Ankesat e një pjese të mësuesve lidhen sa më komunikimin e koklavitur, numrin e pakët të nxënësve që janë prezent në mësim, apo edhe të atyre që vetëm duken “online”, me ndarjen e një klase për të shpjeguar me kolegë të tjerë, apo për t’i ndihmuar që të adaptohen me “Majkrosoftin tim”. Në dy javët e para mësimi në distancë, më shumë se vështirësitë teknike dhe mungesën e kushteve, në shumë shkolla ka theksuar pabarazitë tek nxënësit
Evis HALILI
Shkup, 14 tetor – “Më dëgjon?”, “Më kupton?” janë ndër fjalitë që përdoren më së shumti nga mësuesit në orët e komunikimit online me nxënësit. Situata stresante që mban të mbërthyer mësuesit në pjesën më të madhe të orës, shtendoset nga pyetje dhe komente prindër – nxënës “Mësues mund të shkoj në banjo?”, “Mbaro më shpejt, ma jep telefonin”…. Ankesat e një pjese të mësuesve lidhen sa më komunikimin e koklavitur, numrin e pakët të nxënësve që janë prezent në mësim, apo edhe të atyre që vetëm duken “online”, si edhe me ndarjen e një klase për të shpjeguar me kolegë të tjerë, apo për t’i ndihmuar që të adaptohen me Majkrosoft tim. Në dy javët e para të funksionimit Platforma nacionale e mësimit në distancë, më shumë se vështirësitë teknike dhe mungesën e kushteve në shumë shkolla ka theksuar pabarazitë tek nxënësit. Disa përdorin telefonin, kompjuterin, laptopin, apo televizorin…, nuk duhet të jetë kështu, vëren kreu i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë Nuhi Dardhishta. Ai thotë se 80 për qind e shkollave në Maqedoni kanë mundësi për të zhvilluar mësimin me prezencë fizike, sidomos ajo pjesë që kanë edhe numër të vogël nxënësish.
“Nuk është problemi tek kushtet, që për hir të së vertetës një numër më i vogël shkollash nuk i kanë, si në Çair, apo Haraçinë, “Skënderbeu”, “25 Maji”, ndonjë shkollë në Kumanovë, apo Tetovë, po vendet e tjera që kanë edhe më pak nxënës, Gostivari, Struga…, në pjesën më të madhe në Maqedoni. Përveç kosots së lartë që solli mësimi në distancë, problemi më i madh është tek pabarazia dhe fëmijët, nxënësit duhet të jenë të barabartë, në fakt nuk janë. Prioritare duhet të jetë prezanca fikzike, sidomos tek nxënësit deri në klasë të 4 apo të 5 të cilët duhej të vijonin mësimin me prezencë fizike”, thotë Dardhishta.
Një pjesë e mësuesve, sidomos ato më të moshuarit e kanë të vështirë të adoptohen me “Majkrosoftin tim”. Por edhe të tjerët që janë familjarizuar me këtë aplikacion e kanë të vështirë formën e shpjegimit, komunikimin me nxënësit. Kështu shprehet Arta Xhaferri, mësuese e informatikës në Tetovë. “Gjatë gjithë kohës i pyes nëse më dëgjojnë, nëse më kuptojnë, sepse të duket sikur flet me vete. Sepse, është ndryshe kur nxënësi është prezent fizikisht, ka raste kur nga këndi ku është ulur dhe drita që i bie e ke të vështirë ta dallosh fytyrën. Nuk e di nëse të ndjek, apo është diku në një dhomë tjetër dhe ti vetëm flet. Kushtet për të zhvilluar mësimin në distancë janë krijuar në shumë shkolla, janë pajisur me laptopë, ka qasje në internet, por prapëseprapë nuk do të isha pajtuar me këtë formë të mësuari, që është e vështirë jo vetëm për ne, por edhe nxënësit”, thotë Xhaferri. Për ato mësues që posedojnë njohuri më të kufizuara sa i takon përdorimit të këtyre aplikacioneve, ose japin mësim në një klasë të re përballen me situata revoltuese ku nxënësi “komandon” orën duke i mbyllur mikrofonin mësuesit, ose duke e larguar atë nga grupi i orës online. (koha.mk)