Fisnik PASHOLLI
Shkup, 6 janar – Probleme me plasmanin e sigurt të prodhimeve bujqësore dhe blegtorale, kostoja e lartë e punës që shpesh nuk i mbulon as harxhimet, çmimet e ulëta të grumbullimit që diktohen nga tregtarët, mosrespektimi i kontratave për shitblerje, si dhe vonesat në pagesa të pemë-perimeve të grumbulluara… janë vetëm disa nga problemet që sot mundojnë prodhuesin bujqësor në Maqedoni, shkruan gazeta KOHA. Ekspertët bujqësor thonë se fermerët duhet të kenë ide për prodhimtari cilësore dhe të shpagueshme. Sipas agronomëve, nevojitet të bëhet orientimi i prodhimit sipas predispozitave që kanë regjionet e caktuara për prodhimin e pemëve, perimeve apo prodhimeve blegtorale. Sugjerohet edhe analiza e investimit, kalkulimi i harxhimeve, si dhe të ardhurat e përafërta përpara se të fillohet me një prodhimtari të caktuar bujqësore. Vlerësohet se, përkundër problemeve të ndryshme, megjithatë me një përkushtim dhe angazhim serioz mund të jetohet në mënyrë solide nga prodhimtaria bujqësore dhe blegtorale. Sugjerohet që bujqësia të orientohet krahas kërkesës së tregut, edhe ndaj përpunimit dhe paketimit të prodhimeve me qëllim të ikjes së kokëçarjes së shitjes së tyre në treg.
TË ANGAZHOHET E TËRË FAMILJA
“Gati se nuk ekziston kulturë bujqësore nga e cila nuk mund të fitohet në mënyrë të kënaqshme me marzha më të mëdha apo më të vogla të fitimit, si dhe kostos së ndryshme që nevojitet për lloje të ndryshme të prodhimit. Por, në radhë të parë – prodhimtaria bujqësore kërkon posedimin e tokës në pronësi që të mos kemi harxhime shtesë për qiranë, si dhe posedimin e mekanizimit bujqësor. Një faktor tjetër që dikton suksesin është organizimi i punës në mënyrë të atillë që është e angazhuar e tërë familja, ose thënë ndryshe – bujqësia të jetë biznes familjar.”, thotë pr KOHA, eksperti bujqësor Lulzim Fejzullahu. Sipas tij, krahas traditës që luan një rol të madh në marrjen me bujqësi, një rëndësi të madhe ka edhe puna e palodhshme dhe angazhimi që çdo herë sjellin plasman dhe rezultat pozitiv.
“Gjithashtu, sallatat e gjelbërta, preshi, qepa, patatet apo karotat çdoherë kërkohen në treg dhe kanë plasman të sigurt. Por, në bujqësi çdoherë duhet edhe të investohet si në sistemet për vaditje, paketim, cilësi që kërkohet në treg e kështu me radhë. Nevojiten edhe hulumtime se çka kërkohet në treg, ku për shembull – për dallim prej viteve të kaluara kur molla nga Maqedonia kishte plasman në Shqipëri, tani për shkak të prodhimit të tyre vetanak, është ndalur eksporti i mollës nga Maqedonia në Shqipëri”, thekson Fejzullahu.
Ai thotë se një vëmendje të veçantë kërkon edhe orientimi ndaj ofertës në treg të prodhimeve konkurruese me vlerë të shtuar e të dedikuar edhe për eksport – si tharja e hudhrës, përpunimi i domateve në keçap, boronicës në lëng e kështu me radhë. Vlen të mendohet edhe për kultivimin e bimëve aromatike dhe mjekësore, mjedrën, aroninë…
Njohësit e bujqësisë thonë se çdo rajon në Maqedoni ka prodhime me veçori karakteristike që dallohet edhe për nga cilësia. Andaj sugjerohet një angazhim më i madh i bujqve, blegtorëve, por edhe i biznesit, me qëllim që të krijojnë brende që nesër shumë më lehtë ti mund ti shesin edhe në tregjet rajonale dhe botërore, duke ndjekur shembujt e shteteve të ndryshme.
Agronomët thonë se prodhuesit e ushqimit dhe prodhimeve bujqësore në Maqedoni sa vjen e më shumë do të ballafaqohen me presionin e madh të konkurrencës si në tregun vendor, ashtu edhe atë jashtëm në BE. Në periudhën e ardhshme, sugjerojnë agronomët, nevojitet që sektori bujqësor-ushqimor ti afrohet sa më shumë standardeve të prodhimit dhe cilësisë të definuar me rregullativën e përbashkët bujqësore evropiane.
PRODHIMI GJEOGRAFIK SJELL PËRFITIME
Ekonomistët gjithashtu thonë se brendimi i ndonjë prodhimi është më i lehtë nëse atij i shtohet prejardhja gjeografike. Për fillim nevojitet që ai të jetë cilësor me sasi të mjaftueshme në treg që të mundet në mënyrë konstante tu ofrohet blerësve. Ndryshe, sfidë e madhe për bujqësinë e Maqedonisë janë edhe parcelat e vogla dhe të shpërndara, që pamundësojnë rritjen e prodhimtarisë dhe konkurrencës së bujqësisë. Të dhënat tregojnë se në Maqedoni dominojnë parcelat e vogla bujqësore. Madhësia mesatare e ekonomisë bujqësore prej 2.5 deri 2.8 hektarë dhe madhësi mesatare e parcelës kadastrale prej 0.3 deri 0.5 hektarë janë nën madhësinë e parcelave të tokës bujqësore krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian. Gjithashtu, bujqësia në Maqedoni në vend të një dege ekonomike me potencial më të madh për punësim, në pjesën më të madhe është veprimtari ekonomike që zgjedh problemet sociale dhe ekzistenciale të një pjesë të konsiderueshme të popullatës. Sipas të dhënave zyrtare, pjesa dërmuese e ekonomive bujqësore, apo 58 për qind e tyre, për një hektar të tokës punuese fitojnë deri në 2000 euro për 12 muaj. Gjithashtu, shkruan m tej KOHA, analizat tregojnë se orientimi ndaj prodhimit më rentabil dhe fitimit më të madh në sektorin e bujqësisë imponohet edhe nga produktiviteti i ulët në bujqësi dhe industrinë ushqimore , mungesë e kapitalit vetanak dhe qasje e vështirësuar ndaj kredive e ekonomive të vogla bujqësore, përfaqësimi jo i volitshëm i racave dhe sortave, pjesëmarrje e lartë e prodhimeve bujqësore me vlerë të ulët të shtuar – prodhime të papërpunuara ose gjysmë të papërpunuara në strukturën eksportuese të prodhimeve ushqimore-bujqësore dhe shpërndarje e pamjaftueshme sipas destinacioneve eksportuese.
Ndryshe, pjesa më e madhe e ekonomive bujqësore në vend – për shkak të strukturës së tyre, nuk janë në gjendje që në mënyrë të barabartë të garojnë me prodhimet konkurruese bujqësore të prodhuesve evropian dhe botëror në raport me lartësinë e harxhimeve prodhuese dhe marketingut të prodhimeve. (koha.mk)