Pep Guardiola, rikthehet të flasë për konceptin e tij rreth lojës së futbollit, stimujve që i duhen teksa trajnon, si dhe dëshirën për të pasur në drejtim një ekip kombëtar.
Në një intervistë për spanjollen “Gol”, spanjolli zbulon se që të ecë përpara, atij i duhen armiq, që të flasin edhe fjalë të këqija për të.
MOTIVIMI – Në sport, në çdo sport, kur nuk konkurrojnë dot me ty, të tjerët fillojnë përpiqen të të diskreditojnë. Unë kam nevojë për armiq, ata që flasin keq për ty, për ata që më urrejnë dhe për ata që shpresojnë se gjërat e mia nuk do shkojnë mirë. Më duhen sfida dhe stimuj.
E ARDHMJA – Kur isha tek Bajerni, e kisha në kokë idenë për të trajnuar në Premier League, por tani, nuk e di se çfarë do bëj pas Sitit. Por, kjo nuk është se më fut në stres, gjithsesi. Do më pëlqente të isha trajner i një ekipi kombëtar, edhe pse e di që nuk është e lehtë. Ajo punë, më kujton gjithmonë Champions League.
FILOZOFIA – Të gjithë e dinë se çfarë do të thotë të mbash nën kontroll topin. Si trajner, më pëlqen që ta mbaj kundërshtarin në zonën e tij. Në Spanjë për shembull, ekipi i Betisit është një nga ekipet që mban më shumë topin, por është jashtë Europe. Duhet ta shikoni atë lloj mbajtje topi.
CHAMPIONS LEAGUE – Do jap gjithçka që ta fitoj Champions League këtë sezon, por e vërteta është se ndeshjet aty janë shumë të vështira, dhe vendosen nga detaje shumë të vogla. Nëse eliminohesh, je sëmurë për 2-3 ditët e ardhshme. Kampionati nga ana tjetër, është diçka totalisht ndryshe.