këtë arsye, ai e ka të vështirë të zgjedhë një fitues nga përplasja e sotme e Ligës së Kampionëve:
“Kjo është një e pyetje e vështirë për t’iu përgjigjur. Real Madridi është Real Madridi, e mbaj në zemër me krenari të madhe. Unë kam shumë miq atje. Kam luajtur tetë vite në Romë, edhe kjo është diçka e veçantë. Gjithsesi, e shoh këtë lojë ndryshe tani: shikoj taktikat, lëvizjet e trajnerëve për të mësuar diçka”, përfundoi Panucci.