Shuma totale e mbështetjes financiare për detyrimet e pashlyera dhe të papaguara për komunat arrin 49.307.042 euro, apo 51 për qind e shumës totale të raportuar nga komunat. Ekspertët ekonomik akuzojnë se me këtë jepet shembull i keq se, edhe në të ardhmen, kryetarët mund të keqpërdorin mjetet dhe sërish të futen në borxhe ekstreme, ndërsa diskriminohen menaxhuesit e mirë të komunave
Shkup, 13 nëntor – Rreth 50 milionë euro pritet që Qeveria t’i ndajë komunave për të shlyer borxhet që i kanë arritur ndër vite, ndërsa vetëm Tetova dhe Ohri bashkërisht kanë 30 milionë euro borxhe, e para 14.490.026 euro ndërsa Ohri 15.790.771 euro, shkruan gazeta KOHA. Në procedurë parlamentare tashmë ka hyrë Ligji për mbështetje financiare të njësive të vetëqeverisjes lokale dhe njësive të përdoruesve të themeluara nga njësitë e vetëqeverisjes lokale për financimin e detyrimeve të papaguara. Ky ligj, siç thuhet në draft-versionin e Qeverisë, rregullon mbështetjen financiare për njësitë e vetëqeverisjes lokale dhe njësitë e përdoruesve të themeluara nga njësitë e vetëqeverisjes lokale në fushën e arsimit, kulturës, fëmijëve dhe mbrojtjes sociale për financimin e detyrimeve të papaguara.
Shuma totale e fondeve të ofruara si mbështetje financiare për financimin e detyrimeve të pashlyera dhe të papaguara për komunat është 3.032.383.086 denarë ose 49.307.042 euro, apo 51 për qind e shumës totale të raportuar të komunave dhe njësive shpenzuese, nga data shtator 2018. Megjithatë, askund në Ligj nuk kërkohet llogari nga komunat për borxhet e shkaktuara, ndërsa siç thonë ekspertët e ekonomisë, me këtë jepet shembull i keq se, edhe në të ardhmen, kryetarët e Komunave mund të keqpërdorin mjetet dhe sërish të futen në borxhe ekstreme.
“Ky ligj financon keqmenaxhimin e së kaluarës me pretekst se do t’i dëmshpërblejë kreditorë kyç të komunave që janë kompanitë e sektorit real, duke mos kërkuar llogari për borxhin real dhe fajtorin e mos mbylljes së këtyre raporteve debitoro-kreditor. Me këtë ligj bëhet amnistia e dytë me 51 për qind e borxheve të një pjese më të madhe të komunave të menaxhuara nga ish-kryetarët e VMRO së dhe LSDM e BDI në vend që të kërkohet llogaridhënie”, thotë akademik Izet Zeqiri, sipas të cilit, Qeveria me ketë masë u krijon komoditet pjesës më të madhe të kryetarëve të komunave që menaxhohen nga LSDM dhe BDI, me çrast u lehtësohet menaxhimi në të ardhmen dhe një parakusht për të treguar sukses dhe mundësi për të fituar mandatet e radhës.
“Me këtë ligj diskriminohen komunat e udhëhequra nga opozita, pasi nuk trajtohen në mënyrë të barabartë në shpërndarjen e këtyre mjeteve që paraqet një grusht të fortë në drejtim të zbehjes së aktiviteteve investuese që mund të efektuoj në humbje në zgjedhjet e radhës”, thotë Zeqiri. Ajo që është më dhimbshme me këtë ligj, vijon më tej ai, flijohen investimet e së ardhmes – investimet kapitale në llogari të borxheve jofunksionale të së kaluarës, me ç’rast Qeveria favorizon keqmenaxhuesit, ndërsa diskriminon mirëmenaxhuesit duke mos i përkrahur edhe ato simbolikisht me fonde për projekte kapitale jetike për ato komuna.
Pas Ohrit dhe Tetovës, si komunë e tretë me borxh të madh renditet Karposhi me 7.917.525 euro borxh, e katërta Manastiri me mbi 5 milionë euro, Struga e pesta me 4.263.465 euro, Kumanova e gjashta me 3.790.732 euro, Kërçova me 2.380.017 euro, Gazi Baba me 2.282.026 euro, Çairi me 2.252.116 euro, Kisella Voda me 2.065.492 euro, Vrapçishti me 2.053.031 euro, derisa komunat tjera kanë nga një milionë e më shumë euro borxhe, raporton KOHA.
Interesante është se vetëm tani komunat kanë filluar të pranojnë dhe tregojnë borxhin real, pasi në kohën e fushatës parazgjedhore, të njëjtat mohonin të kenë borxhe të mëdha. Shembull konkret ishte Komuna e Tetovës, kryetarja e së cilës, Teuta Arifi thoshte se borxhi i Komunës nuk arrin më shumë se 8 milionë euro, megjithëse ajo ushtron mandatin e dytë në krye të Tetovës. (koha.mk)