Zejnulla VESELI
Shkup, 3 shtator – Nga data 4 shtator, Drejtoria për të hyra publike, Drejtoria për udhëheqjen e librave amë, njësitë rajonale nga Sektori për punë juridike, Drejtoria për punë me qytetarët, Drejtoria e doganave dhe kopshtet do të fillojnë të punojnë me dy ndërrime, shkruan gazeta KOHA. Orari i punës i këtyre institucioneve shtetërore do të jetë nga ora 7 e mëngjesit e deri më ora 14.30 pasdite për ndërrimin e parë, kurse nga ora 14 pasdite e deri në ora 21.30 në mbrëmje për ndërrimin e dytë. Po ashtu këto institucione do të punojnë çdo të shtunë të parë të muajit, nga ora 8 e mëngjesit e deri në ora 16 pasdite. Vendosja e turnit të dytë, sipas Qeverisë së Maqedonisë, është pjesë e reformave të parapara për zbatimin e një orari fleksibil të punës me qëllim që t’ju dilet në ndihmë qytetarëve, gjegjësit ofrimin e kushteve më të mira për të punësuarit që punojnë në dy turne për t’ju përshtatur orarit të punës së shkollave dhe kopshteve për fëmijë. Kryetari i Organizatës së punëdhënësve të Maqedonisë, Angel Dimitrov, e konsideron si shumë të nevojshme vendosjen e turnin të dytë në disa institucione shtetërore, me vetë faktin se një numër i madh i kompanive private në Maqedoni tre vitet e fundit kanë filluar të punojnë në tre turne. Njëherit kjo reformë, sipas Angelovit, ofron mundësi të mira për punësimin e një numri të madh të personave të cilët më vite presin në Agjencinë për punësim për të gjetur punë, por edhe sistemimin e rreth 7000 administratorëve të cilët janë pranuar në shumë institucione dhe rrinë në shtëpi, tani e kanë shansin të fillojnë të punojnë. “Gati tre vitet e fundit shumë kompani private aplikojnë edhe turnin e dytë, pasi për të punësuarit në këto kompani vendosja e turnit të dytë ashtu si edhe në disa institucione shtetërore, e në veçanti për kopshtet e fëmijëve, është në favor të tyre. Është më se vërtetë se punëtorët të cilat punojnë në turnin e dytë deri më tani kanë pasur probleme serioze për shkak se nuk ka pasur kush të kujdeset për fëmijët e tyre. Tani me vendosjen e turnit të dytë nëpër kopshtet e fëmijëve, ata do ta zgjidhin problemin duke i çuar fëmijët në turnin e dytë nëpër kopshte”, thotë Angelov. Sa i përket çështjes nëse vendosja e dy turneve nëpër kopshtet e fëmijëve dhe në institucionet shtetërore do të dëmton buxhetin shtetëror, sepse nevojiten edhe punësime të reja, Angelov thekson se aspak nuk pajtohet me këtë konstatim me vetë faktin se 7 vitet e fundit dëgjojmë se në administratë kanë një numër të madh të punësuarve që janë pranuar dhe nuk vijnë aspak në punë ndërsa marrin rroga. “Kjo është mundësia e shkëlqyer që të gjithë këta administratorë që marrin rroga dhe nuk vijnë aspak në punë të fillojnë të punojnë në turnin e ditë dhe ta arsyetojnë me punë të gjitha rrogat të cilat i kanë marrë deri më tani. Vetëm se duhet Qeveria të përpilojë një plan të detajuar dhe të gjithë këto administratorë t’i sistematizoj në vende pune, ku më së tepërmi ka nevojë, e jo të qëndrojnë me vite në shtëpi dhe ta marrin rroga”, thotë Angel Dimitrov, kryetar i Shoqatës së punëdhënësve të Maqedonisë. Edhe nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore (OEMVP) përshëndesin vendimin e fundit të Qeverisë për orarin e punës në dy turne të disa institucioneve shtetërore dhe çerdheve, ngase ky ndryshim, sipas tyre është në dobi të qytetarëve dhe vetë bizneseve në përgjithësi, kurse për të punësuarit e administratës nënkupton përkushtim më të madh dhe hapjen e vendeve të reja të punës. “Edhe pse ndoshta në institucionet ku do të punohet me dy turne do të rriten shpenzimet e atij institucioni, besojmë se kjo do të jetë për të mirën e qytetarëve dhe nevojat e tyre, sepse ndryshimi i orarit do të sjellë efikasitet më të madh në administratë dhe përshpejtimin e shumë procedurave administrative”, thotë Drilon Iseni, drejtor i OEMVP-së. Sipas tij, Maqedonia përballet me një administratë shumë të ngarkuar, ndërkohë që qytetarët dhe bizneset ankohen se shërbimet nuk janë cilësore. “Ndaj me këto ndryshime, vetë institucionit do t’i mundësohet mbikëqyrje më e lehtë e të punësuarve dhe llogaridhënia për punën e bërë do jetë më e lehtë, dhe vetëm kështu qytetarët do të ndjejnë se po iu ofrohen shërbime më cilësore”. thotë Iseni.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.