Gjendjet tek të rinjtë janë të ndryshme dhe gjithsesi varen nga situata në të cilën gjenden prindërit e tyre. Derisa disa theksojnë se presin punë në pajtim me diplomën e tyre, të tjerët thonë se pajtohen të punojnë çfarëdo pune, sepse duan të fitojnë, por shpresojnë se një ditë do të përdorin diplomën
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 3 qershor – Punëtor i përgjithshëm, vozitës të kamionit, montues, i punësuar në pompë benzine… janë vetëm një pjesë e profesioneve që më së shpeshti kërkohen përmes shpalljeve për punësim. Paradoksi është që një pjesë e tyre përsëriten ose qëndrojnë të shpallura një kohë të gjatë, ndërsa nga ana tjetër – përmes sistemit të arsimit dalin ekonomistë, juristë e studentë të tjerë të diplomuar të shkencave shoqërore, për të cilët nuk ka thuajse asnjë kërkesë në tregun e punës, shkruan gazeta KOHA. Vallë një situatë e këtillë po imponon të rinjtë që kanë mbaruar arsimin sipëror, të pranojnë çfarëdo pune ose megjithatë presin të gjejnë punë në pajtim me titullin e arritur?
“Shumë rrallë të rinjtë që kanë mbaruar arsimin sipëror pajtohen që të pranojnë punë për të cilën është e nevojshme arsim më i ulët. Madje, është e papërfillshme përqindja e personave të këtillë që pajtohen të punojnë ndonjë veprimtari profesionale edhe pse kanë të mbaruar fakultetin. Tek ne dominon mendimi se nëse mbarojnë fakultetin, më lehtë dhe më shpejt do të punësohen, që nuk është e saktë. Ka shumë të rinj që mbarojnë gjimnazin ose arsimin e mesëm, dhe pastaj shkojnë në fakultet, por pastaj nuk pranojnë të punojnë çfarëdo pune. Mbesin të papunë, por nuk pranojnë të punojnë për paga të ulëta”, thotë Rade Nenadiq nga agjencia për punësime të përkohshme “Partner”.
Ai shton se ka edhe të rinj që janë larguar nga vendi, por bën me dije se pjesa më e madhe e atyre që gjejnë punë jashtë vendit, janë ata me arsim sipëror të mbaruar teknik, ndërsa personat me arsim të arritur nga sfera e shkencave shoqërore nuk kanë mundësi të gjejnë punë nga profesioni i tyre në vendet e zhvilluara.
“Gjermania, për shembull, si vend i cili pranon më së shumti punëtorë, kërkon zejtarë, inxhinierë, mjekë, motra medicinale… Madje edhe tek ata ka tepricë të të arsimuarve në shkencat shoqërore, kështu që të diplomuarit tanë nga shkencat shoqërore nuk u duhen. Ka edhe të atillë që punojnë çka do në vendet tjera vetëm që të shpërngulen, por këtu nuk pranojnë çfarëdo pune, por rrinë si të papunë”, shton Nenadiq. Ai thekson se punëtorët refuzojnë punë me paga të ulëta, posaçërisht në veprimtaritë intensive të punës.
Gjendjet tek të rinjtë janë të ndryshme dhe gjithsesi varen nga situata në të cilën gjenden prindërit e tyre. Derisa disa theksojnë se presin punë në pajtim me diplomën e tyre, të tjerët thonë se pajtohen të punojnë çfarëdo pune, sepse duan të fitojnë, por shpresojnë se një ditë do të përdorin diplomën. “Problemi është shumë individual, varet prej shumë faktorëve. Kryesisht, për shkak të pamundësisë që të përfitojnë dhe të mbulojnë shpenzimet e tyre, një pjesë e të diplomuarve me arsim sipëror, pas studimeve nuk pranojnë të punojnë në pozita që mund t’i kryejnë personat me arsim të mesëm profesional. Por pasi që nuk fitojnë asgjë, megjithatë u duhen para në jetë, disa prej tyre pajtohen të punojnë edhe në pozita që janë nën arsimin e tyre të arritur”, thotë Mile Boshkov, përfaqësues i Biznes konfederatës së Maqedonisë.
Boshkov thekson edhe një segment problematik në disbalancin në tregun e punës, e ai është procesi arsimor. Ai thekson se gjatë përvojës së punës pjesa më e madhe e qytetarëve vërejnë se arsimi është nën shkallën e diturisë që kërkohet për pozitën për të cilën kanë marrë diplomë, gjegjësisht për punën që duhet ta kryejnë.
“Çdo ditë e më shumë vërehet se arsimi është stil i jetës, por jo të gjithë e ofrojnë diturinë e nevojshme për punën. Në përgjithësi, situatat nuk mund të gjeneralizohen, sepse varësisht prej gjendjes, situatat janë të ndryshme, individuale. Por, është fakt se në tregun e punës kërkohen disa profesione, ndërsa nga ana tjetër me arsim sigurohen më shumë punëtorë me aftësi të tjera”, thekson Boshkov. Nëpër shpalljet për punësim, përveç që dominojnë drejtime për të cilat mjafton arsim i mesëm profesional, mund të vërehet edhe kërkesa e kuadrove të arsimit sipëror, edhe pse e njëjta është më e rrallë, por kërkohen edhe farmaceutë, IT teknikë, ueb-programues, doktorë, menaxherë etj. (koha.mk)