David Beckham është rrëfyer në lidhje me të famshmin incident të vitit 2003, teksa me shaka tha se ishte pikërisht në atë moment kur ai kuptoi se sa lojtar madhështor kishte qenë Sir Alex Ferguson. Për shkak të atij incidenti, Beckham pati të domosdoshme qepjen mbi syrin e tij të majtë, teksa Ferguson, në mënyrë të paparalajmëruar dhe krejt papritur e goditi direkt me një këpucë. Gjithçka ndodhi pas eliminimit të Manchester United nga FA Cup, i mundur nga Arsenal.
Ferguson ishte i njohur për trajtimin e ashpër që i bënte futbollistëve të tij, në momentet e diskutimeve, sa herë që ishte i pakënaqur me performancën e United. Por pas humbjes në shtëpi 2-0 ndaj Arsenal, Beckham zbuloi se trajneri legjendar i United e nxorri inatin e tij në një mënyrë krejtësisht ndryshe, duke shkelmuar një grumbull rrobash që qëndronin në dyshemenë e dhomës së zhveshjes në “Old Trafford”.
“Gjatë 13 viteve patëm disa episode. Në mbrëmjet e Champions League, trajneri vinte në fushë dhe godiste penallti dhe goditje dënimi, duke na thënë të gjithë futbollistëve se sa madhështor ishte kur luante. Ajo herë, kur unë vërtetë zbulova se sa madhështor ishte, ndodhi në ndeshjen kundër Arsenal, më 16 shkurt 2003. Bëra nja dy gabime gjatë ndeshjes dhe ai erdhi në dhomën e zhveshjes dhe aty shkëmbyem disa fjalë. Ai nisi të ecë në drejtimin tim dhe shkelmoi një grumbull me rroba në dysheme. Prej aty doli jashtë një këpucë që më goditi dhe aty kuptova sa i saktë ishte vërtetë ai”, tregoi Beckham.