Thonë se, Biden e njeh më së miri Ballkanin, se çdo kush tjetër në Amerikë. Prandaj, duhet të mbështetemi dhe të besojmë në empathinë dhe vlerat tjera njerëzore të tij. Kjo është shpresa e mbarë botës, që të ketë një qeverisje me fytyrë dhe sjellje njerëzore, për të gjithë planetin. Zoti na e bëftë për hair presidencën e zotit Joe Biden
Nga Shaqir ISLAMI
Dje, mu në mesditë e nisi detyrën prijësi Joe Biden. Kështu e ka demokracia. Ndryshimi i udhëheqjes së vendit, vjen si pasojë e zgjedhjeve të lira të qytetarëve. Kjo është bukuria e demokracisë. Dje, familja Trumpu largua nga Sarajet e bardha dhe e them me gjithë shpirt dhe zemër se,‘shyqyr që u largua’; ndërsa familja Biden u vendos aty, dhe,po ashtu them se ‘shyqyr që u vendos’. Dhe sot, nis ndryshimi – aq i pritur – anekënd botës. Sipas asaj që shohim e lexojmë, të gjithë janë rehatuar; përveç qeverisësve me prirje autoritare. Shumë veta thonë se, prej sot bota ka gjasa të nis të normalizohet – ndonëse jemi duke përjetuar kohëra të vështira të një pandemie shkatërruese ! vetëm me një të keqe bota mund të ballafaqohet, por, me dytë këqija është shumë më vështirë.
Pajtohem, me ata që vlerësojnë se qeverisja Trump e tundi dhe çmendi jo vetëm ShBA-në, por, edhe botën globale! Ky model qeverisës nisi të përhapet dhe të imitohet si virusi-korona edhe nëpër vende ku nuk ka institucione të fuqishme të kontrollit dhe të drejtpeshimit të pushteteve. Prandaj, njerëzimi rrezikohej nga ky lloj i qeverisjes dhe plus pandemia. Njëri ndër dallimet e shumta mes personaliteteve të Trump’it dhe z. Biden – aq sa ka mund të ndjek vogëlsia ime nga analizat dhe shkrimet e autorëve të ndryshëm që e kundrojnë dhe shqyrtojnë jetën politiko-shoqërore të ShBA-ve dhe të botës globale – është ndjenja e empathisë. Përveç tjerash, Donald Trumpit i mungonte ky tipar njerëzorë; ndërsa Presidenti Biden – vlerësohet, nga ata që e njohin, se është një personalitet me empathi të theksuar të karakterit të tij.
Unë mendoj se ky tipar është i rëndësishëm për çdo qeveritar – dhe për mua mjafton – kudo qoftë. Mungesa e ndjenjës së empathisënë karakterin e njeriut është një e metë njerëzore që ndikon edhe në zhvillimin e demokracisë dhe të mbarë njerëzimit!Për të mirë – ose për të keq! Pse ka rëndësi ndjenja e empathisë për një qeverisës të kalibrit të Presidentit amerikan ? Le të shohim, së pari, se çka do të thotë shprehja empathi: sipas, https://www.merriam-webster.com/dictionary/empathy, kjo shprehje përkufizohet kështu: një veprim për t’i kuptuar, për të qenë i ndërgjegjshëm, për të qenë i ndjeshëm dhe për t’i përjetuar ndjenjat, mendimet dhe përvojat e tjetrit në mënyrë indirekte (tërthorazi) …
Ndërsa, https://dictionary.cambridge.org/dictionary/english/empathy, shprehjen empathi, e shpjegon kështu: “aftësia për t’i përjetuar ndjenjat dhe përvojat e dikujt, duke imagjinuar se si do të ndjeheshim sikur të ishim në situatën e atij personi”.
Pra, fjala empathi ka të bëjë me ndjenjat e njeriut, me të cilat kuptohet se si dikush mund të ndjehet, pa i pasur vet këto ndjenja.
Ndoshta dikujt mund t’i duket empathia me shumë pak vlerë dhe rëndësi për të qeverisur një shtet të fuqishëm si Amerika. Por, unë jam i bindur se ky tipar njerëzor ka një vlerë të shtuar për çdo njeri, çdo veprimtari dhe çdo zanat njerëzorë. Sidomos qeverisja e shoqërive, qofshin të rëndësishme apo të pa rëndësishme, dallon shumë nëse një prijës e ka, ose nuk e ka këtë tipar njerëzor. Gjatë qeverisjes së Trumpit, mungesa e empathisë, vërehej dukshëm si në sjelljen ashtu edhe në komunikimin e tij të përditshëm, dhe sidomos me pjesën e botës së varfër. Ai i përbuzte popujt e varfër duke i quajtur si: “shitholecuntries”( vende qenefi). Braktisi aleatët Kurdë në Siri, në mëshirën e dushmanëve të tyre, ‘pa prit e pa kujtu’. Me një fjalë ai i adhuronte dhe respektonte të fortit dhe të dhunshmit. Ndërsa i përbuzte dhe i shkelte fukaranë dhe të dobëtit, për shkak të skamjes së tiparit të empathisë në karakterin dhe personalitetin e tij.
Ajo që më shtyri ta shkruaj këtë shkrim, është fati ynë. Qeverisja Trump pati ndikim të hatashëm edhe në Ballkanin tonë, e cila ende është me prirje të madhe të lëkundjeve tektonike. Fitoren e tij, serbët e pritën me slogane: “Trump Sërbine”. Ndërsa, deri dje e mallkonin dhe nëmnin ShBA-në! Pasi, Trump njihej si politikan i ‘pazarllëqeve të pista politike’ dhe simpatizues i hapur i Rusisë, natyrisht se shfaqi një droje për fatin tonë në Ballkan.
Thonë se, Biden e njeh më së miri Ballkanin, se çdo kush tjetër në Amerikë. Prandaj, duhet të mbështetemi dhe të besojmë në empathinë dhe vlerat tjera njerëzore të tij. Kjo është shpresa e mbarë botës, që të ketë një qeverisje me fytyrë dhe sjellje njerëzore, për të gjithë planetin. Zoti na e bëftë për hair presidencën e zotit Joe Biden.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)