Mbrojtësi i Arsenalit, Shkodran Mustafi është në rrugë të mbarë drejt firmosjes së një kontrate të re. Këto zhvillime vijnë për shkak të ngritjes së madhe në lojë të mbrojtësit, që nga ardhja në stol e trajnerit Mikel Artetës në muajin dhjetor të 2019-ës. Nën drejtimin e Unai Emeri, mbrojtësi me origjinë shqiptare kishte treguar një nivel të ulët dhe etiketohej shpesh si një lojtar, që bënte shumë gafa.
Të tilla “meme” nuk janë parë më kohët e fundit dhe kjo ka ndodhur për shkak të paraqitjeve të tij të mira. Rritja e lojës së 28-vjeçarit do të shpërblehet me një kontratë të re nga drejtuesit e klubit. Në Angli raportojnë se Mikel Arteta e vlerëson shumë mbrojtësin dhe e dëshiron në skuadër edhe për sezonin e ardhshëm.
Kontrata e tanishme e Mustafit do të skadojë verën e vitit të ardhshëm dhe para këtij afati pritet që atij t’i propozohet një marrëveshje e re, që do e mbajë akoma në Londër, ku erdhi në verën e vitit 2016-ës nga Valencia për shifrën e 37 milionë paundëve. E njëta gjë vlen edhe një tjetër shqiptar në radhët e Arsenalit. Bëhet fjalë për Granit Xhakën, i cili gëzon një vlerësim të madh nga Arteta dhe do të vijojë karrierën e tij te “Topçinjtë”.