Sistemi përmes teknologjisë “antibreshër” do të pengojë kristalizimin e ujit dhe transformimin e shiut në breshër, duke mbrojtur në këtë mënyrë të mbjellat bujqësore.
Fisnik Pasholli
Shkup, 27 qershor – Breshëri në dekadën e fundit në Maqedoninë e Veriut ka shkaktuar dëme të mëdha në prodhimtarinë bimore, apo ka dëmtuar kulturat bujqësore në një shkallë të konsiderueshme, posaçërisht në periudhën e vegjetacionit të bimëve. Dëmet janë shënuar jo vetëm në vreshtari, pemëtari etj. Vetëm në vitin 2018 , breshëri shkaktoi dëme të mëdha për mbjellat e mollëve në rajonin e Prespës , ndërsa kultivuesit e mollëve u ankuan se me vite nuk funksionon sistemi i raketave për mbrojtje nga breshëri . Në dhjetë e vitet e fundi pak ka qenë në funksion sistemi i raketave që bëjnë shpërndarjen e reve me breshër. Mirëpo, edhe për këtë mbrojtje nga breshëri shpesh ka pasur ankesa nga fermerët se nuk i ka mbrojtur sa duhet dhe ka shkaktuar humbje të konsiderueshme në punën e tyre. Në vitin 2008 , pas 34 vitesh të përdorimit u anulua përdorimi i sistemit anti raketor kundër breshrit me arsyetimin se ai nuk i mbron të mbjellat bujqësore, por përkundrazi shkakton dëme, eksplodime , zjarre dhe ndonjëherë edhe viktima në njerëz.
Ky ishte arsyetimi i kompetentëve për anulimin e kësaj mbrojtje nga breshri. “ Në shkencë nuk ka bazë për përdorimin e sistemit antiraketor kundër breshrit. Sistemi thjesht nuk arrin efekt, përkundër asaj se sa raketa do të shpërthejnë, ato nuk munden të shkatërrojnë rretë me breshër dhe të pengojnë breshrin. Kjo është një fenomen natyror që nuk luftohet lehtë”, ishte arsyetimi i atëhershëm për anulimin e tij nga Enti Sinoptikan Republikan. Kompetentët në atë kohë angazhoheshin për një sigurim më të madh të prodhimtarisë bujqësore ngjashëm me përvojat në ish shtetin jugosllav ku sigurimi bujqësor ishte i obligueshëm me ligj, megjithatë me kalimin e kohës sigurimi i bujqësor nuk pati shtrirje më të madhe në shtet. Mirëpo edhe përkundër anulimit të kësaj mase edhe pas vitit 2010, ajo disa herë u përdor në periudhën 15 prill deri më 15 tetor në kuadër të aktiviteteve për mbrojtjen nga breshëri të tokave punuese bujqësore me më shumë apo më pak sukses. Për herë të parë në Maqedoni, mbrojtja nga breshëri me raketa është përdorur në vitin 1974. Në vitin 2007 janë blerë 700 raketa , ndërsa janë përdorur vetëm 220 raketa. Në vitin 2008 janë shkatërruar 4500 raketa me afat të skaduar me një vlerë prej 1.3 milion euro.
Edhe në botë para më shumë se dhjetë vitesh , pak përdorej një metodë e tillë e mbrojtjes nga breshri që nuk praktikohej as në BE. Nëse i kthehemi ditëve të sodit, ekzekutivi pritet që të vendos sistemi të ri për mbrojtje nga dëmet e shkaktuara nga kjo dukuri atmosferike. Nga qeveria thonë se mënyra e re e mbrojtjes nga moti i keq si breshëri është më efikas , më parandalues dhe disa herë më i lirë në raport me sistemin e vjetër të raketave. Vlera prej 90 milion denarë është për disa herë më ekonomike se investimet në sistemet raketore për shkak se instalimi dhe mirëmbajtja e tyre paraqet investim të njëfishtë prej një miliardë e 200 milion denarë si dhe harxhime shtesë për mirëmbajtje dhe blerjen e materialeve prej 300 milion denarë në nivel vjetor. Sistemi përmes teknologjisë “antibreshër”, do të pengojë kristalizimin e ujit dhe transformimin e shiut në breshër, duke mbrojtur në këtë mënyrë të mbjellat bujqësore. “ Në rrjedhë e sipër është përgatitja e dokumentacionit, dhe procedura e furnizimit publik, që do të mundësojë mbrojtje më racionale dhe cilësore të prodhimit bujqësor. Reagensi kimik që do të lëshohet nga avionët do të shkaktojë shpërbërjen e breshrit. Njëherazi analizat e deritanishme kanë treguar se ky sistem në raport me mekanizmat e tjerë paraqet parandalim më efikas.”, thotë zëdhënësja e Ministrisë së Bujqësisë, Sonja Jankovska. Sipas saj edhe përvojat e Greqisë dhe Bullgarisë në përdorimin e këtij sistemi kanë qenë mjaft pozitive.
Ekspertët sugjerojnë edhe ngritjen e një sistemi mbrojtjes në sistemin e radarëve dopler për parashikime me kohë të motit të keq. Në favor të mbrojtjes nga breshri, sugjerohet edhe përzgjedhja e lokalitetit që më pak i nënshtrohet ndikimit të breshrit . Ekspertët thonë se nga të dhënat shumëvjeçare të motit mund të kuptohet se cili lokalitet më shumë i nënshtrohet erërave të përcjella me furtunë dhe breshrit. Rajone të tilla duhet evituar sidomos kur bëhet fjalë për prodhimtari të shtrenjtë të pemëtarë si ai i mollëve, dardhave , pjeshkave etj Sistemi raketor kundër breshrit vlerësohet se është dëshmuar, jo edhe aq efikas për shkak se nuk varet nga vetë bujku, por varet nga mundësitë financiare si dhe zgjidhjet teknike dhe organizative. Lidhur me përdorimin e rrjeteve, vlerësohet se ato janë të pranueshme për fermerët që kanë siguruar kapital fillestar dhe ndihmë për këtë gjë edhe nga subvencionet shtetërore. Mirëpo shpesh edhe vendosja e rrjeteve kundër breshrit në praktikë është treguar joefikase për shkak të rrëzimit të tërë sistemit nën peshën e borës apo akullit. Nga ana tjetër, rrjetet janë efikase për uljen e temperaturave të larta tek të mbjellat, uljen e rrezatimit të madh nga dielli dhe mbrojtjen nga shpezët. Në fund mbetet sigurimi bujqësor që tek ne nuk pasur ndonjë sukses më të madh si rrjedhojë e kontestimit të lartësisë reale të dëmit nga ana e kompanive të sigurimit, por edhe pagesës së një pjese të dëmit nga ana e shtetit tek të mbjellat e ndryshme bujqësore që shkaktohen nga moti i keq.