Barcelona e ka përgatitur një fanellë të veçantë për ndeshjen e së shtunës, kundër Real Madridit. Kjo do të jetë El Clasico e dytë që zhvillohet këtë javë, pas fitores së katalonasve në gjysmëfinale të Kupës së Mbretit.
Dy golat e shënuara nga Luis Suarezi dhe autogoli i Raphael Varane bënë që Barcelonë të fitojë me rezultat 3:0 në ndeshjen e mbrëmshme, në “Santiago Bernabeu”, duke u kualifikuar në finale me rezultat të përgjithshëm 4:1, transmeton Gazeta Express, përcjell gazeta KOHA.
Skuadra e trajnerit Ernesto Valverde do të tentojë ta përsërisë këtë sukses edhe të shtunën, kur përballet përsëri me skuadrën e Santiago Solarit, këtë herë në La Liga.
Edhe ndeshja e së shtunës do të zhvillohet në Santiago Bernabeu, mirëpo fanella me të cilën do të luajnë lojtarët e Barcelonës do të jetë më ndryshe. Kjo pasi që katalonasit kanë vendosur ta veshin një fanellë të veçantë për përvjetorin e 120-të të klubit.
Fanella, të cilën Barcelona do ta veshë në këtë ndeshje, është e inspiruar nga ajo që katalonasit e kishin veshur gjatë viteve 1998-2000.
Triumfi i së mërkurës bën që Barcelona të jetë në finale të Kupës së Mbretit për të gjashtin vit radhazi, pasi e kanë fituar këtë trofe katër sezonet e fundit. Këtë sezon, ata po shpresojnë se do ta fitojnë tripletën.