Në burg, rrahjet dhe tortura ishin si “mirëmëngjesi” dhe “mirëmbrëma”. Pa ndalë na rrihnin dhe torturonin. Në kushtet e tmerrshme, çdo ditë vdisnin nga 4-5 njerëz. Rojtarët me qëllim nuk i largonin trupat e të vdekurve nga qelitë për disa ditë. Kur kërkonim që të kujdeseshin për trupat e vdekur, na thoshin: “Pritni, akoma nuk nuhasin mjaftueshëm”
Më quajnë Tarek. Jam 36 vjeç, dhe vij nga Damasku. Jam magjistër në dizajn grafik dhe komunikim vizuel. Derisa jetoja në Siri, punoja si profesor në Fakultetin e arteve të bukura, si dhe në një agjension ndërkombëtar për reklamim. Në Damask jetoja me familjen time në pjesën e vjetër të qytetit, ku kishim një nga shtëpitë më të vjetra në vend, shtëpi me 23 dhoma, dhe oborr prej 600m2 me një fontanë të mrekullueshme. Kishte shumë të huaj që jetonin në Damask, apo e vizitonin, nga vende të ndryshme (Britania e Madhe, SHBA, Kanadaja etj.), për shkaqe të ndryshme, disa të studiojnë apo të punojnë, ndërsa tjerët për turizëm. Shumë nga të huajt që vinin, ishin kurioz për shtëpinë tonë, bile edhe vinin ta shihnin, meqë siç thashë, ajo ishte shumë interesante për turistë. Vërtet më mungon pjesa e vjetër e qytetit të Damaskut. Nëse e viziton, do të lësh një pjesë nga zemra yte aty. Patjetër të dashurohesh në atë vend.
Në Siri për shumë vjet isha vullnetar në Kryqin e Kuq (gjithsej 11 vjet), andaj kur nisi lufta, vetëm se isha në terren, duke ju ndihmuar civilëve të lënduar… Të jem i sinqertë, unë jam shumë kritik ndaj organizatave joqeveritare në Siri, meqë ka shumë prej tyre, por nuk kontribuojnë shumë në terren. Dhe shumica e tyre janë të kontrolluara nga regjimi. Organizatat joqeveritare organizonin aq shumë ahengje dhe festa, mirëpo kur ndodhnin eksplodime, zhdukeshin, nuk kishte kush t’ju ndihmojë civilëve. Kryqi i kuq krishterë ishte një nga organizatat e rralla, që ishin aktivë në terren, dhe unë isha vullnetar në këtë organizatë, meqë dëshiroja të punojë punë humanitare dhe të ndihmoja. Edhepse jam i krishterë i lindur, nuk voluntova në organizatën shkaku i fesë apo të ngjashme. Në fakt unë jam ateist, dhe ndihmoja vetëm se doja të merrem me punë humanitare, aty e gjeta veten. Por, tre vitet e fundit të voluntimit tim ishin më të vështira, shkaku i luftës. Kishim për detyrë që të evakuojmë shtatë familje civile të cilat ishin të lënduara. Çdo gjë ishte legale, kishim miratimin zyrtar nga qeveria dhe armata. Së bashku me vullnetarët tjerë, arritëm që t’i evakuojmë familjet, por kur arritëm të spitali kishte sulm në pritë. Dikush na kishte paraqitur se punojmë kundër regjimit. Ndërsa ne nuk përkrahnim asnjë anë, ishim të kyçur vetëm si vullnetarë në Kryqin e kuq. Por, ja që vetëm me një paraqitje të thjeshtë, nga kushdo qoftë, mjaftonte që dikush të arrestohej.
Ashtu kalova katër muaj e gjysmë në burg. Ishim 114 persona, në një qeli të vogël. Ishte tmerrësisht e ngarkuar qelia, që kur flinim, ndërroheshim në çdo 20 minuta, meqë s’kishte vend. Ashtu, derisa disa flinin, të tjerët qëndronin në këmbë, meqë thjeshtë nuk kishte hapësirë që të gjithë të shtrihemi njëkohësisht. Kushtet ishin të tmerrshme. Sëmureshim nga infeksione të ndryshme, na kapi zgjeba, dhe si mungesë oksigjeni shumica morën infeksion të mushkërive… unë humba 18 kilogramë derisa isha brenda. Nuk mundesha as ujë të pijë, villja menjëherë.
