Omer XHAFERI
Shkup, 17 maj – Në Prokurorinë e Shkupit lidhur me ngjarjet e dhunshme në Parlament të mërkurën e ka dhënë dëshminë e tij edhe kryeparlamentari Talat Xhaferi. Ai tha se Prokurorinë e ka informuar me të gjitha aspektet e ngjarjes në drejtim të implikimit të kryerjes së veprave penale që çuan deri në demolimin e Parlamentit dhe dhunën e ushtruar ndaj deputetëve dhe gazetarëve, që në masë të madhe i ishte rrezikuar jeta. “Në kuadër të këtyre zhvillimeve besoj se dëshmia e dhënë para organeve të prokurorisë padyshim do të kontribuojë për definimin e plotë të inkriminimit të të gjithë atyre që janë përfshirë në këtë vepër penale me veprimet apo mos veprimet e tyre”, tha kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi. Gjatë ditës së mërkurë para Prokurorisë së Shkupit, përjetimet e natës së 27 prillit i ka rrëfyer edhe deputetja e LSDM-së, Frosina Remenski, dhe dy deputete të VMRO-DPMNE-së. Duke synuar zbardhjen e plotë sulmit në Parlament, në këtë Prokurori deri më tani përpos deputetëve, Ministria për Punë të Brendshme ka dorëzuar një varg kallëzimesh penale. Pjesa dërmuese e këtyre padive penale të ngritura nga Sektori për Punë të Brendshme Shkup, të cilat Prokuroria e Shkupit i ka shqyrtuar dhe më pas i ka proceduar deri tek Gjykata Penale e Shkupit, kanë pasur të bëjnë me veprën penale “pjesëmarrje në turmë njerëzish”.
LISTË E GJATË E HULIGANËVE
Ndërkaq, për veprën “tentim vrasje” deri më tani Prokuroria e Shkupit ka iniciuar hetim vetëm ndaj dy të dyshuarve, të cilëve u është shqiptuar masa e paraburgimit 30 ditor, respektivisht bëhet fjalë për dy të dyshuarit e parë të sulmit ndaj deputeti dhe kryetarit të LR-PDSH-së, Zijadin Sela. Policia e Shkupit, njëkohësisht jo zyrtarisht ka njoftuar se gjatë ditëve të kaluara ka identifikuar edhe 25 të dyshuar tjerë për sulmin ndaj Parlamentit dhe dhunën e ushtruar ndaj deputetëve. Lista e gjatë e huliganëve me dhe pa maska të cilët në mënyrë të organizuar mbrëmjen e 27 prillit u futën në Parlament, mendohet të jetë mbi 300 persona. Ndërkaq, në mesin e organizatorëve thuhet se kanë marrë pjesë edhe pjesëtar të policisë sekrete, policë nga njësitë speciale të MPB-së dhe kriminelë të njohur nga nëntoka.
FILLON PROCESI GJYQËSOR PËR 30 TË DYSHUAR
Ngritja e propozim-akuzës nga Prokuroria e Shkupit ditë më parë, nënkupton se procesi gjyqësor kundër 30 të akuzuarve që pritet të fillon të enjten (18 maj) do të zhvillohet me procedurë të shkurtër. Në këtë mënyrë 20 ditë pas ngjarjeve të përgjakura që ndodhën në Parlament, Prokuroria e Shkupit para Gjykatës Penale të Shkupit, do të duhet të dëshmojë prova dhe fakte kundër 10 personave që e kanë kryer veprën penale “pjesëmarrje në turmë njerëzish” dhe dëshmitë kundër pjesës dërmuese të huliganëve për të cilët kjo prokurori gjatë javëve që lamë pas kërkoi shqiptimin e masës së kujdesit. Ndërkohë, një pjesë bukur e mirë e ekspertëve juridik duke i komentuar zhvillimet e Parlamentit, kanë theksuar se Prokuroria duhet të bëjë rikualifikimin e veprave panele për të cilat i paditë huliganët. Kjo, pasi që sipas tyre, një sulm i organizuar ndaj Parlamentit dhe deputetëve, pa asnjë dyshim përfshihet si vepër penale e krimit të organizuar, gjegjësisht në këtë rast të dyshuarit duhet të përndiqen si pjesëmarrës në “organizatë terroriste” dhe “terrorizëm”. Ndërkohë, në mbështetje të personave të arrestuar të enjte para Gjykatës Penale të Shkupit do të protestojë shoqata “Tvrdokorni”. (koha.mk)