Rrjeti për bashkëpunim afarist EEN do të ndihmojë që kompanitë e vogla dhe të mesme të përmirësojnë kapacitetet e tyre teknike dhe teknologjike si dhe të realizojnë kontakte me bizneset e jashtme
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 23 prill – Shumica e kompanive të vogla dhe të mesme në Maqedoninë e Veriut nuk posedojnë mjaftueshëm kapacitete për të eksportuar mallra dhe shërbime, si dhe nuk plotësojnë standardet që kërkohen në tregjet e jashtme. Andaj rrjeti për bashkëpunim afarist EEN, do të ndihmojë që kompanitë e vogla dhe të mesme të përmirësojnë kapacitetet e tyre teknike dhe teknologjike si dhe të realizojnë kontakte me bizneset e jashtme ,duke komunikuar përmes internetit me partnerët evropian, përmes aplikacionin celular “Ino Biz”.
“Qëllimi kryesor i kësaj vegle është përshpejtimi i ndërkombëtarizimit të biznesit vendor ku aktualisht mbi 300 kompani ë vogla dhe të mesme e shfrytëzojnë atë , andaj shpresojmë që të ketë rezultate të suksesshme nga mundësitë që ofrohen përmes saj .Kompanitë kanë mundësi që përmes kësaj vegle shumë më lehtë dhe më shpejtë që të vijnë deri tek partnerët e jashtëm , si dhe të fitojnë informacionet më të reja që i kanë apo i ofrojnë kompanitë botërore , apo edhe të aplikojnë për grantet e ndryshme”, thotë Aleksandar Filipovski nga Fondacioni për menaxhment dhe hulumtime industriale.
Në ndërkohë, ekspertët thonë se kompanitë vendore shumë pak eksportojnë shërbime dhe prodhime jashtë shtetit, ndërsa pritet që një vegël e tillë të rrisë dhe mbështesë depërtimin e tyre në tregjet e jashtme.
“Kompanitë vendore të vogla dhe të mesme më së shumti eksportojnë në rajon. Ne nuk mund të ndikojnë në rritjen e kapaciteteve të kompanive që shpesh posedojnë resurse të kufizuara për eksport dhe ballafaqohen me barriera dhe kritere të ndryshme që e pamundësojnë diçka të tillë , por megjithatë jemi në disponim të kompanive që kanë kapacitete për eksport që tu ndihmojmë të realizojnë potencialet e tyre duke ju ofruar kanale të caktuara për komunikim me jashtë”, thotë profesori Viktor Stojmanovski nga Fakulteti i Makinerisë në Shkup.
Sipas tij , një nga qëllimet e kësaj vegle është edhe rritja e transferim të teknologjisë tek kompanitë e vogla dhe të mesme, si dhe rritja e projekteve hulumtuese-shkencore, që në fund do të sjell edhe rritjen e inovacioneve dhe konkurrencës së ekonomisë vendore. Njëherazi Rrjeti afarist evropian do të ndihmojë kompanitë vendore, të gjejnë edhe partner të jashtëm sipas nevojave dhe kërkesave të tyre sipas sektorëve ku ato veprojnë. Bizneset kanë mundësi që të fitojnë edhe profil afarist , përmes të cilit do të mund të ofrojnë prodhimet e tyre jashtë shtetit.
Në ndërkohë, të dhënat tregojnë se një pjesë e madhe e prodhimeve që Maqedonia eksporton jashtë janë lëndë të para ose gjysmë prodhime që në ndonjë shtet tjetër inkorporohen në prodhime të gatshme. Gjithashtu, më shumë se gjysma e eksportit realizohet nga kompanitë e huaja që shumë pak shfrytëzojnë lëndët e para vendore. Njëherësh prej afër 72 mijë kompanive në vend, vetëm 5 për qind prej tyre apo 3500 eksportojnë jashtë shtetit. Prej tyre, 2800 janë mikro me deri 10 të punësuar dhe firma të vogla me 50 të punësuar, ndërsa vetëm 110 janë kompanie të mëdha me mbi 250 të punësuar.
Andaj , në të ardhmen sfidë për ekonominë e vendit, rritjen e pagave, përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve, paraqet edhe rritja e numrit të prodhimeve vlerë të shtuar apo prodhimeve inovative në vend të numrit të vogël të prodhimeve me fazë finale të përpunimit apo që janë të dedikuara për konsum final. (koha.mk)