Sulmuesi i Mançester Junajtedit, Romelu Lukaku, beson se është shumë shpejt për ta gjykuar, sepse ai ka ende kohë për t’u përmirësuar. Lukaku e ka bërë këtë deklaratë në prag të përballjes me Çellsin, skuadra që e solli në Premier Ligë. Lukaku kaloi nga Evertoni te Mançester Junajtedi, gjatë merkatos së verës, për 90 milionë euro, dhe shënoi 11 gola në 10 ndeshjet e para për “djajtë” në të gjitha veprimtaritë, por nuk e ka gjetur rrugën e rrjetës në gjashtë ndeshjet e fundit.
Hoze Murinjo e mbrojti dy herë qendërsulmuesin e tij në konferencat e fundit për shtyp, duke e mbajtur larg kritikave që kanë nisur të vërshojnë. “Unë mendoj se shumë njerëz kanë filluar të më gjykojnë sepse mendojnë se jam ky i tanishmi”, – tha Lukaku për “Sky Sports”, i intervistuar nga Tierri Anri.
“Megjithatë unë jam vetëm 24 vjeç dhe besoj se kam ende shumë për t’u përmirësuar. Në vend që të jetë viti im i gjykimit dhe analizave, unë po mendoj vetëm për t’u përmirësuar më tej. Ende nuk kam arritur aty ku synoj. Ende nuk kam kapur maksimumin tim. Vetëm më pas mund të më analizoni. Më e mira ime ende nuk ka ardhur.” Edhe pse nuk ka shënuar vetë, Lukaku ka qenë shumë i rëndësishëm për ekipin, si në ndeshjen e fundit ndaj Totenham ku dha asistime për golin e fitores të shënuar nga Entoni Martial.