Alessio Romagnoli i ka dhuruar fitoren e dytë radhazi Milan-it në minutën e fundit të ndeshjes, por ka thënë se: “Më e mira nuk ka ardhur akoma”. Vetëm pak ditë pas golit të shënuar në minutën e 91-të kundër Genoa-s, mbrojtësi ka qenë në vendin e duhur në momentin e duhur përsëri dhe i ka dhënë kuqezinjve një fitore 1-0 në fushën e Udinese-s.
“Mundohem të jap maksimumin dhe shpresoj të ruaj këtë ritëm”, ka thënë kapiteni i milanezëve për “Sky Sport Italia”. “Ndoshta jemi më të vendosur se në të kaluarën. Jemi më të bashkuar dhe të karikuar në çdo aspekt, për këtë arsye luftojmë deri në fund. Nuk ka zgjedhje të para apo të dytë këtu, luajmë të gjithë për një klub të madh dhe duam të japim maksimumin. Ishte një ndeshje e madhe, edhe pse kemi patur vështirësi në pjesën ne parë”, ka vazhduar Romagnoli.
“Kjo është periudha ime më e mirë te Milan, por shpresoj që më e mira të mos ketë ardhur akoma”, përfundoi Romagnoli.
Kundërshtari i radhës në kampionat është Juventusi dhe siç thotë një fjalë e urtë popullore: “Nuk ka dy pa tre”.