Me borxhe dhe mbipunësime

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 28 nëntor – Kompanitë në pronësi shtetërore në Maqedoni, vitin e kaluar kanë treguar humbje prej afër 36 milionë euro si dhe kanë dyfishuar numrin e të punësuarve në dhjetë vitet e fundit, shkruan gazeta KOHA. Në 129 ndërmarrje publike në tërë Maqedoninë, janë të punësuar 17.872 persona, tregon Regjistri i të punësuarve në sektorin publik. Kjo paraqet një dyfishim të të punësuarve në këto kompani, në raport me dhjetë vite më parë. Sipas të dhënave të Avokatit të Popullit, në vitin 2007, në ndërmarrjet publike kanë qenë të punësuar 8299 persona, që do të thotë dyfishim i tyre në periudhën 2007-2017. Gjithashtu, çdo e katërta kompani ka punuar me humbje në vitin e kaluar. Sipas analizave të Qendrës për komunikime qytetare, 31 prej 120 kompanive shtetërore tregojnë bilanc negativ të punës, me humbje totale prej 35.4 milionë euro.

Sipas ekspertëve ekonomik, rritja kaq e madhe e numrit të të punësuarve në ndërmarrjet publike, nuk ka ndjekur edhe rritjen e cilësisë së shërbimeve, ndërsa shtojnë se një nga zgjidhjet që mund të shqyrtohet është edhe orientimi në ato veprimtari ku ka mundësi ndaj koncesioneve dhe partneritetit privat- publik i mjaft kompanive shtetërore.

“Pushteti në gati 30 vitet e fundit në tërë Maqedoninë shpesh ka punësuar kuadro partiak nëpër ndërmarrjet publike që shërbejnë shpesh edhe për zgjidhjen e çështjeve sociale nëpër komuna të ndryshme, përkundër kualifikimeve dhe përgatitjes profesionale shpesh diskutabile të të punësuarve. Gjithashtu, kemi edhe raste të punës së tyre jo me nikoqirllëk të menaxhuesve të këtyre kompanive dhe vlerësoj se borxhi prej afër 36 milionë euro, është bile edhe më i madh për shkak të mjaft borxheve që nuk janë faturuar“, thotë profesori universitar Sami Bislimi.

Sipas tij, edhe kompanitë e tilla nevojitet të orientohen në parimin e ekonomisë së tregut që të punojnë me sukses, pa humbje dhe të udhëhequra nga menaxhment profesionist.

“Në radhë të parë, këto ndërmarrje për t’u reformuar nevojitet të rrisin llogaridhënien për të hollat e harxhuara, borxhet, punësimet e kështu me radhë. Së dyti, ia vlen të mendohet për privatizimin e të gjithë ndërmarrjeve publike me përjashtim të atyre që ofrojnë shërbime publike që duhet të jenë të disponueshme për të gjithë. Pra, nevojitet të privatizohen shërbime të tilla si parkingjet, transporti publik, menaxhimi me mbeturinat, por jo edhe ekonomizimi me ujërat, pyjet etj”, thekson Bislimi.

Në ndërkohë, edhe përvojat e shteteve të rajonit nuk janë të treguar të suksesshme në menaxhimin me kompanitë publike. Në Kroaci, ndërmarrjet publike në pronësi të shtetit para tre vitesh kanë treguar humbje prej afër 100 milionë euro si rrjedhojë e tepricës së të punësuarve, harxhimeve të panevojshme, blerjes së paqes sociale, si dhe humbjeve që akoma i financojnë obliguesit tatimor kroatë, përmes çmimeve më të larta të shërbimeve apo përmes subvencioneve shtetërore, tregon analiza e Shoqatës së obliguesve tatimor “Lipa”.

Ekonomistët thonë se jo çdo herë për kompanitë shtetërore vlen rregulli si për kompanitë e tjera në sektorin privat, se rezultatet financiare të një kompanie janë treguesi kryesore për suksesin e tyre, për shkak se shpesh, për reformat e nevojshme, në punën e tyre mungon vullneti politik nga lartë. Gjithashtu ato shpesh ballafaqohen me mungesë investimesh, pajisje të vjetruar, borxhe të akumuluara ndër vite, kryerjen e punëve me interes publik, për shkak të së cilave shpesh tregojnë humbje apo edhe mbi-punësim, ku shpesh për numrin e tepërt të punëtorëve dhe lëshimin e tyre eventual nga puna, më shumë rëndësi ka momenti social dhe politik se sa ai ekonomik. Vlerësohet se një nga zgjidhjet e mundshme është edhe ajo që praktikohet në shtetet perëndimore të orientimit ndaj metodave të ekonomisë së tregut, edhe pse bëhet fjalë për kompani publike përmes vlerësimit të rezultateve të arritura, përmes analizës së bilanceve të ndërmarrjeve publike, duke ndjekur sistemin e pagave dhe shpërblimeve, numrin e të punësuarve dhe faktin se sa çdo i punësuar është adekuat për atë vend pune.

Në ndërkohë, në përgatitje e sipër është edhe Ligji i ri për ndërmarrjet publike, të cilat do të kenë obligim ligjor në të ardhmen që në uebfaqet e tyre të publikojnë raportet e miratuara tremujore financiare, që përmbajnë treguesit për punën financiare, llogaritë vjetore dhe raportin për punën e ndërmarrjes publike në periudhën përkatëse. (koha.mk)