Në burg, rrahjet dhe tortura ishin si “mirëmëngjesi” dhe “mirëmbrëma”. Pa ndalë na rrihnin dhe torturonin. Në kushtet e tmerrshme, çdo ditë vdisnin nga 4-5 njerëz. Rojtarët me qëllim nuk i largonin trupat e të vdekurve nga qelitë për disa ditë. Kur kërkonim që të kujdeseshin për trupat e vdekur, na thoshin: “Pritni, akoma nuk nuhasin mjaftueshëm”. Ky ishte mekanizëm torture.
Kur më lëshuan nga burgu, vendosa ta braktis Sirinë. Ashtu filloi rrugëtimi im. Do mbetesha në Turqi apo Greqi, arrita që të integrohem mirë në këto dy vende, mirëpo problemi ishte në sistemin social aty. Në Turqi dhe Greqi, po qe se nuk ke mjaftueshëm para, nuk mund të shkosh në mjek. Nëse nuk ke të holla, mund të vdesësh nga uria. Nuk ekziston sistem social që kujdeset për ty. Por, në Gjermani ke mbrojtje shëndetësore, dhe nuk do kesh uri, edhe nëse ke pagë të ulët në punë. Ky është një ndër shkaqet se pse vendosa që të kërkoj azil në Gjermani. Të jem i sinqertë, jam i pavarur nga familja dhe shteti, por meqë pjesë nga familja ime jetonte në Gjermani, dhe kishin marrë azil, vendosa që të shkoj në Gjermani. Dhe kjo gjëja e mallkuar, pasaporta, shumë ndikoi në vendimin tim. Është ironike që, po qe se posedon pasaportë të Europës, mund të shkosh gati se çdokund. Por me pasaportë siriane, gjërat janë më ndryshe. Siç sqarova më herët, një pjesë nga familja ime, kishin mbërritur në Gjermani para meje, derisa unë jetoja akoma në Siri. Kisha aplikuar tre herë në ambasadën gjermane në Siri që në mënyrë legale të mirëja vizë, që ta vizitoja vëllain tim, dhe tre herë isha refuzuar…
Gjatë rrugëtimit tim, kalova nëpër Maqedoni në vitin 2015. Derisa kalonim Maqedoninë, me grupin tim, ishim të detyruar të ecnim në këmbë, meqë atëherë transporti publik nuk ishte i lejuar për refugjatët. Me kujtohej një fshat maqedonas, kur me grupin tim ishim të lodhur, dhe dëshironim që të pushojmë në një fushë. Por erdhi një bujk, i frikësuar dhe nervoz, kërkoi që të largohemi nga aty. Për fat të mirë, flas mirë anglishten, i shpjegova se nuk dëshirojmë probleme, por vetëm që të pushojmë, meqë ishim shumë të lodhur. Njeriu u qetësua, bile të nesërmen na sjelli pjepra. I ofruam të holla që t’i paguanim, por nuk pranoi. Ishte një gjest i mirë nga ana e tij.
Tani jetoj në Berlin, kur kam fituar të drejtën e azilit. Punoj si dizajner grafik, dhe arrita që mirë të integrohem. Kam shumë miq ndërkombëtar këtu, shumica janë gjermanë. Por nuk ishte aq lehtë. Aplikova 72 herë, në 72 kompani të ndryshme për të gjetur punë. Edhepse siç thashë, jam i pavarur, dhe që nga dita e parë fillova të shkoj në praktikë, më në fund, pas 7 muajve praktikë, gjeta punë.
Akoma pikturoj, e dua artin. Artist të preferuar e kam Salvador Dali, dhe siç mund ta shihni edhe unë shtoj elemente mbireale në artin tim. Ka shumë punë që më inspirojnë që të bëj art, si varfëria, lumturia, dashuria, kultura (mitologjia siriane), kafshët etj. Gjithashtu, shtoj edhe pjesë nga vetja në artin tim. Ndonjëherë ka edhe elemente ateiste në artin tim, meqë sipas meje, mënyra se si religjioni është shfrytëzuar për të holla dhe pangopësi, është e lidhur me të shkaktuarit e luftërave. Andaj në një mënyrë, përmes artit tim mundohem që të luftojë faktorët që shkaktojnë luftëra.
(Rrëfimet janë të mbledhura nga aktivistë të Legisit, ndërsa janë të përkrahura nga GIZ në emër të BMZ. Pikëpamjet e shprehura në këtë shkrim, jo domosdoshmërisht pajtohen me qëndrimet e Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammmenarbeit – GIZ GMBH)