Shkup, 16 shkurt – Në Maqedoni shënohet dita e fillimit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, që nisi më 16 shkurtin e vitit 2001 në Karadak dhe Tanushën e Shkupit.
Me rastin e 17 vjetorit të fillimit të luftës së UÇK-së do të organizohen edhe aktivitete përkujtimore për nderim të të rënëve e parë të luftës së UÇK-së. Sot në orën 11 do të bëhen Homazhe tek varrezat e dëshmorëve në Tanushë, ndërsa në orën 14 do të ketë nderime para monumentit Shqiponja një Çair.
Akademia përkujtimore do mbahet me 16 shkurt (e premte) me fillim në ora 18:00 në Holiday Inn-Shkup.
Dita e shënimit të fillimit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare është manifestim tradicional i organizuar nga SHV-UÇK-së Shkup me qëllim që të kujtohet lufta e e UÇK-së e cila filloi më 16 Shkurt të vitit 2001 në anën e Karadakut dhe në Tanushë të Shkupit.
Më 16 shkurt 2001 forcat speciale maqedonase sulmuan fshatin Tanushë dhe në këtë betejë të ashpër bie Dëshmori i parë i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare Muzafer Xhaferi. Muzafer Veli Xhaferi, lindi me 1 prill 1980 në fshatin e lavdisë dhe të krenarisë Kombëtare, në Tanushën e Shkupit.