“Më gjeni një sulmues, që nuk është egoist”

Sulmuesi i Barcelonës, Luis Suárez, dha një intervistë për “Otro”. Lojtari uruguajan foli për nevojën e të luajturit si skuadër, edhe pse në momentin e së vërtetës ai vlerësohet për të shënuar gola. Suarez, gjithashtu, kujtoi kohën në të cilën formoi “tridentin” me Leo Messin dhe Neymarin.

“Më gjeni një sulmues, i cili nuk është egoist. Por, futbolli i sotëm do që të jesh në funksion të ekipit. Të menduarit si partner, si koleg, është filozofi pune te Barcelona. Kjo, për të fituar ndeshjet dhe titujt. Gjuha që të gjithë kuptojmë është përkushtimi. Ne duhet të kemi miqësi, të punojmë së bashku për të njëjtin qëllim dhe për të arritur gjëra të rëndësishme në futboll”.

Po si ndihet një sulmues si ai, që ka luajtur bashkë me Neymar dhe Messi? “Unë kam ardhur te Barcelona, kur ishte Neymar dhe Messi në ekip. Shumë më pyesnin se ku do të luaja unë. Iu dhashë përgjigje me punën time, duke luftuar, duke kërkuar hapësirat ku mund të përshtatesha me dy lojtarët më të mirë në botë. Gjithçka ishte vetëm një çështje përshtatjeje dhe e të qenit i zgjuar”, – nënvizon uruguajani.