Druri i ahut shitet me çmim prej 3000 denarësh jashtë sezonit, ndërsa gjatë sezonit – çmimi i tyre rritet në 3200 denarë për metër katror. Dushku këtë vit shitet prej 3300 deri 3400 denarë për metër katrorë
Aida XHONI
Shkup, 24 shtator – Vjeshta në Maqedoni dhe në hemisferën veriore të Tokës filloi dje. Edhe pse dimri është larg, nikoqirët e shtëpive me të madhe kanë filluar të përgatiten për ditët e ftohta të dimrit, shkruan gazeta KOHA.
Llogaritë e “trasha” të rrymës kanë detyruar një numër të madh qytetarësh këtë vit të vendosin të ngrohen me drunj. Nëpër rrugët e Shkupit mund të shihen dru të prerë ose të radhitura. Gjithashtu, është rritur edhe numri i kamionëve nëpër rrugët e Shkupit të cilët dërgojnë dru tek qytetarët.
“Druri i ahut shitet me çmim prej 3000 denarësh jashtë sezonit, ndërsa gjatë sezonit çmimi i tyre rritet 3200 denarë për metër katror. Dushku këtë vit shitet prej 3300 deri 3400 denarë për metër katrorë. Kjo është periudha kur qytetarët fillojnë të blejnë dru për ngrohje, pasi tani çmimet janë më të ulëta. Prandaj tani presim të kemi më shumë punë, sepse gjatë sezonit dimërore qytetarët vetëm blejnë një metër ose dy metër kub shtesë që tu gjinden për çdo rast”, thonë shitësit e drunjve.
Qytetarët blejnë, por pjesë e tyre kanë përvojë të keqe nga shitësit privat, të cilët në llogari të çmimit më të ulët mashtrojnë duke dhënë më pak nga një metër kub.
“Drunjtë që i ofrojnë shitësit privat me të vërtetë janë më të lirë dhe na i sjellin deri në shtëpi falas, nëse nuk i hap mirë sytë, ata do t hapin. Ne i blejmë drunjtë zakonisht në këtë periudhë, sepse ashtu siç afrohet sezoni i ngrohjes rriten edhe çmimet”, thotë një banor i Lisiçes. “Kemi eksperimentuar shumë me ngrohjen, dhe vendosëm këtë vit të ngrohemi me drunj, sepse ngrohja qendrore me rrymë vitin e kaluar na kushtoi shumë. Punuam vetëm ti paguajmë llogaritë të cilat ishin shumë të larta. Këtë vit blemë dhjetë metër kub dru që na kushtuan 30.000 denarë, edhe pse paratë i dhamë përnjëherë, kjo është variant më i lirë”, tha një banor i Butelit.
“Ende nuk kemi blerë drunj, por me rrymë nuk ngrohemi pasi edhe ajo është shtrenjtë. Drunjt do ti blejmë kah mesi i tetorit, kjo është alternativa e vetme”, tha një qytetar tjetër.
Ndryshe, një hulumtim i UNDP-së, i publikuar në nëntor të vitit të kaluar nxori në pah se 45 për qind e amvisërive ngrohen me dru ose me materie të tjera të dëmshme për ajrin. Shkupi shpenzoi 370.000 tonë dru për ngrohje që është e barabartë me numrin e drunjve në vit që ndodhen në Vodno. (koha.mk)